«U rrita si ateist»
«U rrita si ateist»
PROFESORI Frantishek Veskoshil i Universitetit të Çarlsit në Pragë, njihet në mbarë botën për studimet e tij në fushën e neurofiziologjisë. Më përpara ka qenë ateist, kurse tani ka besim të plotë te Perëndia. Në një intervistë të dhënë për revistën Zgjohuni!, profesor Veskoshili shpjegon se përse ndryshoi mendje.
Ç’pikëpamje kishe për fenë para se të filloje karrierën në fushën e shkencës?
U rrita si ateist dhe babai im shpesh tallej me klerin. U diplomova në vitin 1963 me grada shkencore në biologji dhe kimi. Gjatë viteve të shkollës, besoja se teoria e evolucionit ishte shpjegimi për shumëllojshmërinë e gjallesave.
Na tregoni pak për karrierën tuaj në shkencë.
Gjatë punës sime pas doktoraturës, studiova vetitë kimike dhe elektrike të sinapseve nervore. Gjithashtu, studiova neuronet, pompat e membranave qelizore, transplantimin e indeve dhe pakësimin e reagimeve negative të trupit ndaj disa substancave. Shumë prej rezultateve janë botuar dhe disa artikuj janë zgjedhur si vepra referimi. Me kalimin e kohës, u bëra pjesëtar i Shoqërisë së Shkolluar të Republikës Çeke, një grup shkencëtarësh të zgjedhur nga kolegët e tyre. Pas Revolucionit të Kadifenjtë në nëntor-dhjetor të vitit 1989, u bëra profesor në Universitetin e Çarlsit dhe kisha mundësinë të udhëtoja në vendet e Perëndimit për t’u takuar me kolegë të mi, disa prej të cilëve kishin marrë çmimin Nobel.
A mendoje ndonjëherë për Perëndinë?
Në njëfarë mënyre, po. Ndonjëherë mendoja përse disa njerëz mjaft të shkolluar, përfshirë disa nga profesorët e mi, kishin besim te Perëndia, megjithëse nuk e shprehnin hapur për shkak të regjimit komunist. Megjithatë, për mua Perëndia ishte një sajim njerëzor. Madje xhindosesha kur mendoja për mizoritë që bëheshin në emër të fesë.
Si ndodhi që ndryshove mendim për evolucionin?
Dyshimet e para për evolucionin më erdhën kur po studioja sinapset. Më bëri shumë përshtypje kompleksiteti i mahnitshëm i këtyre lidhjeve gjoja të thjeshta të qelizave nervore. Pyesja veten: «Si mund të jenë pjellë e rastësisë së verbër sinapset dhe programet gjenetike që i drejtojnë ato?» Nuk kishte fare kuptim.
Pastaj, në fillim të viteve 70, ndoqa një leksion të një shkencëtari dhe profesori të famshëm rus. Ai pohoi se gjallesat nuk mund të jenë rezultat i mutacioneve të rastësishme dhe i seleksionimit natyror. Dikush nga auditori pyeti se ku bazohej për këtë. Profesori nxori nga xhaketa një Bibël të vogël në rusisht, e ngriti lart dhe tha: «Lexo Biblën, sidomos tregimin e krijimit te Zanafilla.»
Më vonë, në sallën e pritjes e pyeta profesorin nëse e kishte seriozisht për punën e Biblës. Me pak fjalë, ai u përgjigj: «Bakteret e thjeshta mund të ndahen çdo 20 minuta dhe kanë qindra e qindra proteina të ndryshme, çdonjëra prej të cilave përmban 20 lloje aminoacidesh të organizuara në zinxhirë që mund të përbëhen nga disa qindra aminoacide. Që bakteret të evoluojnë me anë të mutacioneve të njëpasnjëshme e të dobishme, do të duheshin shumë më tepër se tre a katër miliardë vjet, kohë që mjaft shkencëtarë besojnë se jeta ka ekzistuar në tokë.» Ai mendonte se libri biblik i Zanafillës ishte më i logjikshëm.
Si ndikuan te ti këto fjalë të profesorit?
Vrojtimet e tij dhe dyshimet që më mundonin, më shtynë të diskutoja për këtë gjë me disa miq dhe kolegë fetarë, por pikëpamjet e tyre nuk m’u dukën bindëse. Pastaj fola me një farmakolog, që ishte Dëshmitar i Jehovait. Për tre vjet, ai më shpjegoi Biblën mua dhe gruas sime, Emës. Dy gjëra na mahnitën. E para ishte që «krishterimi» tradicional nuk ka shumë të përbashkëta me Biblën. E dyta, Bibla, megjithëse nuk është libër shkencor, në të vërtetë është në harmoni me shkencën e vërtetë.
A të ka penguar ky ndryshim pikëpamjesh për kërkimet shkencore?
Aspak. Çdo shkencëtar i mirë, pavarësisht nga bindjet e tij, duhet të jetë sa më objektiv. Besimi që kam tani, nuk ka ndryshuar punën time, por më ka ndryshuar mua. Së pari, nuk kam më besim të tepërt te vetja, nuk jam më një njeri tepër konkurrues dhe tepër krenar për aftësitë e mia shkencore, por i jam mirënjohës Perëndisë për çdo aftësi që mund të kem. Gjithashtu, në vend që t’ia jap meritën pa të drejtë rastësisë së verbër për projektet e mahnitshme që shoh në natyrë, unë dhe jo pak shkencëtarë të tjerë pyesim veten: «Si e ka projektuar Perëndia këtë?»
[Diçitura në faqen 9]
Unë dhe jo pak shkencëtarë të tjerë pyesim veten: «Si e ka projektuar Perëndia këtë?»