Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Priten të tjera tërmete të mëdha

Priten të tjera tërmete të mëdha

Priten të tjera tërmete të mëdha

QË KUR janë shpikur aparaturat që mund të matin intensitetin e tërmeteve, shkencëtarët kanë regjistruar qindra tërmete të mëdha. Ato që bien larg vendeve të banuara, nuk përbëjnë ndonjë problem të madh dhe bëhen pak ose aspak objekt i mediave. Por, dëmet mund të jenë të mëdha kur tërmeti godet një qytet të madh. Ndërsa humbjet në njerëz dhe prona varen nga numri dhe parapërgatitja e popullsisë.

Më 12 janar 2010, Haiti përjetoi një nga tërmetet më të pamëshirshme në historinë njerëzore për sa i përket numrit të të vdekurve dhe humbjes së pronave. Por ky nuk ka qenë as tërmeti i parë i madh e as i fundit këtë vit. Më poshtë, renditen disa nga tërmetet e muajve të parë të 2010-ës që ishin po aq të fuqishëm ose më të fuqishëm se ai që rrënoi kryeqytetin e Haitit.

3 janar, 7,1 ballë, Ishujt Solomon

Ky tërmet i fortë, i cili në fillim ishte më shumë se 7,1 ballë, shkaktoi një tsunam «që ngriti një mur uji prej 2-3 metrash». Një zyrtar për rastet e katastrofave, Loti Jeitsi, shpjegoi se sipër nga avioni shihej «përmbytja totale» e një fshati. Siç tregon ai, në fshatin e Bainaras në ishullin Rendova, 16 shtëpi u shkatërruan dhe dhjetëra të tjera u dëmtuan.

Para këtij tërmeti pati një lëkundje prej 6,6 ballësh. Shumë prej banorëve u alarmuan nga kjo lëkundje dhe ia mbathën në kodra. Kjo doli një mbrojtje për ta kur brigjet e tyre u goditën nga tsunami që u shkaktua nga një tërmet më i fortë dy orë më vonë.

26 shkurt, 7 ballë, Ishujt Rjukju, Japoni

Ky tërmet ra në orën 5.31 të mëngjesit sipas orës lokale dhe vatra e tij ishte 80 km nga qyteti Naha, Okinavë, në një prej Ishujve Rjukju të Japonisë. U dhanë paralajmërime për një tsunam, por më vonë u anuluan. Një grua që kishte jetuar në Okinavë për më shumë se 90 vjet, tha se ishte tërmeti më i fortë që kishte përjetuar ndonjëherë.

27 shkurt, 8,8 ballë, Kili

Ky ishte i pesti nga tërmetet më të forta që nga viti 1900. Më i fuqishmi kishte rënë po në Kili në vitin 1960, një lëkundje që kishte arritur në 9,4 ballë. Ky tërmet dhe lëkundja 7,7 ballë që shkatërroi kryeqytetin e Kilit në vitin 1985, e shtynë këtë vend të impononte rregulla të rrepta ndërtimi.

Si rezultat, pak ndërtesa në Santiago dhe në qytete të tjera që u përfshinë nga tërmeti i këtij viti, u shembën. Megjithatë, mijëra e mijëra njerëz u plagosën dhe humbën pronat e zotërimet e tyre. Besohet të kenë vdekur 500 veta dhe pothuajse gjysma e tyre vdiqën nga tsunami përgjatë bregut të Kilit.

4 prill, 7,2 ballë, Gadishulli i Kalifornisë, Meksikë

Epiqendra e tij ishte 18 km nga Guadalupe-Viktoria, Meksikë, dhe 47 km nga Meksikali. Kjo është një zonë e largët dhe kryesisht e pabanuar. Por, një lëkundje e fortë u ndie në mjaft qytete të mëdha e të vogla të Meksikës dhe në jug të Shteteve të Bashkuara.

9 maj, 7,2 ballë, veriu i Sumatrës, Indonezi

Ky tërmet i nënujshëm ndodhi aty nga dreka rreth 217 kilometra larg qytetit Banda-Açi, që ndodhet në skajin verior të Indonezisë. Shumë banorë dolën nga shtëpia dhe për ca kohë kishin frikë të hynin brenda. Megjithatë, nuk janë raportuar pasoja tragjike.

Priten të tjera

Duke pasur parasysh historinë e gjatë të tërmeteve të mëdha që kanë tundur planetin, është me vend të themi se në vitet e ardhshme priten të tjera akoma. Instituti i Studimeve Gjeologjike, SHBA, e thotë hapur: «Tërmete të mëdha do të vazhdojnë të bien, ashtu si edhe në të shkuarën.»

Është interesante që në kryeartikullin e një gazete thuhej: «Tërmetet e fundit . . . janë përtej mundësive njerëzore për të zhdëmtuar dhe vetëm na kujtojnë edhe një herë kufizimet e njeriut. Kjo nuk do të thotë se nuk duhet të veprojmë atëherë kur mundemi . . . , por se në të ardhmen duhet të presim katastrofa natyrore të mëdha që janë përtej mundësive tona.»

Ata që e studiojnë Biblën me seriozitet, nuk mund të rrinë pa menduar për profecitë e saj ku përmenden konkretisht tërmetet si pjesë e shenjës së përbërë të ditëve të fundit të këtij sistemi.​—Mateu 24:3, 7; Marku 13:8; Luka 21:11.

[Harta në faqet 20, 21]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

Disa nga tërmetet prej 7 ballësh a më shumë që kanë rënë nga janari deri në maj

Meksikë

Haiti

Kili

Japoni

Indonezi

Ishujt Solomon