Tërmeti në Haiti—Besimi e dashuria në veprim
Tërmeti në Haiti—Besimi e dashuria në veprim
Të martën më 12 janar 2010, në orën 4.53 të pasdites, Evelina dëgjoi një gjëmim si zhurma e një aeroplani të madh në ngritje dhe toka filloi të dridhej. Jo shumë larg saj shtyllat e betonit u krisën gjithë zhurmë dhe ndërtesat u shembën. Kur lëkundjet pushuan, ajo u ngjit në një vend më të lartë dhe pa gjithë ç’po ndodhte. Gjithandej dëgjonte njerëz që ulërinin. Nga kryeqyteti i Haitit, Port-o-Prensi u ngrit një shtëllungë pluhuri betoni.
NË PAK sekonda, shtëpitë, ndërtesat qeveritare, bankat, spitalet dhe shkollat u shembën. Njerëz të të gjitha shtresave vdiqën—më shumë se 220.000 veta. Rreth 300.000 të tjerë u plagosën.
Shumë të mbijetuar ishin si të mpirë dhe qëndronin pa fjalë pranë rrënojave të shtëpive të tyre. Të tjerë gërmonin me duar si të çmendur nëpër rrënoja për të shpëtuar të afërmit dhe fqinjët. Rryma elektrike u ndërpre dhe shumë shpejt pllakosi errësira, kështu që skuadrat e shpëtimit ishin të detyruara të punonin me elektrikë dore dhe nën dritën e qirinjve.
Në qytetin e Zhakmelit, Ralfendi 11-vjeçar ishte bllokuar nën një ndërtesë të shembur pjesërisht. Për orë të tëra, një skuadër shpëtimi e qytetit u bë copash për ta shpëtuar. Nga lëkundjet e vazhdueshme u detyruan ta ndërpritnin kërkimin, pasi kishin frikë se mos katet e krisura sipër tyre i zinin poshtë. Filipi, një misionar i Dëshmitarëve të Jehovait, që nuk pranoi të dorëzohej, shpjegon: «Nuk mund ta lija Ralfendin të vdiste.»
Filipi dhe tre të tjerë, çanë përmes një tuneli tepër të ngushtë nën rrënojat e ndërtesës duke iu afruar shumë ngadalë dhe me kujdes të madh Ralfendit, i cili i kishte këmbët të bllokuara. Filluan në mesnatë duke hequr me kujdes copërat e ndërtesës. Pas çdo lëkundjeje, betoni sipër tyre lëvizte dhe krisej. Në 5.00 të mëngjesit, më shumë se 12 orë që nga rënia e tërmetit, arritën ta shpëtonin Ralfendin.
Mjerisht, jo të gjitha përpjekjet përfundonin me sukses. Në qytetin e goditur keqas të Leoganës, Roxheri dhe djali i madh, Klidi, i shpëtuan shembjes së shtëpisë. Djali i tij i vogël, Klaransi, vdiq. Kurse gruaja e Roxherit, Klana, ishte ende gjallë dhe mund të fliste, por i kishte ngecur koka nën tavanin e shembur. Roxheri dhe një mik i tij u përpoqën fort ta nxirrnin prej aty. «Nxitoni,—i nxiste ajo që poshtë rrënojave.—Po më bie të fikët. Nuk po marr dot frymë.» Tri orë më vonë, erdhi një skuadër shpëtimi. Por kur e nxorën, kishte vdekur.
E mërkurë, 13 janar, dita e 2-të
Drita e agimit zbuloi shkallën e shkatërrimit. Pjesa më e madhe e Port-o-Prensit ishte rrënuar. Kur lajmi i tërmetit arriti në vendet e tjera, organizatat e ndihmës në rast katastrofash
dhe shumë individë altruistë nga e gjithë bota, u mobilizuan për të ndihmuar. Edhe vullnetarët në zyrën e Dëshmitarëve të Jehovait në Republikën Domenikane, rreth 300 km larg me makinë, e kishin ndier tërmetin. Sapo morën vesh se epiqendra kishte qenë në afërsi të Port-o-Prensit, një qytet me popullsi të dendur, ku banonin gati një e treta e popullsisë së Haitit prej nëntë milionësh, Dëshmitarët domenikanë filluan menjëherë të planifikonin për të dhënë ndihmën e tyre.Kishin kaluar 150 vjet nga një tjetër tërmet i madh që kishte rënë në Haiti. Prandaj në përgjithësi nuk bëheshin më ndërtesa që përballonin tërmetet, por ndërtesa që u rezistonin uraganeve dhe përmbytjeve. Ja përse shumica e mureve dhe e çative prej betoni, nuk e përballuan dot lëkundjen 7 ballë sipas shkallës Rihter. Megjithatë, zyra e Dëshmitarëve të Jehovait në Haiti, që përfundoi në vitin 1987, ishte ndërtuar sipas standardeve të pranueshme sizmike. Megjithëse ndodhet afër skajit lindor të Port-o-Prensit, nuk u dëmtua pothuajse fare.
