Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Çdo mjek në Tanzani ka vizituar mesatarisht 64.000 njerëz.​—THE CITIZEN, TANZANI.

Ka të paktën 1 miliard njerëz të varfër që vuajnë nga kequshqyerja kronike dhe Objektivi i Mileniumit për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara për të pakësuar ndjeshëm numrin e të uriturve në botë deri në vitin 2015, nuk do të arrihet.’​—SCIENCE, SHBA.

«100 kompanitë më të mëdha të prodhimit të armëve në botë», patën një fitim prej 385 miliardë dollarësh nga shitjet e vitit 2008, një rritje prej 39 miliardë dollarësh në krahasim me vitin 2007.​—INSTITUTI KËRKIMOR PËR PAQEN NDËRKOMBËTARE I STOKHOLMIT, SUEDI.

Shumë pak mikrobe?!

«Kërkimet tona tregojnë se ambiente tepër të pastra dhe tepër higjienike në vogëli, shkaktojnë nivele më të larta inflamacioni te një njeri kur rritet, dhe kjo nga ana tjetër rrit rrezikun për t’u prekur nga një sërë sëmundjesh»,—thotë Tomas Mek Deidi, docent në Universitetin e Northuesternit, Ilinois, SHBA. Në një studim ku krahasoheshin fëmijët filipinas me ata amerikanë, u zbulua se në përgjithësi, filipinasit vuanin më shumë nga sëmundjet infektive kur ishin të vegjël. Megjithatë, ndryshe nga ç’pritej, adoleshentët filipinas kishin nivele më të ulëta të proteinës C-reaktive në gjak, përqendrimi i së cilës rritet në rast inflamacioni. Çfarë mund të themi në përfundim? Sa më shumë që fëmijët të bien në kontakt me bakteret e zakonshme, aq më të mbrojtur do të jenë nga sëmundjet vdekjeprurëse kur të rriten.

Nuk ka më etikë në punë

Shumë punëdhënës finlandezë janë të pështjelluar nga brezi i ri i kandidatëve për punë, që duket se nuk dinë asgjë për parimet shoqërore që u duhen për të mbajtur punën. «Të punësuarit mendojnë se mund t’i ndryshojnë oraret e punës dhe të vijnë e të ikin kur u pëlqen»,—tha Ana Mikola, pronarja e një restoranti, në një intervistë të bërë nga një korporatë finlandeze e shërbimit kombëtar radioteleviziv. Edhe rregullat e mirësjelljes dhe të veshjes përbëjnë një problem. Veçanërisht në sektorin e shërbimeve, punëdhënësve shpesh u duhet t’u tregojnë atyre cilat veshje janë të papërshtatshme. Që kufiri mes punës dhe jetës private nuk është shumë i qartë, dallohet fare mirë edhe kur miqtë e të punësuarve vijnë në vendin e punës thjesht për vizitë.

«Zgjidhet» mosmarrëveshja territoriale

Mosmarrëveshja territoriale që vazhdonte prej shumë kohësh mes Bangladeshit dhe Indisë për një ishull të vogël në gjirin e Bengalit, u zgjidh nga rritja e nivelit të detit. Territori i pabanuar, që njihet nga indianët si ishulli i Nju-Morit dhe nga banorët e Bangladeshit si ishulli i Talpatit Jugor, kurrë nuk ka pasur një lartësi më të madhe se 1,9 metra mbi nivelin e detit. Gjithsesi, pamjet satelitore tregojnë se kohët e fundit ishulli është mbuluar nga deti. «Atë që këto shtete nuk e kanë zgjidhur dot edhe pas vite të tëra bisedimesh, e ka zgjidhur ngrohja globale»,—thotë profesor Shugata Hazra, pranë Universitetit të Studimeve Oqeanografike të Jadavpurit në Kalkutë.