Njerëz që mund t’u besosh
Njerëz që mund t’u besosh
Santiagoja, një shofer taksie në Argjentinë, nuk ishte në dilemë se çfarë të bënte. Kur pa që dikush kishte harruar një çantë në taksinë e tij, ia ktheu të zotit pa u menduar gjatë. Gjesti i Santiagos mund të duket i zakonshëm, por në fakt, në atë çantë kishte më shumë se 32.000 dollarë.
A MUND të imagjinosh një botë plot me njerëz të besueshëm? Sa ndryshe do të ishte jeta! Mund t’i lije fëmijët në dorë të dados pa merak. Nuk do të kishe nevojë as për kyçe, as për brava në derë. A do të mbetet vetëm një ëndërr kjo?
Ndikimi i vlerave morale
Apostulli Pavël tha për veten dhe për të bashkëkrishterët: «Duam të sillemi me ndershmëri në çdo gjë.» (Hebrenjve 13:18) Dëshmitarët e Jehovait përpiqen fort ta arrijnë këtë. Qëllimi i tyre është të jenë në lartësinë e cilësive që përshkruhen në Bibël tek Isaia 33:15, ku flitet për njeriun «që ecën vazhdimisht me drejtësi dhe që thotë gjëra të drejta, që e përçmon fitimin e padrejtë, të nxjerrë me mashtrime, që i shkund duart për të mos marrë ryshfete». Si kanë arritur disa të ecin në një udhë të tillë?
● ‘Thuaj gjëra të drejta.’ Domingoja, një Dëshmitar i Jehovait, punon në një plantacion me arra kokosi në Filipine. «Shumë nuk janë të ndershëm me punëdhënësit,—thotë ai.—Për shembull, nëse kanë vjelë arra kokosi, nuk i tregojnë punëdhënësve se sa thasë kanë mbledhur në të vërtetë. Kështu mund të shesin fshehurazi ca thasë për vete.»
Domingoja dhe familja e tij u treguan të ndershëm edhe në një rast tjetër. Ata për pak sa nuk i dëbuan nga plantacioni, sepse nuk donin të gënjenin për shifrat e prodhimit për leverdi të punëdhënësit. Gjithsesi, Domingoja tregon: «I thamë punëdhënësit se, edhe po të na dëbonte, nuk do të gënjenim. Në fund, ai tha se Dëshmitarët e Jehovait janë njerëz të mirë që mund t’u zësh besë dhe na dha edhe më shumë tokë për të punuar.»
● ‘Përçmoje fitimin e padrejtë.’ Pjeri, drejtor në zyrën e taksave në një krahinë të Kamerunit, ka pasur mjaft mundësi për të fituar para me lehtësi. Kur u caktua në fillim t’u shpërndante rrogat punonjësve të përkohshëm, vuri re diçka që nuk shkonte. «Rroga vinte edhe për disa që u kishte mbaruar kontrata ose që kishin vdekur,—shpjegon Pjeri.—Në vend që t’i mbaja për vete ato para, i mbaja
shënim me kujdes të gjitha të dhënat dhe shumën përkatëse e futja në një kasafortë.»Çfarë ndodhi më pas? «Dy vjet më vonë,—thotë Pjeri,—u bë një kontroll për të shqyrtuar këto raste. Isha vërtet krenar që mund të jepja të dhëna të sakta dhe të dorëzoja shumën e grumbulluar, e cila tani ishte e konsiderueshme. Ata që bënë kontrollin më lavdëruan për ndershmërinë.»
● ‘Mos merr ryshfete.’ Gjatë gjithë karrierës së tij si noter në Rio-de-Zhanejro, Brazil, Rikardos i kanë ofruar ryshfet shumë shpesh. «Në një rast,—kujton ai,—një avokat u përpoq të më jepte ryshfet. Pa dijeninë time e me iniciativën e vet, më dërgoi në shtëpi një aparat lexues për CD. Në ato ditë, një aparat i tillë ishte një risi dhe luks.»
Çfarë bëri Rikardoja? «Unë dhe gruaja vendosëm që as të mos e hapnim fare pakon,—thotë ai.—Shkova në zyrën e këtij avokati, që u habit kur më pa, dhe ia lashë pakon mbi tryezë. Përfitova nga rasti për t’i shpjeguar pse po ia ktheja. Sidomos sekretares i bëri përshtypje ajo që bëra.»
Megjithëse Dëshmitarët e Jehovait nuk janë të vetmit që përpiqen të jenë të ndershëm,
si popull ata kanë fituar një emër të mirë si njerëz të besueshëm. Nga kjo, në Poloni, një firmë dyqanesh për veshje merr në punë vetëm Dëshmitarë të Jehovait. Administruesja e shitjeve tha: «Njerëz të ndershëm ka kudo, por Dëshmitarët e Jehovait kanë parime, të cilave u qëndrojnë besnikë.»Të besueshëm, megjithëse të varfër
Në mendjen e shumë njerëzve, varfëria është një justifikim i mirë për pandershmërinë. Për shembull, kanali televiziv CNN fliste për një 14-vjeçar që gjithë ditën e kalon duke zhvatur njerëzit në Internet. «E çfarë të bëj?—thotë ai duke u justifikuar.—Kështu mbaj familjen: motrën, nënën dhe [babanë]. Njeriu duhet të mbijetojë.»
