Njihuni me marmotën alpine
Njihuni me marmotën alpine
Një piskamë e fortë shpoi tejpërtej qiellin. Dukej sikur një djalë po i fishkëllente shokut, por ishte më e lartë se aq. Fishkëllima jehoi përmes shpatit të malit dhe nuk e kuptoje dot se nga vinte. Pastaj vura re një brejtës të vogël me gëzof, që u turr si shigjetë në një strofull aty pranë. I hodha një sy të shpejtë manualit udhëzues dhe vërtetova që sapo kisha parë e dëgjuar një marmotë alpine.
GJATË ditëve pasuese, u njoha më mirë me këta brejtës me gëzofë. Mësova se çfarë shkëmbinjsh parapëlqejnë për t’u thekur në diell, ku ndodhen strofullat e tyre kryesore dhe si mbijetojnë në këtë habitat të ashpër, në një lartësi ku nuk rriten as pemë.
Bashkëpunimi si familje dhe vigjilenca
Për marmotën nuk është e lehtë të jetojë në kullotat alpine. Dimri është i ftohtë dhe habitati i tyre mund të jetë i mbuluar nga dëbora për muaj të tërë. Kërcënim përbëjnë edhe grabitqarët në tokë e në qiell. Prandaj, mbijetesa e marmotës varet nga bashkëpunimi, planifikimi dhe vigjilenca.
Për marmotat familja është e rëndësishme dhe zakonisht jetojnë në grup, ku bëjnë pjesë dy prindërit dhe i vogli i tyre. Çdo familje ka disa strofulla—një e përdorin si shtëpi për familjen dhe të tjerat si vendstrehime kur u kanoset rreziku. Ndonjëherë marmotat i gërmojnë strofullat e tyre në të çarat poshtë gurëve të mëdhenj. Këto strehime si kështjella u shërbejnë marmotave edhe si kullëza vrojtimi, edhe si verandë për t’u rrezitur e për t’u çlodhur.
Marmota e konsideron serioze punën e higjienës. Ka një strofull të veçuar si banjë në mënyrë që shtëpia të mbahet e pastër. Në fund të strofullës kryesore, marmotat hapin një dhomë shtesë që e veshin me bar. Kjo shtesë i siguron femrës një vend të sigurt për periudhën e lindjes. Gjithashtu është një strehë e ngrohtë, ku gjithë pjesëtarët e familjes ngjishen njëri pas tjetrit në periudhën e letargjisë së gjatë dimërore.
Ndoshta përgjegjësia më e rëndësishme në familje është detyra e rojës. Një marmotë e rritur ruan ndërsa pjesëtarët e tjerë të familjes ushqehen aty afër. Që të kontrollojë për grabitqarët, ndonjëherë ngrihet mbi këmbët e pasme që të ketë një fushëpamje më të mirë. Ata që kryesisht përbëjnë rrezik për marmotën alpine, janë shqiponjat, dhelprat dhe njerëzit. Kur vënë re praninë e tyre ose sapo shohin një shpend të madh grabitqar, lëshojnë një thirrje alarmi. Është interesante që thirrja e alarmit kur shohin një shqiponjë—shpendi kryesor grabitqar i marmotave—është mjaft e ndryshme. Sapo dëgjojnë thirrjen paralajmëruese, marmotat ia mbathin nga sytë këmbët
që të shpëtojnë. Sikur i përpin dheu në çast e nuk sheh më këmbë marmote.Bindja është çështje jete a vdekjeje, sidomos për marmotat e vogla, që janë ushqim i preferuar për shqiponjat e maleve. Nëse s’pret puna, roja struket në një strofull aty afër bashkë me të tjerët. Pastaj, pas disa minutash, roja me kujdes nxjerr kokën për të parë nëse grabitqari është larguar.
Shmangin vapën dhe flenë mirë
Në lëndinat e maleve ku jeton marmota alpine, ka bar me bollëk për të ngrënë dhe klima në verë është e butë. Nëse është freskët, marmotat bëjnë banja dielli mbi një shkëmb të zgjedhur. Temperaturat e larta përbëjnë më shumë problem për to, pasi nuk e heqin dot gëzofin. Për këtë arsye, marmotat zakonisht janë më aktive herët në mëngjes dhe pasdite vonë.
Zakonisht nuk vuajnë nga pagjumësia, bien në gjumin letargjik për rreth gjashtë muaj. Një lloj i familjes së tyre, marmota e murrme, mund të flejë deri në nëntë muaj. Gjatë kësaj periudhe gjumi, zemra e marmotës alpine ngadalëson ritmin deri në një ose dy rrahje në minutë dhe temperatura e trupit i bie deri në 5 gradë celsius. Kuptohet, «të agjërosh» për kaq shumë kohë, kërkon parapërgatitje. Gjatë verës dhe në fillim të vjeshtës, ato hanë si të babëzitura për të vënë shtresa dhjami që t’i mbajnë gjatë periudhës së letargjisë dimërore.
Marmotat e vogla janë çamarroke dhe shpesh vrapojnë rreth e rreth duke ndjekur njëra-tjetrën. Pashë nja tri marmota të vogla të bënin kollotumba në një të tatëpjetë me bar, ndërsa ngacmonin njëra-tjetrën. Marmotat e të gjitha moshave përshëndetin njëra-tjetrën duke prekur hundën. Pjesëtarët e një familjeje i pastrojnë gëzofin njëri-tjetrit dhe struken ngjitur e ngjitur që të zënë ngrohtë në kohë të ftohta.
Marmotat përgatiten për të ardhmen dhe tregohen vigjilentë ndaj rreziqeve. (Jobi 12:7) Ndoshta edhe familjet tona mund të mësojnë shumë nga këta brejtës.
[Diçitura në faqen 11]
Marmotat i shtojnë bukurinë lëndinave alpine dhe bashkëpunimi i tyre si familje dëshmon për mençurinë e Krijuesit.—Psalmi 50:10
[Diçitura në faqen 12]
Një marmotë e rritur ruan ndërsa pjesëtarët e tjerë të familjes ushqehen aty afër