Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Keni akoma një pikëpamje pozitive»

«Keni akoma një pikëpamje pozitive»

«Keni akoma një pikëpamje pozitive»

● Kamila vuan nga anemia, ka probleme neurologjike dhe probleme me rritjen. Si pasojë, në moshën 8-vjeçare, ishte vetëm 75 centimetra e gjatë. Prindërit e saj, që janë Dëshmitarë të Jehovait, vendosën ta çonin në një konferencë mjekësore që mbahej në një teatër në qytetin e tyre të lindjes, në Argjentinë. U ulën në rreshtin e dytë në një sallë me 500 të pranishëm.

Gjatë një leksioni, oratori, që ishte mjek, tregoi me gisht nga Kamila dhe e mori si shembull të dikujt që dukej se gëzonte shëndet të mirë. Pa e kuptuar moshën dhe gjendjen e saj shëndetësore, ai pyeti: «Sa vjeçe është fëmija?»

«Tetë vjeçe»,​—u përgjigj Marisa, mamaja e Kamilës.

«Tetë muajshe thatë?»​—pyeti mjeku.

«Jo, tetë vjeçe»,​—përsëriti Marisa.

I habitur, mjeku i ftoi nënë e bijë në podium që t’u bënte disa pyetje. Pasi Marisa foli për studimet që mjekët kishin bërë me Kamilën dhe mjekimet që kishin provuar, mjeku tha: «Ka nëna që qajnë me pikë të lotit kur fëmijët i zë një grip i lehtë. Por pas shtatë vjetësh mjekimi dhe pasi keni bërë çdo përpjekje të mundshme për Kamilën, keni akoma një pikëpamje pozitive. Si është e mundur?»

Në përgjigje të kësaj pyetjeje të sjellshme, Marisa foli para auditorit për shpresën e saj të bazuar në Bibël për një botë të drejtë ku të gjitha sëmundjet dhe vuajtjet, madje edhe vetë vdekja, do të zhduken. (Isaia 33:24; Zbulesa 21:​3, 4) Në fund, Marisa foli për vëllazërinë mbarëbotërore që gëzojnë Dëshmitarët e Jehovait dhe shpjegoi se si dashuria për njëri-tjetrin i ndihmon ata të përballojnë sprovat dhe vështirësitë që hasin në jetë.​—Gjoni 13:35.

Pasi mbaroi konferenca, një grua iu afrua Marisës dhe i kërkoi që t’i fliste më shumë për ato që kishte thënë më parë. E etur për të mësuar më shumë, ajo pranoi një studim biblik falas në shtëpi, të cilin Dëshmitarët e Jehovait ua ofrojnë në mbarë botën njerëzve që duan vërtet të mësojnë për Biblën dhe për qëllimin e mrekullueshëm të Perëndisë për njerëzimin.

[Figura në faqen 25]

Kamila 8-vjeçare me të ëmën, Marisën