Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
Nga 95,2 milionë tonë të kafshëve detare që zihen në rrjetë çdo vit, rreth 38,5 milionë shkojnë kot. «Për sa kohë që 40 për qind e asaj që nxjerrim nga deti konsiderohet si mbeturinë, rezervat e peshqve s’do të përtërihen»,—thotë Karolina Shakti, eksperte në industrinë e peshkimit të Fondit Botëror për Natyrën.—BERLINER MORGENPOST, GJERMANI.
«Lopët, delet dhe dhitë mund të duken si viktima të pafajshme të nevojës së njerëzve për mish, por . . . në mbarë botën, gromësirat e tyre janë përgjegjëse për 18 për qind të gazeve [kryesisht metanit], që shkaktojnë efektin serrë. Dhe kjo sasi është më e madhe se sasia e gazit që çlirojnë të gjitha format e transportit të marra së bashku.»—NEW SCIENTIST, BRITANI.
Superngjitës parahistorik
Duke punuar në Kuazulu-Natal, në Afrikën e Jugut, disa shkencëtarë zbuluan një ngjitës të fortë, i cili daton mijëra vjet më parë. «Ngjitësi . . . është po aq i mirë sa edhe ngjitësit që gjenden sot nëpër dyqanet me materiale ndërtimi»,—thotë gazeta The Star e Johanesburgut. Mendohet se gjuetarët e lashtë e përdornin për të ngjitur majat e shigjetave ose të heshtave me shufrat e tyre të drunjta. Përpjekjet e shkencëtarëve për të përsëritur formulën e lashtë—me okër të kuq, dhjamë kafshësh, rrëshirë akacieje dhe rërë—dhe për të gjetur temperaturën e duhur për të tharë ngjitësin pranë zjarrit, u ka ‘shtuar respektin’ për njerëzit e atëhershëm.
Më pak gjumë, më shumë grip
«Njerëzit që flenë më pak se shtatë orë çdo natë, janë afërsisht tri herë më të prirur të sëmuren me grip, sesa njerëzit që flenë mesatarisht tetë orë ose më shumë»,—thotë një raport i Universitetit të Karnegi-Mellënit, Pitsburg, Pensilvani, SHBA. Kurse ata që qëndrojnë zgjuar «sikur edhe 8 për qind të kohës që [janë në] shtrat, [janë] pesë herë e gjysmë më të prirur» të sëmuren me grip, se ata që bëjnë gjumë të thellë. «Edhe pse dihet mirë se gjumi ndikon në sistemin imunitar, kjo është prova e parë që tregon se edhe shqetësimet relativisht të vogla mund të ndikojnë në mënyrën si reagon trupi ndaj viruseve të gripit»,—tha Sheldën Koheni, drejtues i këtij studimi. «Kjo përbën një arsye tjetër pse njerëzit duhet të programojnë që të pushojnë plotësisht gjatë natës.»
Toka të reja bujqësore me bollëk
«Ka toka të mjaftueshme në botë për të prodhuar atë sasi ushqimi që nevojitet për të ushqyer popullsinë gjithnjë e në rritje,—shprehet revista New Scientist.—Dhe ndryshe nga ç’mendohet, pjesa më e madhe mund të prodhohet në Afrikë.» Revista citon një raport për bujqësinë, të botuar nga Organizata e Bashkëpunimit dhe e Zhvillimit Ekonomik dhe nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë. Sipas këtij raporti, sipërfaqja e tokës që përdoret për bujqësinë në të gjithë botën, mund të shtohet më shumë se dyfish. «Më shumë se gjysma e kësaj sipërfaqeje të mundshme gjendet në Afrikë dhe në Amerikën Latine»,—thotë raporti.