Brenda natës, zyra e Haitit u kthye në një qendër ndihmash që vlonte nga puna. Ngaqë linjat telefonike dhe komunikimi nëpërmjet Internetit nuk funksiononin mirë, pjesëtarët e kësaj zyre shkonin në kufirin e Republikës Domenikane dy herë në ditë për të raportuar. Ndërkohë, qindra viktima, shumë të plagosur rëndë, po hynin në pronën e zyrës së Haitit. Shumë të tjerë u çuan në ato pak spitale të zonës në gjendje pune, të cilat u mbushën shumë shpejt.
Kudo në spitale shihje përtokë të plagosur, që ishin të gjakosur dhe që rënkonin. Midis tyre ishte edhe Marla, që kishte qenë poshtë rrënojave të një ndërtese për tetë orë. As i ndiente e as i lëvizte dot këmbët. Fqinjët e kishin nxjerrë nga rrënojat dhe e kishin çuar në spital. Por në cilin spital? Evani, një mjek Dëshmitar që kishte ardhur më parë nga Republika Domenikane, nisi ta kërkonte duke ditur vetëm emrin e saj.
Në këtë kohë, kishin kaluar më tepër se 24 orë që nga tërmeti dhe kishte rënë përsëri
nata. Duke kapërcyer kufomat jashtë spitalit, Evani lutej në heshtje dhe thërriste Marlën pa pushim. Më në fund, dëgjoi dikë që u përgjigj: «Po!» Marla po shihte nga ai me një buzëqeshje rrëzëllitëse. I habitur, Evani e pyeti: «Pse po qesh?» Ajo u përgjigj: «Sepse tani jam me vëllanë tim frymor.» Evani nuk mundi t’i mbante lotët.E enjte, 14 janar, dita e 3-të
Selia botërore e Dëshmitarëve të Jehovait, që ndodhet në Shtetet e Bashkuara—bashkë me degët e Kanadasë, të Republikës Domenikane, Francës, Gjermanisë, Guadelupës, Martinikës dhe degë të tjera—bashkërenduan ndihmën e tyre që të përdornin sa më mirë gjërat, mjetet e transportit e të komunikimit, fondet dhe forcat punëtore që ishin në dispozicion. Gjithsej 78 Dëshmitarë të Jehovait, profesionistë në fushën mjekësore, erdhën për të ndihmuar bashkë me shumë vullnetarë të tjerë. Kamioni i parë me ndihma u nis për në Haiti në orën 2.30 të mëngjesit nga zyra e degës në Republikën Domenikane, i ngarkuar me rreth 6.804 kg ushqime, ujë, ilaçe dhe gjëra të tjera.
Kur mbërritën në mëngjes vonë, skuadra në zyrën e degës së Haitit filloi të organizonte shpërndarjen e ndihmave. Që të mos binin në sy të hajdutëve që vidhnin ushqimet për t’i shitur, ata i maskonin ndihmat. Vullnetarët punonin natë e ditë duke i paketuar përsëri ushqimet dhe ndihmat e tjera në pako më të vogla për familje dhe individë. Gjatë muajve pasardhës, Dëshmitarët e Jehovait shpërndanë falas mbi 450.000 kg ndihma të dhuruara dhe përgatitën 400.000 vakte.
E premte, 15 janar, dita e 4-t
Aty nga mesdita, kishin mbërritur në Haiti 19 Dëshmitarë mjekë, infermierë dhe punonjës të tjerë të fushës së mjekësisë nga Republika Domenikane dhe Guadelupa. Pa vonuar, ngritën një klinikë të ndihmës së shpejtë. Aty u mjekuan edhe një mori fëmijësh të plagosur të një jetimoreje. Përveç kësaj, ky personel i siguroi jetimores ushqim dhe mushama për t’u strehuar. «U jam shumë mirënjohës Dëshmitarëve të Jehovait,—thotë Etieni, drejtori i jetimores.—Nuk e di çfarë do të kishim bërë pa ata.»
