Shihni dhe dëgjoni «mbretin e sahatëve»!
Shihni dhe dëgjoni «mbretin e sahatëve»!
KUR Pallati Uestminstër u shkatërrua nga zjarri në vitin 1834, politikanët britanikë shpallën një konkurs. Kush do të paraqiste projektin më të mirë për një ndërtesë të re për parlamentin? Projekti fitues i sër Çarls Berit, ishte një pallat i zbukuruar sipas stilit gotik, ku përfshihej edhe një kullë madhështore sahati, me fusha ore në të katër anët. Zyra e Punëve autorizoi ndërtimin e «mbretit të sahatëve, më i madhi që ka parë bota ndonjëherë».
Ky sahat është një nga pikat e referimit më të njohura në Londër dhe dingdongu tipik i kambanave të tij njihet në të gjithë botën. Emri i tij është «Big Ben» (Beni i Madh)—megjithëse në fillim ky emër përdorej vetëm për kambanën e tij më të madhe. Ky sahat me famë botërore është një mrekulli inxhinierike.
Një detyrë tepër e vështirë
Puna për ndërtimin e kësaj kulle 96 metra të lartë, filloi në vitin 1843. Tre vjet më vonë, filloi kërkimi për një zejtar që të ndërtonte një sahat aq të saktë, sa të mos gabonte më shumë se një sekondë në orë. Kjo detyrë ishte tepër e vështirë. Në një kullë të lartë dhe të ekspozuar ndaj kushteve atmosferike, akrepat mund të lëviznin nga era, bora e akulli, si edhe nga pëllumbat që do të uleshin mbi ta. Këto ndërhyrje do të ndikonin te lavjerrësi, ritmi i rregullt i të cilit ishte shumë i rëndësishëm për saktësinë e kohëmatjes. Ndërsa ekspertët diskutonin se si t’i zgjidhnin këto probleme, orëbërësi Edmund Beket Denison paraqiti një projekt të
pranueshëm dhe detyra e ndërtimit të këtij sahati iu la një orëbërësi të suksesshëm.Pas dy vjetësh, sahati ishte gati, por u dergj në punishten e orëbërësit për pesë vite të tjera ndërsa priste ndërtimin e kullës. Gjatë asaj kohe, Denisoni shpiku një pajisje që e mbronte lavjerrësin nga ndikimet e jashtme, dhe kjo siguroi saktësinë e orës.
Lind Big Beni
Pasi mekanizmi i sahatit ishte gati, hapi tjetër ishte derdhja e kambanave. Një fonderi në verilindje të Anglisë, bëri kambanën që do të binte çdo orë. Ishte shumë më e madhe nga ç’pritej dhe peshonte më tepër se 16 tonë. Ishte kaq e rëndë, sa prishi kuvertën e anijes që po e transportonte për në Londër. Avash-avash, anija arriti në destinacion. Kur zbriti në tokë, kambana u transportua me një karrocë të bërë enkas, që tërhiqej nga 16 kuaj të bardhë. Pastaj e varën para parlamentit në një strukturë druri ku do të vihej në provë.
Si shumë kambana të mëdha, edhe kjo kambanë gjigante mori një emër: Big Ben. Pse u quajt kështu? Askush nuk e di me siguri. Disa thonë se mund të ketë marrë emrin e sër Benxhamin Hollit, një burrë me trup të madh që punonte për
parlamentin. Të tjerë sugjerojnë se mori emrin e Benxhamin Kontit, një boksier i peshave të rënda që në ato kohë ishte i njohur. Pavarësisht nga origjina, emri Big Ben, që në fillim ishte emri për kambanën që binte sa herë ora shkonte fiks, tani zakonisht përdoret si emërtim për të gjithë sahatin dhe kullën.Avaria përsëritet
Gjuhëza që kishte në fillim kambana e madhe, dukej se ishte tepër e lehtë, kështu që e zëvendësuan me një më të madhe që peshonte 660 kilogramë. Megjithatë, pas muaj të tërë provash, ndodhi një avari. Kambana u kris dhe nuk mund të riparohej. Big Beni u desh të çmontohej. Metali u shkri dhe iu dha formë një kambane tjetër që peshonte 13,7 tonë. Përsëri, turmat u dyndën anës rrugëve për të parë kalimin e karrocës me kambanën e re deri në parlament.
