Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse prindërit s’më lënë të dal për qejf?

Pse prindërit s’më lënë të dal për qejf?

Të rinjtë pyesin

Pse prindërit s’më lënë të dal për qejf?

Për Alisonën, * një adoleshente në Australi, të hënave në mëngjes në shkollë përsëritet e njëjta histori stresuese.

«Gjithë bisedat vërtiten rreth fundjavës,—thotë ajo.—Tregojnë histori fantastike—jo po në sa festa shkuan, me sa çuna u puthën, madje edhe si ia mbathën që të mos i kapte policia . . . Të futet frika, por ama sa qejf që bëjnë! Kthehen në shtëpi në pesë të mëngjesit dhe prindërve as që u bëhet vonë. Kurse unë duhet të jem në krevat para se të nisë jeta e natës për to.

Nejse, pasi më tregojnë bëmat e fundjavës, më pyesin ç’bëra unë. E pra, çfarë bëra?! Thjesht shkova në mbledhje, dola në shërbim. Më duket sikur kam humbur goxha. Prandaj, zakonisht u them se s’kam bërë gjë hiç. Atëherë më pyesin pse nuk dola me to.

Se mos e kam më të lehtë kur ikën e hëna?! Aspak. Që të martën, të gjithë flasin për fundjavën që i pret. Zakonisht vetëm rri e i dëgjoj. Ndihem krejt e mënjanuar!»

A ËSHTË kështu edhe për ty e hëna në mëngjes në shkollë? Mbase të duket se të gjithë bëjnë qejf, kurse ty prindërit të kanë mbyllur me kyç, ose sikur je në një park plot lodra por nuk të lejohet fare të luash. Nuk është puna se kërkon të shkosh pas shokëve për çdo gjë, por ama, nganjëherë do që të bësh pak qejf. Për shembull, cili nga këto aktivitete do të të pëlqente ty për fundjavën tjetër?

◯ kërcim

◯ koncert

◯ kinema

◯ festë

◯ diçka tjetër ․․․․․

Ke nevojë për zbavitje. (Eklisiastiu 3:1, 4) Në fakt, Krijuesi yt dëshiron ta shijosh rininë. (Eklisiastiu 11:9) Edhe prindërit duan që të zbavitesh, ndonëse nganjëherë nuk të duket kështu. Ata mund të merakosen me të drejtë për dy gjëra: (1) çfarë do të bësh dhe (2) me kë do të dalësh.

Ta zëmë se shokët të kanë ftuar të dalësh, por nuk je i sigurt si do të reagojnë prindërit. Kur duhet të marrësh një vendim, Bibla të nxit të mendosh për mundësitë që ke, të mira dhe të këqija, e të peshosh pasojat. (Ligji i përtërirë 32:29; Proverbat 7:6-23) Çfarë mundësish ke pasi merr këtë ftesë nga shokët?

MUNDËSIA A: MOS PYET, THJESHT SHKO.

Pse ta konsiderosh këtë mundësi: Ke qejf t’u bësh përshtypje shokëve duke u treguar se vepron me kokën tënde. Kujton se di më shumë se prindërit ose nuk ke fort respekt për mendimin e tyre.​—Proverbat 15:5.

Pasojat: Shokët do të kuptojnë diçka për ty: di të mashtrosh. Nëse ua hodhe prindërve, s’do ta kesh problem t’ua hedhësh edhe shokëve. Po ta marrin vesh çfarë ke bërë, prindërit do të ndihen keq, do të zhgënjehen dhe ka të ngjarë që s’do të të lënë të dalësh më. Është e pamend të mos u bindesh prindërve dhe të bësh sipas kokës sate. Sido që ta marrësh, kjo nuk është mundësia më e mirë.​—Proverbat 12:15.

MUNDËSIA B: MOS PYET, MOS SHKO.

Pse ta konsiderosh këtë mundësi: Pasi mendon për ftesën, vendos që ai aktivitet bie ndesh me parimet e tua ose që disa të ftuar nuk janë shoqëri e mirë. (1 Korintasve 15:33; Filipianëve 4:8) Në anën tjetër, ke qejf të shkosh, por s’ta mban t’u thuash prindërve.

Pasojat: Nëse nuk shkon ngaqë e ke të qartë se s’është gjë e mirë, do të ndihesh më i sigurt kur t’u përgjigjesh shokëve. Mirëpo, nëse nuk shkon vetëm ngaqë s’ta mban të pyesësh prindërit, ka rrezik të rrish në shtëpi gjithë turinj, sikur je i vetmi që nuk zbavitet.

MUNDËSIA C: PYET DHE PRIT.

Pse ta konsiderosh këtë mundësi: E pranon autoritetin e prindërve dhe e respekton gjykimin e tyre. (Kolosianëve 3:20) I do dhe nuk dëshiron t’i lëndosh duke dalë vjedhurazi. (Proverbat 10:1) Duke vepruar kështu, ke mundësi edhe të shpjegosh arsyet e tua.

Pasojat: Prindërit e ndiejnë se i do dhe i respekton. Nëse kërkesa jote u duket e arsyeshme, mund të të thonë po.

Pse mund të thonë jo prindërit

Po sikur prindërit të thonë jo? Kjo mund të të acarojë. Megjithatë, po të mundohesh t’i shohësh gjërat me syrin e tyre, mund ta kesh më të lehtë t’i pranosh kufizimet. Për shembull, ata mund të thonë jo për një ose disa nga arsyet e mëposhtme.

