«Mejdej! Mejdej! Mejdej!»—Thirrja që shpëton jetë
«Mejdej! Mejdej! Mejdej!»—Thirrja që shpëton jetë
Peshkarexhën e kishin përpirë zjarri e tymi! I gjithë ekuipazhi ishte në rrezik për jetën. «Nëse kapiteni nuk do të kishte kërkuar ndihmë me radiomarrës duke thirrur Mejdej, peshkarexhën «Nautical Legacy» nuk do ta kishin gjetur kurrë»,—tha një rojë bregdetare. Roja Bregdetare Kanadeze u përgjigj menjëherë dhe arriti ta shpëtonte të gjithë ekuipazhin. *
«MEJDEJ! Mejdej! Mejdej!» Këto fjalë janë një thirrje e bërë nëpërmjet një radiomarrësi për të kërkuar ndihmë urgjente në rast se dikush është në rrezik për jetën. A është një metodë e mirë kjo? Në vitin 2008, Roja Bregdetare e SHBA-së ka marrë pjesë në më shumë se 24.000 misione shpëtimi. Ka shpëtuar 4.910 jetë—mesatarisht 13 veta në ditë—dhe ka ndihmuar më shumë se 31.000 njerëz në vështirësi.
Po pse përdorim pikërisht fjalën «Mejdej»? Dhe para se të shpikej radiomarrësi, si kërkonin ndihmë anijet në vështirësi?
Metodat e hershme për të kërkuar ndihmë
Në vitin 1588, Santa Maria de la Rosa e Armatës Spanjolle, qëlloi me topa si thirrje për ndihmë kur anija doli jashtë kontrollit si pasojë e një stuhie të fortë. Anija u mbyt dhe me sa dihet nuk pati asnjë të mbijetuar. Në raste të tjera, detarët e hershëm ngrinin flamurë të posaçëm për të kërkuar ndihmë. Edhe në kohët tona, kur një anije ngre një flamur të bardhë me kryq të kuq me vija diagonale, në të gjithë botën merret si thirrje për ndihmë.
Marinarët në vitet 60 të shekullit të 18-të, filluan të mësonin një kod pamor që quhej sistemi semafor. Në këtë kod, sinjalizuesi mbante në dorë dy flamurë dhe i lëvizte në imitim të akrepave të orës. Çdo pozicion i «akrepave», përfaqësonte një shkronjë ose një numër.
Megjithatë, flamurët, topat dhe sinjalet pamore vlenin vetëm nëse njerëz të tjerë ishin aq afër, sa ta shihnin a dëgjonin thirrjen për ndihmë.
Shpesh, ekuipazhi në rrezik nuk kishte shumë shpresë që ndokush do t’u vinte në ndihmë. Si të gjendej një zgjidhje më e mirë?Metoda më të mira për të kërkuar ndihmë
Një hap gjigant drejt teknologjisë së komunikimit, u bë në vitet 40 të shekullit të 19-të. Samuel Morsi shpiku një kod që u jepte mundësi operatorëve të telegrafit të dërgonin mesazhe nëpërmjet një teli të gjatë dhe një çelësi transmetues që manovrohej me dorë. Nëse operatori e shtypte çelësin, personi nga ana tjetër e telit merrte një impuls elektrik. Morsi përcaktoi një kombinim të veçantë tingujsh të shkurtër e të gjatë ose pika e viza për çdo germë dhe numër.
