Sëmundja më e frikshme e shekullit të 19-të
Sëmundja më e frikshme e shekullit të 19-të
Ishte viti 1854 dhe Londrën e kishte mbërthyer një epidemi tjetër kolere, një sëmundje zorrësh që karakterizohet nga diarre e theksuar dhe çhidratim. Sëmundja u përhap me shpejtësi alarmuese. Shumë që zgjoheshin mirë në mëngjes, në darkë ishin të vdekur. Nuk kishte asnjë kurë.
ISHTE sëmundja më e frikshme e shekullit dhe shkaku ishte mister. Disa mendonin se kolera shkaktohej nga thithja e erërave të këqija që vinin nga shpërbërja e lëndëve organike. Ky dyshim mund të dukej i logjikshëm. Lumi Tamiz, që përshkonte Londrën, çlironte një kutërbim të tmerrshëm. A transmetohej kjo sëmundje nga ajri i rëndë?
Pesë vjet më parë, një mjek me emrin Xhon Snou kishte shprehur mendimin që kolera nuk shkaktohej nga ajri, por nga uji i ndotur. Një mjek tjetër, Uilliam Badi, besonte se këtë sëmundje e mbartte një organizëm i gjallë kërpudhor.
Gjatë epidemisë së vitit 1854, Snou vuri në provë teorinë e tij duke studiuar jetën e atyre që e kishin marrë kolerën në zonën londineze të Sohos. «Çfarë kanë të përbashkët?»—pyeste veten ai. Kërkimet e Snout zbuluan një fakt befasues. Të gjithë ata që kishin marrë kolerën në atë zonë, kishin pirë ujë nga e njëjta çezmë në rrugë dhe uji i saj ishte i ndotur nga ujërat e zeza të infektuara me kolerë. *
Po atë vit u arrit një tjetër zbulim i rëndësishëm në mjekësi kur shkencëtari italian Filipo Paçini botoi një artikull ku flitej për organizmin e gjallë që shkaktonte kolerën. Megjithatë, zbulimi i tij, bashkë me kërkimet e Snout dhe të Badit, në përgjithësi ranë në vesh të shurdhër. Kolera vazhdoi të bënte kërdinë deri në vitin 1858.
«Era e Qelbur»
Parlamenti e mori me nge ndërtimin e një sistemi të ri kanalizimi që të pastrohej Tamizi, por vala e nxehtësisë që erdhi gjatë verës së vitit 1858, i detyroi të vepronin. Era e keqe që vinte nga lumi i cili kalonte afër Dhomës së Komunëve, ishte kaq e tmerrshme sa politikanët u detyruan të varnin në dritare
perde të njomura me dezinfektues për të larguar erën e keqe. Ajo që u quajt Era e Qelbur, e shtyu parlamentin të merrte masat e duhura. Brenda 18 ditësh urdhëroi ndërtimin e një sistemi të ri kanalizimi.Që ujërat e zeza të mos përfundonin në lumë, u vendosën tubacione të stërmëdha që t’i devijonin në lindje të Londrës. Pastaj i shkarkonin në det, ku i merrte zbatica. Rezultati ishte fantastik. Sapo e gjithë Londra u lidh me sistemin e ri, epidemia e kolerës mori fund.
Tani, s’kishte dyshim që kolera nuk vinte nga ajri, por nga uji ose ushqimet e ndotura. Gjithashtu u kuptua se çelësi i parandalimit ishte: higjiena.
Një ligj i përparuar për kohën
Mijëra vjet para se epidemia e kolerës të përfshinte Londrën, Moisiu e udhëhoqi kombin e Izraelit jashtë Egjiptit. Megjithëse udhëtuan përmes shkretëtirës së Sinait për rreth 40 vjet, izraelitët nuk u prekën nga asnjë epidemi, si kolera. Si u arrit kjo?
Kombi u udhëzua t’i kryente nevojat personale dhe t’i groposte në një vend larg kampit, në mënyrë që vendi ku banonin dhe burimet e ujit të mos ndoteshin. Këto masa janë dokumentuar në Bibël te Ligji i përtërirë 23:12, 13, ku thuhet:
«Duhet të kesh jashtë kampit një vend për nevojat e tua dhe atje shko. Bashkë me veglat e tua, duhet të kesh me vete edhe një kunj, dhe kur të ulesh galiç jashtë, gërmo me të një gropë, kthehu dhe mbulo jashtëqitjen tënde.»