Gjendet vajza e humbur
Kur ra tërmeti, Islanda 7-vjeçare pa jashtë shtëpisë telat elektrikë që bënë masë dhe shkaktuan një dush shkëndijash. Brenda, muret u harkuan dhe blloqet ranë poshtë duke i thyer këmbën dhe duke e plagosur rëndë. Pasi e nxorën nga rrënojat, i ati, Xhoni, e çoi Islandën në një spital përtej kufirit, në Republikën Domenikane. Pastaj e çuan në rrugë ajrore në një spital në kryeqytet, në Santo-Domingo. Por kur Xhoni mori më vonë spitalin në telefon, Islanda nuk gjendej.
E kërkoi gjithandej për dy ditë rresht, por nuk e gjeti. E kishin çuar në një spital tjetër. Atje një vullnetare e spitalit e dëgjoi kur ajo po i lutej Jehovait. (Psalmi 83:18) «E do Jehovain ti?»—e pyeti kjo vullnetare. «Po»,—iu përgjigj Islanda duke qarë. «Atëherë mos u shqetëso,—e siguroi ajo.—Jehovai do të të ndihmojë.»
Për të gjetur Islandën, Xhoni i kërkoi ndihmë zyrës së Dëshmitarëve të Jehovait në Republikën Domenikane. Melania, një Dëshmitare, u ofrua që ta kërkonte. Kur po pyeste te një spital,
vullnetares që e kishte dëgjuar Islandën të lutej, i kapi veshi bisedën e Melanisë dhe bëri me gisht nga vajza e vogël. Jo shumë kohë më pas, Islanda u bashkua me familjen.Operacionet dhe rehabilitimi
Shumë nga të plagosurit kishin marrë pak ose aspak ndihmë mjekësore para se të mbërrinin në klinikën e ngritur në zyrën e Dëshmitarëve në Haiti dhe gjymtyrët e plagosura u ishin gangrenizuar. Në të shumtën e rasteve, vetëm prerja e gjymtyrës mund t’ua shpëtonte jetën. Ditët e para pas tërmetit, pajisjet kirurgjikale, ilaçet e madje edhe anestetikët ishin me pakicë. Situata ishte mjaft stresuese edhe për mjekët. Njëri prej tyre tha: «Kam parë e dëgjuar gjëra që do të doja që Perëndia të m’i fshinte nga kujtesa.»
Javën e dytë pas tërmetit, filluan të vinin nga Evropa mjekë Dëshmitarë që kishin përvojën dhe pajisjet e duhura për të bërë operacione të vështira dhe urgjente. Skuadra mjekësore bëri 53 operacione dhe mijëra trajtime të tjera. Uidelina, një Dëshmitare 23-vjeçare, kishte ardhur në Port-o-Prens një ditë para tërmetit. Kur ra tërmeti, krahu i djathtë i ishte dërrmuar, kështu që u desh t’ia pritnin në një spital të vendit. Të afërmit e çuan më vonë në një spital afër shtëpisë së tyre në Port-dë-Pei, shtatë orë larg. Por gjendja e saj u keqësua dhe mjekët e spitalit nuk i dhanë shpresë.
Kur dëgjuan për gjendjen e saj, një skuadër mjekësh Dëshmitarë udhëtuan nga Port-o-Prensi për ta kuruar Uidelinën dhe për ta marrë me vete që ta mbanin nën kujdes. Pacientët e tjerë duartrokitën kur panë që vëllezërit e saj në besim kishin ardhur për të. Me ndihmën e familjes dhe të kongregacionit, Uidelina tani po përshtatet mirë me rrethanat e reja.
Në Republikën Domenikane, Dëshmitarët e Jehovait morën me qira shtëpi që t’i kthenin në qendra rehabilitimi për pacientët që dërgoheshin atje. Në këto qendra punonin me turne disa skuadra të vullnetarëve Dëshmitarë—mjekë, infermierë, fizio-terapistë dhe të tjerë. Të qeshur, kujdeseshin për pacientët ndërsa shëroheshin.
