Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si t’i arrij synimet?

Si t’i arrij synimet?

Të rinjtë pyesin

Si t’i arrij synimet?

CILËN nga këto gjëra do të doje më shumë të kishe?

● Më shumë besim te vetja

● Më shumë miq

● Më shumë lumturi

Në të vërtetë, mund t’i kesh të tria! Si? Duke i vënë si synim dhe duke u përpjekur për t’i arritur. Shqyrtoni sugjerimet e mëposhtme.

Më shumë besim te vetja. Kur vë synime të vogla dhe i arrin, do të marrësh zemër për të vënë edhe synime të mëdha. Gjithashtu, do të kesh më shumë besim te vetja kur gjendesh përballë sfidave të përditshme, si për shembull presioni i bashkëmoshatarëve. Edhe të tjerët ndoshta do ta vënë re vendosmërinë tënde dhe do të të respektojnë për këtë. Disa mbase nuk do të të krijojnë më aq shumë probleme. Madje, mund të fillojnë të të admirojnë.​—Krahaso Mateun 5:​14-16.

Më shumë miq. Njerëzve u pëlqen të shoqërohen me ata që kanë pikësynime për veten​—ata që e kanë të qartë se çfarë duan të arrijnë dhe janë të gatshëm për të punuar në atë drejtim. Dhe, kur të tjerët afrohen me ty ngaqë je njeri me synime, shpesh bëhen pjesë e skuadrës së mbështetjes që të nevojitet për t’i arritur këto synime.​—Eklisiastiu 4:​9, 10.

Më shumë lumturi. Le ta themi hapur: nuk është ndonjë qejf i madh të rrish kot ose të presësh që jeta vetiu të bëhet më e bukur. Por, kur vë dhe arrin synime, ndihesh i kënaqur me arritjet e tua. Jo më kot apostulli Pavël, një i krishterë i shekullit të parë, njëherë tha: «Unë nuk vrapoj pa një synim.» (1 Korintasve 9:​26, Contemporary English Version) Dhe mos harro, sa më i madh të jetë synimi, aq më i kënaqur do të ndihesh kur ta arrish.

A je gati për të filluar? Prite dhe palose fletën në të djathtë dhe ndiq hapat e renditur. *

[Shënimi]

^ par. 11 Këto sugjerime janë për synime që mund t’i arrish brenda disa javëve ose muajve, por parimet zbatohen edhe për synime më afatgjata.

PËR TË MENDUAR

● A mund të ndodhë të kesh njëkohësisht më tepër synime se ç’duhet?​​Filipianëve 1:10.

● A nënkupton vënia e synimeve të planifikosh çdo minutë të jetës sate?​​Filipianëve 4:5.

[Kutia dhe figurat në faqet 25, 26]

Si t’i arrish synimet?

PËRCAKTO Proverbat 4:​25, 26 1

«Mos ki frikë të vësh synime të mëdha. Nëse të tjerët i kanë arritur, edhe ti mund t’ia dalësh.»​—Robena.

1. Mendo çfarë synimesh mund të vësh. Në këtë fazë zbavitu e mos e vrit shumë mendjen; vetëm hidh në letër sa më shumë ide. Përpiqu të gjesh të paktën 10 ose 20 synime të mundshme.

2. Shqyrto synimet që shkrove. Cilat të duken më emocionuese? Po më të vështira? Për cilat do të ishe më krenar po t’i arrije? Ki parasysh se synimet më të mira, janë ato që kanë më shumë rëndësi për ty.

3. Vendos përparësitë. Së pari zgjidh disa synime afatshkurtra që mund t’i arrish për pak ditë. Pastaj zgjidh disa synime afatgjata (që mund të arrihen brenda disa javëve ose muajve). Renditi synimet sipas radhës që dëshiron t’i arrish.

Ja disa synime

Miqësitë: Të zë një mik ose mikeshë që nuk i përket grup-moshës sime. Të rivendos një miqësi të vjetër.

Shëndeti: Të bëj fizkulturë, gjithsej 90 minuta në javë. Të fle tetë orë çdo natë.

Shkolla: Të përmirësoj notat në matematikë. Të përballoj presionet e atyre që më nxitin të kopjoj gjatë provimeve.

Marrëdhënia ime me Perëndinë: Të lexoj Biblën çdo ditë për 15 minuta. Të flas për bindjet e mia fetare me një shok klase këtë javë.

