Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
Studiuesit kanadezë donin të kuptonin efektin e pornografisë te burrat. «E filluam studimin duke kërkuar djem rreth të 20-ave që nuk kishin parë asnjëherë pornografi,—shpjegon një pjesëtar i kësaj skuadre,—por nuk arritëm të gjenim asnjë.»—UNIVERSITETI I MONREALIT, KANADA.
Ndërtesa më e lartë në botë, Kulla Khalifa, u inaugurua në Dubai janarin e kaluar. Grataçela është 828 metra, ka më shumë se 160 kate dhe mund të shihet nga 95 kilometra larg.—GULF NEWS, EMIRATET E BASHKUARA ARABE.
«Reforma në judaizëm nuk ka vlerë nëse nuk reagon ndaj ndryshimeve të kohës. Kohët e fundit, në liturgjinë judaike është futur një lutje e veçantë për njerëzit që bëjnë operacione për të ndryshuar gjininë.»—THE NEW YORK TIMES MAGAZINE, SHBA.
Fëmijët nuk arrijnë të shprehen
Në krahasim me prindërit e brezave të mëparshëm, prindërit e sotëm nuk kalojnë aq shumë kohë duke biseduar me fëmijët gjatë vakteve ose duke u lexuar para gjumit. «Kur hyjnë në shkollën fillore, fëmijët kanë një aftësi për të folur sa një 18 muajsh dhe gjithnjë e më shumë rritet numri i atyre që nuk dinë të formojnë as fjali të thjeshta»,—shkruan gazeta The Times e Londrës. Në Britani, «18 për qind e fëmijëve të moshës 5-vjeçare (më shumë se 100.000) nuk kanë aftësinë që duhet të ketë në të folur një fëmijë i kësaj moshe». Prandaj, shumë fëmijë që nuk arrijnë t’i kuptojnë udhëzimet më elementare ose të shprehin nevojat që kanë, janë «si të huaj në klasë», domethënë nuk marrin vesh se çfarë ndodh rreth tyre.
Kishat irlandeze pa priftërinj?
«Ajo që po shohim, është fundi i forcës sunduese të klerit të Kishës Katolike»,—shkruhet në The Irish Times. Pesëdhjetë vjet më parë, Irlanda nxirrte më shumë priftërinj se çdo vend tjetër. Kurse tani, numri gjithnjë e më i madh i klerikëve që po moshohen do të thotë se së shpejti, pasi këta priftërinj të dalin në pension në moshën 75-vjeçare, disa famulli do të mbeten pa prift. Disa thonë se problemi filloi me vendimin shumë të rëndësishëm që ndalonte përdorimin e metodave artificiale kontraceptive, i cili u botua në vitin 1968 në një letër qarkore të papatit e quajtur Humanae Vitae. Ky dokument, vazhdon Times, i shtyu «njerëzit të vinin në dyshim mësimet e Kishës» e pastaj «të humbitnin besimin te krerët e kishave».
Veriu magnetik në lëvizje
Kur u përcaktua vendndodhja e Polit Verior të fushës magnetike në vitin 1831, ai ishte në veri të Kanadasë, «rreth 2.750 kilometra larg Polit gjeografik të Veriut», siç shkruhet në gazetën franceze Le Figaro. Deri në vitin 1989, poli verior magnetik po i afrohej polit gjeografik 5 deri 15 kilometra në vit. Sipas Institutit të Fizikës Globale në Paris, poli magnetik tani po lëviz me një shpejtësi «prej 55 kilometrash në vit» dhe në vitin 2007, ndodhej vetëm 550 kilometra larg polit gjeografik. Duke pasur parasysh shpejtësinë dhe drejtimin e tanishëm, i bie që në vitin 2020, agimet polare, që shoqërojnë veriun magnetik, siç thuhet në këtë gazetë, «do të jenë më të dukshme nga Siberia sesa nga Kanadaja».