Ky udhëzim i thjeshtë i mbrojti izraelitët nga sëmundjet që kishin pllakosur në kombet përreth tyre. Masa të ngjashme higjienike kanë shpëtuar jetën e shumë njerëzve edhe në * Në vazhdim ju ftojmë të lexoni për një rast të tillë.
ditët tona.«Nuk ra asnjë epidemi»
Në vitet 70, shumë Dëshmitarëve të Jehovait iu desh të largoheshin nga Malavia për shkak të përndjekjeve. U strehuan në Mozambikun fqinj, ku më shumë se 30.000 burra, gra e fëmijë qëndruan në dhjetë kampe refugjatësh. Dihet që këto lloj kampesh shpesh janë vendi ideal për zhvillimin e sëmundjeve që përhapen nëpërmjet ujit. Po si ia bënë Dëshmitarët në ato kushte?
Lemon Kabuazi dhe 17.000 të tjerë jetuan në kampin më të madh, në Mlangeni. Ai kujton: «E mbanim pastër kampin gjatë gjithë kohës. Gropat për nevojtoret i hapëm jashtë kampit dhe askush nuk u lejua që ta hapte brenda kampit. Edhe gropat e plehrave i hapëm larg kampit. Disa dolën vullnetarë që të kujdeseshin për higjienën në të gjitha drejtimet, madje edhe të siguroheshin për pastërtinë e ujit që dilte nga puset e hapura në një zonë tjetër jashtë kampit. Megjithëse ishim shumë veta, iu përmbajtëm normave biblike për higjienën, kështu që nuk ra asnjë epidemi e ndonjë sëmundjeje të rëndë dhe askush nuk vuajti nga kolera.»
Është për të ardhur keq që në disa vende të botës, ka ende shtëpi pa një sistem të përshtatshëm kanalizimi. Çdo ditë vdesin rreth 5.000 fëmijë për shkak të sëmundjeve të përhapura nga ujërat e zeza.
Megjithëse kolera dhe disa sëmundje të ngjashme janë të parandalueshme dhe përpjekjet njerëzore për të pasur një higjienë të mirë kanë dhënë goxha rezultate të kënaqshme, Bibla na jep shpresë se së shpejti të gjitha sëmundjet do të zhduken. Zbulesa 21:4 thotë se nën drejtimin e Mbretërisë së Perëndisë «nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më.» Në atë kohë, Bibla premton: «Asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam sëmurë.’»—Isaia 33:24.
Për të mësuar më shumë se çfarë do të bëjë Mbretëria e Perëndisë për njerëzimin, shih kapitujt 3 dhe 8 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Shënimet]
^ par. 5 Megjithëse në vitin 1854 përdoreshin WC me shkarkues, ngaqë sistemi i kanalizimeve ishte vjetëruar, ujërat e zeza kalonin në kanale e tuba dhe përfundonin direkt në Tamiz—një nga burimet kryesore të ujit të pijshëm.
^ par. 15 Meqenëse kolera shkaktohet nga ushqimi dhe uji i ndotur, çelësi i parandalimit qëndron te marrja e masave të duhura në lidhje me çdo gjë që hyn në gojë. Higjienizimi i ujit dhe gatimi mirë i ushqimeve, janë masa thelbësore sigurie.
[Diçitura në faqen 21]
Lumi Tamiz që kalonte përmes Londrës u ndot nga ujërat e zeza që mbartnin kolerën, dhe kjo pasqyrohet në shumë ilustrime të asaj kohe
[Figura në faqen 22]
Më shumë se 30.000 burra, gra e fëmijë qëndruan në dhjetë kampe refugjatësh në Mozambik, të cilët mbaheshin të pastër gjatë gjithë kohës
[Burimet e figurave në faqen 20]
Vdekja në Tamiz: © Mary Evans Picture Library; harta: University of Texas Libraries