Ndajnë me të tjerët besimin, shpresën dhe dashurinë e tyre
Vetëm 6 nga 56 Sallat e Mbretërisë të Dëshmitarëve të Jehovait në zonën e tërmetit në Haiti, pësuan dëme serioze. Shumica e Dëshmitarëve që kishin mbetur të pastrehë nga tërmeti, qëndruan në sallat e padëmtuara ose në vende të hapura. Dëshmitarët, që tashmë janë mësuar të mblidhen së bashku, u organizuan ashtu siç do të organizoheshin për një nga kongreset ose asambletë e tyre të zakonshme.
«Mbajtëm rutinën e zakonshme të programeve frymore të kongregacionit,—shpjegoi Zhan-Klodi, një mbikëqyrës vendës i Dëshmitarëve të Jehovait,—duke siguruar kështu një element të rëndësishëm stabiliteti si për të rinjtë edhe për të moshuarit.» Si ndikoi kjo? «Jam kaq i kënaqur që i shoh ende Dëshmitarët e
Jehovait duke predikuar,—tha një burrë.—Nëse nuk do t’ju shihnim juve, do të kishim ndjesinë sikur gjërat janë edhe më keq.»Dëshmitarët u sollën ngushëllim njerëzve. «Pothuajse të gjithë ata që takojmë, besojnë se tërmeti ishte ndëshkim nga Perëndia,—shpjegoi një Dëshmitar.—Ne i sigurojmë se tërmeti ishte një katastrofë natyrore dhe jo vepër e Perëndisë. U lexojmë Zanafillën 18:25. Aty Abrahami thotë se as që mund të mendohet që Perëndia të shkatërrojë njerëzit e mirë bashkë me të këqijtë. U lexojmë edhe Lukën 21:11. Aty Jezui parathotë se në këto kohë do të kishte tërmete të mëdha dhe ne u shpjegojmë se së shpejti ai do të ringjallë të afërmit e vdekur e do t’u japë fund gjithë vuajtjeve. Shumë njerëz shprehin mirënjohje të thellë për këtë njohuri.» *
Megjithatë, problemet vazhdojnë. «Tërmeti ishte fillimi i problemeve. Tani duhet të merremi me pasojat e tij,—tha Zhan-Emanueli, një mjek Dëshmitar.—Përveç frikës se mos shpërthejnë sëmundje të shumëllojshme në kampet e tejmbushura, johigjienike dhe të qullura nga shiu, është edhe trauma emocionale që e kanë mbajtur përbrenda e që nuk është shuar ende.»
Javë pas tërmetit, në klinikë erdhi një Dëshmitar që ankohej për dhembje koke të vazhdueshme dhe pagjumësi, simptoma të zakonshme pas katastrofave. «Të ka rënë gjë në kokë?»—e pyeti një infermiere Dëshmitare. «Jo,—u përgjigj ai me stoicizëm.—Gruaja më vdiq. Ishim të martuar prej 17 vjetësh. Po ne i presim këto gjëra. Jezui tha se do të ndodhnin.»
Kur kuptoi se cila mund të ishte rrënja e problemit, infermierja i tha: «Po ti paske humbur shoqen e jetës. Kjo është e tmerrshme. Nuk ka problem, mund të pikëllohesh, mund të qash. Jezui qau kur i vdiq miku i tij, Lazari.» Sakaq, burri i pikëlluar shpërtheu në lot.
Nga më shumë se 10.000 Dëshmitarët në këtë zonë, nga tërmeti vdiqën 154 prej tyre. Sipas llogaritjeve, mbi 92 për qind e banorëve të Port-o-Prensit kanë humbur një a më shumë të afërm nga kjo katastrofë. Për t’u lehtësuar pikëllimin, Dëshmitarët e Jehovait u kanë shkuar shpesh për vizitë atyre që kanë pësuar dëme fizike dhe emocionale, duke u dhënë mundësinë t’i hapin zemrën dikujt që mund t’i besojnë. Edhe Dëshmitarët e pikëlluar, që tashmë e dinin premtimin e Biblës për ringjalljen dhe tokën parajsore, prapëseprapë kishin nevojë të hapeshin me të bashkëkrishterë që i kuptonin dhe të dëgjonin fjalë të ndiera inkurajuese.