Disa muaj më vonë, kulla ishte gati. Disa skuadra punëtorësh punuan pa u lodhur për të ngritur me çikrik kambanën deri brenda kambanores. Më në fund, kambana e madhe u vendos pranë katër kambanave, më të vogla që do të binin kur ora të ishte e një çerek ose pa një çerek. Pastaj u vendos mekanizmi i rëndë i orës dhe së fundmi «mbreti i sahatëve» ishte gati për t’iu futur punës—ose të paktën kështu dukej.
Në korrik të vitit 1859, Big Beni filloi dingdongun e tij. Por suksesi ishte jetëshkurtër. Në fillim të tetorit, kambana e madhe u kris përsëri. Ta nxirrje nga kulla ishte e pamundur. Në vend të kësaj, punëtorët e rrotulluan kambanën 90 gradë në mënyrë që gjuhëza të mos godiste në të krisurën e saj. Pastaj, për të shmangur problemet në të ardhmen, vendosën një gjuhëz më të lehtë. Brenda tre vjetësh, Big Beni iu përvesh punës sërish. Edhe sot e kësaj dite kambana është akoma e krisur dhe është pikërisht kjo krisje që e bën të nxjerrë dongun e saj karakteristik.
Momente historike
Në vitin 1924, rrjeti televiziv BBC (British Broadcasting Corporation), instaloi një mikrofon të përhershëm te kulla e sahatit dhe filloi të transmetonte rregullisht dingdongët e Big Benit si sinjalizues të kohës për të gjithë kombin. Tetë vjet më vonë, BBC-ja dëgjohej në të gjithë Komonuelthin Britanik dhe sot tingujt melodiozë të Big Benit dëgjohen anembanë botës nëpërmjet rrjetit botëror të BBC-së.
Megjithëse sahati dhe kambanat i shpëtuan bombardimeve të Luftës II Botërore, në vitin 1976, konsumimi i metalit në mekanizmin e kambanave, prishi sistemin mekanik e si pasojë dëmtoi një pjesë të madhe të dhomës së sahatit. Megjithatë, kambana e madhe shpëtoi pa asnjë dëmtim dhe brenda pak javësh, rifilloi punën. U deshën nëntë muaj për ta kthyer sahatin në gjendje pune.
Për shumë kohë, Big Beni ka qenë ora më e madhe që bota ka parë ndonjëherë dhe mbetet kohëmatësi mekanik më i saktë në një vend publik. Melodia e tij karakteristike është kopjuar shpesh dhe mund të dëgjohet në shumë vende, në orë të vogla a të mëdha qofshin. Prandaj nuk është çudi që Big Beni është bërë një simbol i Anglisë dhe i kryeqytetit të saj. Është vërtet «mbreti i sahatëve»!
[Kutia dhe figurat në faqen 18]
SI RUHET PËRPIKËRIA E TIJ?
Tri herë në javë, një teknik ngjit 300 shkallët prej guri në formë spiraleje për ta kurdisur me dorë kavon që mban peshën e rëndë e që e bën mekanizmin të punojë. Tekniku kontrollon saktësinë e sahatit. Lavjerrësi 4 metra i gjatë lëkundet çdo dy sekonda. Në një parvaz të vogël afër majës së lavjerrësit, janë vendosur disa monedha të vjetra. Nëse ora mbetet mbrapa, tekniku shton një monedhë. Nëse ecën para, heq një monedhë.
[Figura]
Monedhat e vjetra ndihmojnë për të rregulluar saktësinë e orës
[Burimet]
Kurdisja e orës: AP Photo/Lefteris Pitarakis; monedhat mbi parvaz: foto me të drejtë autori të vendosura me leje të parlamentit
[Figura në faqen 19]
Kambana e madhe (Big Beni) prej 13,7 tonësh bie kur ora shkon fiks
[Burimi]
Popperfoto/Getty Images