Që kodin Mors ta fusnin në punë edhe në det, marinarët dërgonin rreze drite në vend të tingujve që përdornin operatorët telegrafikë. Me anë të një pajisjeje, sinjalizuesi lëshonte rreze drite për një kohë të shkurtër për të simbolizuar pikën, kurse për të sinjalizuar vizën e mbante dritën më shumë. Shumë shpejt filluan të përdornin një thirrje të thjeshtë unike për ndihmë që përbëhej prej tri pikash, tri vizash dhe tri pikash të tjera që paraqesin shkronjat «SOS». *
Fatmirësisht, shtrirja dhe distanca e sinjaleve për të kërkuar ndihmë u bë edhe më e madhe. Gulielmo Markoni ishte i pari që dërgoi sinjalet me radiomarrës përmes Oqeanit Atlantik në vitin 1901. Mesazhet SOS tani mund të dërgoheshin me anë të valëve të radios, në vend të rrezeve të dritës. Megjithatë, në atë kohë operatorët e radiove nuk përdornin një thirrje me zë. Shprehja «Mejdej! Mejdej! Mejdej!» nuk kishte dalë akoma.
Fjalët, më në fund, u përçuan me anë të valëve në vitin 1906, kur Rexhinald Fesendeni transmetoi në një program fjalë dhe muzikë. Marinarët që kishin radio, e dëgjuan transmetimin e Fesendenit nga 80 kilometra larg. Në vitin 1915, shumë njerëz të tjerë u emocionuan kur transmetimi i drejtpërdrejtë nga Arlingtoni i Virxhinias, SHBA, u dëgjua deri në kullën Eifel në Paris, Francë—një largësi prej 14.000 kilometrash. Imagjinoni gëzimin e marinarëve në anijen S.S. America në vitin 1922 kur u lidhën për herë të parë me radiomarrës me plazhin e Dillit, Nju-Xhersi, SHBA, që ishte më shumë se 600 kilometra larg tyre.
Njëjësohet thirrja për ndihmë
Gjatë viteve 20 dhe 30 të shekullit të 20-të, operatorët filluan pa vonuar t’i përdornin radiomarrësit për t’u lidhur me njëri-tjetrin. Duke pasur parasysh se ekuipazhet e anijeve flasin gjuhë të ndryshme, si mund të dërgojë kapiteni një thirrje urgjente për ndihmë që të kuptohet në të gjithë botën? Këtë problem e zgjidhi Konventa Ndërkombëtare e Radiotelegrafisë në vitin 1927. Ajo zgjodhi fjalën «Mejdej» si thirrje ndërkombëtare për ndihmë. *
Jemi mirënjohës që këto metoda komunikimi janë përmirësuar me kalimin e kohës. Për shembull, radarët dhe sistemet globale të përcaktimit të vendndodhjes në glob, kanë zënë vendin e sinjalizimit me topa e flamurë. Gjithashtu, radiomarrësit janë bërë një pajisje standard dhe agjencitë e shpëtimit kontrollojnë valët e radiove dhe janë gjithmonë në gatishmëri. Si në rastin e anijes Nautical Legacy, nuk ka rëndësi kur dhe ku ndodh një urgjencë, thirrja «Mejdej! Mejdej! Mejdej!» mund të dëgjohet njësoj. Ndryshe nga brezat e mëparshëm që nuk kishin shumë shpresë, nëse sot je në rrezik në det, mund të kesh besim plotësisht se ndihma do të të vijë.
[Shënimet]
^ par. 2 Marrë nga libri Histori të vërteta shpëtimi dhe mbijetese—Heronjtë e panjohur të Kanadasë, (anglisht).
^ par. 11 Shkronjat e thirrjes «SOS» u zgjodhën sepse mund të dërgoheshin dhe të kuptoheshin lehtë. Ato nuk kishin ndonjë kuptim të veçantë.
^ par. 15 «Mejdej» duhet përsëritur tri herë për të treguar qartë qëllimin dhe për të mos e ngatërruar si fjalë me ndonjë fjalë tjetër.
[Figura në faqen 27]
«Nautical Legacy» e përfshirë nga zjarri e tymi
[Burimi]
Me mirësjellje nga Fisheries and Oceans Canada, riprodhuar me lejen e © Her Majesty the Queen in Right of Canada, 2010
[Figura në faqen 28]
Që kodin Mors ta fusnin në punë edhe në det, marinarët dërgonin rreze drite në vend të tingujve që përdornin operatorët telegrafikë
[Burimi]
© Science and Society/SuperStock