Përballojnë të tashmen dhe shohin pa frikë nga e ardhmja
Apostulli Pavël shkroi: «Mbeten këto të tria: besimi, shpresa dhe dashuria, por më e madhja nga këto është dashuria.» (1 Korintasve 13:13) Këto cilësi po ndihmojnë mjaft Dëshmitarë haitianë të përballojnë rrethanat e tanishme, të inkurajojnë të tjerët dhe të shohin nga e ardhmja pa frikë. Pas gjithë ndihmës ndërkombëtare që vazhdon të jepet, qëndron besimi i vërtetë, uniteti dhe përzemërsia. «Nuk kam parë kurrë një vërshim dashurie si kjo,—tha Petra, një mjeke Dëshmitare që erdhi nga Gjermania për të ndihmuar.—Kam qarë kaq shumë, por më shumë nga gëzimi sesa nga hidhërimi.»
Gazeta The Wall Street Journal e cilësoi tërmetin e 2010-ës në Haiti si «katastrofën natyrore më shkatërrimtare që ka pësuar një vend i vetëm, duke e parë në disa aspekte». Megjithatë, që nga ky tërmet, bota ka parë edhe katastrofa të tjera tragjike, qoftë natyrore, qoftë të shkaktuara nga njeriu. A do t’u vijë ndonjëherë fundi? Dëshmitarët e Jehovait në Haiti dhe anembanë botës, kanë besim se shumë shpejt do të vijë dita kur Perëndia do të përmbushë këtë premtim të Biblës: «Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme shkuan.»—Zbulesa 21:4.
[Shënimi]
^ par. 31 Shih kapitullin 11 me titull «Pse i lejon Perëndia vuajtjet?» në librin Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Diçitura në faqen 15]
«Nuk mund ta lija Ralfendin të vdiste»
[Diçitura në faqen 19]
«Jam kaq i kënaqur që i shoh ende Dëshmitarët e Jehovait duke predikuar»
[Kutia dhe figurat në faqen 17]
NDËRTOJNË SHTËPI PËR VIKTIMAT
Pa kaluar një muaj nga rënia e tërmetit, disa inxhinierë Dëshmitarë të Jehovait filluan të verifikonin se cilat shtëpi ishin të sigurta që familjet të futeshin përsëri për të jetuar. Shumë nga ata që humbën shtëpitë, kishin nevojë për strehim të përkohshëm derisa të mund të kishin një shtëpi të tyren.
«Duke u bazuar në përvojën e organizatave ndërkombëtare për rastet e katastrofave, projektuam një lloj shtëpie jo të kushtueshme, të lehtë për t’u ndërtuar dhe pak a shumë në madhësinë e shtëpive që kishin pasur shumica pse tyre,—shpjegon Xhoni, një pjesëtar i zyrës së degës në Haiti.—Ajo është një mbrojtje e mirë nga shiu e era dhe nuk rrezikon të shembet nëse ka lëkundje të tjera.» Vetëm tri javë pas tërmetit, një skuadër e përbërë nga haitianë dhe vullnetarë ndërkombëtarë, filluan të ndërtonin shtëpi të përkohshme.
Njerëzit në rrugë gëzonin kur kalonin kamionët me pjesët e parafabrikuara të këtyre shtëpive. Një punonjës haitian i doganës, tha ndërsa jepte miratimin për importimin e materialeve të ndërtimit: «Dëshmitarët e Jehovait ishin ndër të parët që kaluan kufirin për të ndihmuar. Nuk kanë vetëm fjalë, por edhe vepra.» Në muajt e parë pas tërmetit, Dëshmitarët arritën të ndërtonin 1.500 shtëpi për ata që kishin mbetur të pastrehë.
[Harta në faqen 14]
(Për tekstin e faqosur, shih botimin)
HAITI
PORT-O-PRENS
Leoganë
Epiqendra
Zhakmel
REPUBLIKA DOMENIKANE
[Figura në faqen 16]
Marla
[Figura në faqen 16]
Islanda
[Figura në faqen 16]
Uidelina
[Figura në faqen 18]
Një grup Dëshmitarësh të Jehovait në Haiti që shkojnë për të ngushëlluar viktimat e katastrofës
[Figura në faqen 18]
Një mjek duke mjekuar një djalë në klinikën e ngritur nga Dëshmitarët e Jehovait