Njohuria dhe përvoja më e madhe. Në shumë vende, në plazhe ka roja që i mbrojnë njerëzit nga rreziqet. Po të kishe mundësi, ka të ngjarë të zgjidhje të notoje në një plazh të tillë. Pse? Sepse, kur je në ujë për qejfin tënd, s’e ke fort mendjen te rreziqet. Kurse roja i plazhit nga pika e vrojtimit i pikas më mirë rreziqet.

Po ashtu, falë njohurisë e përvojës që kanë, prindërit ndoshta diktojnë rreziqe që ti nuk i dallon. Njësoj si roja i plazhit, synimi i tyre nuk është të të prishin kënaqësinë, por të të ndihmojnë të shmangësh rreziqe që mund të të grabitin gëzimin e jetës.

Dashuria për ty. Prindërit kanë një dëshirë të fortë të të mbrojnë. Nga dashuria thonë po kur munden, por thonë jo kur duhet. Kur ti i pyet nëse mund të bësh diçka, ata pyesin veten nëse mund ta plotësojnë kërkesën tënde dhe pastaj të pranojnë pasojat. Do t’i përgjigjen po edhe vetes edhe ty vetëm nëse janë të bindur se nuk do të të ndodhë ndonjë e keqe.

Mungesa e informacionit. Prindërit e dashur ndonjëherë tregohen tepër të kujdesshëm. Kur s’e kuptojnë çfarë po u kërkon ose kur u duket se nuk u ke treguar disa të dhëna të rëndësishme, rrezik të thonë jo.

Si t’i shtosh mundësitë që të thonë po

Këtu hyjnë në punë katër faktorë.

Sinqeriteti: Para së gjithash, ji i sinqertë me veten. Mund të pyesësh: «Në të vërtetë, pse dua të shkoj? Ngaqë më pëlqen aktiviteti apo ngaqë dua të më pranojë shoqëria? Mos dua të shkoj se do të jetë dikush që e kam fiksim?» Pastaj tregohu i sinqertë me prindërit. Edhe ata dikur kanë qenë të rinj dhe të njohin mirë. Prandaj, çfarëdo që t’u thuash, ka shumë të ngjarë t’i dallojnë motivet e tua të vërteta. Prindërit do të vlerësojnë sinqeritetin tënd, dhe ti do të nxjerrësh dobi nga mençuria e tyre. (Proverbat 7:1, 2) Mirëpo, nëse nuk tregohesh i sinqertë, do ta humbin besimin te ti dhe do të pakësohen mundësitë që të thonë po.

Koha e duhur: Mos i mbyt me kërkesa prindërit sapo kthehen nga puna ose kur janë të përqendruar te diçka tjetër. Bisedo me ta kur janë më të qetë. Gjithsesi, mos prit deri në minutën e fundit e pastaj t’u bësh presion të të përgjigjen aty për aty. Prindërve nuk u vjen mirë kur detyrohen të marrin një vendim të nxituar. Pyeti mjaft kohë përpara dhe do ta vlerësojnë që u tregove i kujdesshëm.

Përmbajtja: Mos fol në tym. Trego qartë çfarë do të bësh. Prindërit bezdisen kur përgjigjesh «nuk e di», sidomos nëse të kanë pyetur: «Cilët do të vijnë?», «a do të jetë ndonjë i rritur i përgjegjshëm?» ose «në ç’orë do të mbarojë?»

Qëndrimi: Mos i shih prindërit si armiq. Mendo sikur jeni një skuadër, sepse kështu është. Kur je i bindur se janë në anën tënde, ka më pak të ngjarë të flasësh me ton luftarak dhe ata do të jenë më të prirur të të mbështetin. Nëse thonë jo, pyeti me respekt për arsyen. Për shembull, nëse nuk të lënë të shkosh në një koncert, përpiqu të kuptosh çfarë i shqetëson. E kanë merakun tek artisti? Te vendi? Te shoqëria? Te çmimi i biletës? Shmang pohime të tilla, si «s’keni fare besim tek unë», «të gjithë do të shkojnë» ose «prindërit e shokëve të mi i lënë ata pa problem». Tregoju prindërve se je aq i pjekur sa ta pranosh e ta respektosh vendimin e tyre. Nëse vepron kështu, do të të respektojnë e mbase herën tjetër do të jenë më të gatshëm të thonë po.

[Shënimi]

^ par. 3 Emri është ndryshuar.

[Kutia dhe figura në faqen 11]

«Prindërit kanë besim tek unë, pasi nuk i kam zhgënjyer. Flas hapur me ta për shoqërinë time. Gjithashtu, s’më vjen turp të iki nga një festë nëse shoh që diçka nuk shkon.»

[Figura]

Kimbërli

[Kutia në faqen 12]

PSE TË MOS PYESËSH PRINDËRIT?

A dëshiron të dish ç’mendojnë prindërit për pikat e diskutuara në këtë artikull? E vetmja mënyrë për ta marrë vesh është t’i pyesësh. Në një moment të përshtatshëm, hap një bisedë për gjërat që i shqetësojnë kur ti del për qejf. Mendo për një pyetje që dëshiron t’u bësh dhe shkruaje këtu poshtë.

․․․․․

[Figura në faqen 12]

Ashtu si roja i plazhit, prindërit i shohin gjërat nga një «pikë vrojtimi» dhe të paralajmërojnë për rreziqet e mundshme