Sigurisht, Bibla nuk u premton pasuri atyre që jetojnë me ndershmëri, por i siguron se nuk do t’u mungojnë gjërat e nevojshme. Isaia 33:16 thotë: «Buka dhe uji s’do t’i mungojnë.»
Por, disa mund të pyesin: «Si do t’i ndihmojë ndershmëria ata që janë në gjendje të skajshme? Po ata që luftojnë çdo ditë për bukën e gojës?»
Mendoni për Bertën, një vejushë nga Kameruni që shet në kioskën e saj miando, shkopinj të shijshëm të bërë nga manioka. «Zakonisht, çdo tufë përmban 20 copë,—thotë ajo.—Shitësit e kanë zakon të vënë vetëm 17 ose 18 copë në shumë tufa, por unë nuk dua të fitoj duke mashtruar të tjerët.»
A fiton shumë Berta nga kjo punë? Jo gjithmonë. «Shpesh ikën gjithë dita pa shitur gjë,
—thotë ajo.—Por kur u kërkoj për të ngrënë shitësve të gjellëve, u them se nuk kam shitur asgjë atë ditë. Ata më japin, sepse e dinë se do t’i paguaj sapo të kem paratë. Është çështje besimi, që e kam fituar me kalimin e kohës.»Një Perëndi që e meriton besimin tonë
Besimi ynë te dikush rritet ndërsa shohim se ai vepron në përputhje me fjalët e tij. Josiu, udhëheqës në Izraelin e lashtë, tha për Perëndinë: ‘Asnjë nga të gjitha gjërat e mira që premtoi Jehovai nuk mbeti pa u plotësuar; të gjitha dolën të vërteta.’ (Josiu 21:45) Po ne, a kemi arsye të forta për të besuar te Perëndia?
Premtimet e Perëndisë janë kaq të besueshme, sa Ai e krahason fjalën e tij me shiun. (Isaia 55:10, 11) Vërtet, çfarë mund ta ndalojë shiun që të mos bjerë, të mos ujitë tokën dhe të mos rritë bimësinë? Asgjë. Po kështu, asgjë nuk mund ta ndalojë përmbushjen e premtimeve të Perëndisë.
Një nga këto premtime gjendet te 2 Pjetrit 3:13, ku thuhet: «Sipas premtimit të tij, ne presim qiej të rinj e një tokë të re, dhe në ta do të banojë drejtësia.» Perëndia ka si qëllim të heqë nga toka të gjithë ata që i shfrytëzojnë të tjerët. A do të dish më shumë se si do ta përmbushë Perëndia qëllimin e tij? Fol me Dëshmitarët e Jehovait në zonën tënde, ose shkruaj në adresën e duhur që gjendet në faqen 5 të kësaj reviste.
[Kutia dhe figura në faqen 8]
NDERSHMËRIA SHPËRBLEHET
Lusjoja, një Dëshmitar i Jehovait në Filipine, mund të tregohej i pandershëm. Ai gjeti 27.500 dollarë në arkivin e vjetër të një zyre që i kishin thënë të pastronte. Zyra dhe paratë ishin të shefit, që kishte shkuar për një udhëtim pune. «Ishte hera e parë që shihja dollarë»,—thotë Lusjoja.
Kur shefi u kthye, Lusjoja i dha paratë. Cili ishte rezultati? «Më dhanë më shumë përgjegjësi,—thotë ai.—Në fakt, shefi më dha një dhomë ku mund të jetonte gjithë familja ime. Edhe pse jetesa në Filipine është e vështirë, jam i sigurt se ngaqë i jemi përmbajtur ligjeve të Perëndisë Jehova, Ai është kujdesur për ne.»
[Kutia dhe figura në faqen 9]
PESHORE TË NDERSHME
Kioska e Moizit është mjaft e njohur në një treg në Duala të Kamerunit, ku shet peshq. «Dyqanit tim të vogël ia kisha vënë emrin Peshorja,—thotë ai,—sepse peshorja ime është ndër të paktat në të gjithë tregun që nuk janë manipuluar. E di se zakonisht njerëzit më vënë në provë. Nëse më kërkojnë një kilogram peshk, u jap një kilogram. Pastaj gjithmonë gjejnë një vend tjetër për ta peshuar përsëri qesen. Dhe kur e peshojnë, zbulojnë se kanë më shumë se një kilogram. Pastaj e kuptojnë se nuk jam përpjekur t’i mashtroj. Shumë më thonë: ‘Vijmë te ti se je i ndershëm.’»
[Figura në faqen 7]
«I thamë punëdhënësit se, edhe po të na dëbonin, nuk do të gënjenim.»—Domingoja, Filipine.
[Figura në faqen 7]
«Ata që bënë kontrollin më lavdëruan për ndershmërinë.»—Pjeri, Kamerun.
[Figura në faqen 7]
«Një avokat u përpoq të më jepte ryshfet. . . . Unë dhe gruaja vendosëm që as të mos e hapnim fare pakon.»—Rikardoja, Brazil.
[Figura në faqen 7]
Berta, shpesh kalon gjithë ditën pa shitur gjë. Por shitësit e gjellëve i japin për të ngrënë, sepse e dinë se ajo do t’i paguajë sapo të ketë paratë.