Planifiko Proverbat 21:5 2

«Synimet janë gjë e mirë, por duhet të planifikosh që t’i arrish. Përndryshe, do të mbeten synime dhe nuk do të bëhen kurrë arritje.»​—Deriku.

Për secilin nga synimet që ke zgjedhur, vepro si më poshtë:

1. Bëj një listë të synimeve.

2. Vendos një afat. Në fund të fundit, synimi pa një afat mbetet vetëm një ëndërr.

3. Planifiko hapat që duhet të marrësh.

4. Parashiko pengesat që mund të hasësh. Pastaj mendo si t’i kapërcesh.

5. Merr një zotim. Premtoji vetes se do të bësh çmos ta arrish këtë synim. Tani firmos dhe shëno datën.

Të mësoj spanjisht për udhëtimin në Spanjë. 1 korrik

Hapat

1. Të gjej një libër me shprehje.

2. Të mësoj dhjetë fjalë çdo javë.

3. Të dëgjoj të tjerë që flasin spanjisht.

4. T’i kërkoj dikujt që të më kontrollojë në gramatikë dhe në shqiptim.

Pengesa të mundshme

Asnjë që kam afër nuk flet spanjisht.

Si t’i kapërcej?

Të shkarkoj nga Interneti regjistrime audio në spanjisht nga adresa www.pr418.com.

․․․․․ ․․․․․

Firma Data

Vepro Gjoni 13:17 3

«Prirja për t’i zvarritur synimet është mjaft e fortë, prandaj duhet të jesh i përqendruar dhe të punosh vazhdimisht për t’i arritur.»​—Erika.

Fillo menjëherë. Pyet veten: «Çfarë mund të bëj sot si hap të parë drejt synimit?» Kuptohet, ndoshta jo çdo gjë do të shkojë pikë për pikë sipas planit, por mos lejo që kjo të të presë krahët. Siç thotë Bibla, «në qoftë se pret derisa era dhe moti të bëhen tamam të përshtatshëm, kurrë nuk do të mbjellësh, e as nuk do të korrësh gjë». (Eklisiastiu 11:​4, ECM) Shiko nëse mund të bësh sot diçka​—sado e vogël qoftë​—dhe bëje.

Hidhu një sy synimeve çdo ditë. Kujto pse është i rëndësishëm secili prej tyre. Shëno përparimin që ke bërë duke vënë një (ose datën e realizimit) përbri çdo hapi, ndërsa shkon drejt arritjes së synimit.

Ji elastik. Sado të mira qofshin planet që ke bërë, gjatë rrugës mund të lindë nevoja për t’i ndryshuar. Është normale. Kështu që mos u shqetëso nëse nuk mund t’i përmbahesh rreptësisht një plani. Vetëm vazhdo të përparosh drejt synimit përfundimtar.

Përdor imagjinatën. Shko me mendje përpara në kohë dhe imagjinoje veten sikur je duke e arritur synimin. Imagjino ndjesinë sikur ta kesh arritur synimin tashmë. Pastaj, kthehu prapa duke parë secilin hap që duhet të bësh për të arritur synimin. Së fundi, përfytyroje veten duke i përmbushur konkretisht hapat njëri pas tjetrit dhe imagjino sa mirë do të ndihesh kur ta arrish synimin tënd. Tani përvishju punës!

[Figura]

Synimet janë si një projekt në letër​—duhet punë për t’i bërë realitet

[Kutia dhe figurat në faqen 25]

JA Ç’THONË MOSHATARËT E TU 4

«Shkurajohesh kollaj kur nuk ke ku të përqendrohesh ose kur nuk ke asgjë që e pret me padurim. Por kur vë synime dhe i arrin, ndihesh mirë me veten.»​—Ridi.

«Mos ji i ashpër me veten nëse nuk e arrin synimin në mënyrë të përsosur ose nëse nuk e arrin brenda kohës që kishe planifikuar. Kjo nuk do të të ndihmojë. Thjesht vazhdo të përpiqesh!»​—Kori.

«Fol me ata që tashmë i kanë arritur ato synime që ke vënë edhe ti. Mund të të inkurajojnë dhe të të japin sugjerime praktike. Gjithashtu, fol edhe me familjen për synimet e tua, që edhe ata të të mbështetin.»​—Xhulia.

[Diagrami në faqen 24]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

Prite

Palose