Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Sa e pasur ka qenë jeta ime!

Sa e pasur ka qenë jeta ime!

Sa e pasur ka qenë jeta ime!

Treguar nga Heravati Nojharti

Linda në Ceribon të Indonezisë, qytet me nam për copat e stolisura batik që ngjyhen me motive të gjalla, vizatuar me dorë. Jeta ime si misionare i ngjason batikut në disa mënyra, sepse është pasuruar nga takimet e larmishme me lloj-lloj kulturash të Azisë Juglindore dhe Paqësorit Jugor. Po ju tregoj se si.

NË VITIN 1962, kur isha dhjetë vjeçe, mamaja nisi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Me kohë, ajo dhe babai (që të dy indonezianë me origjinë kineze), bashkë me pesë nga fëmijët, mes të cilëve edhe unë, u bëmë Dëshmitarë.

Shtëpia jonë rrinte gjithnjë hapur për misionarët dhe mbikëqyrësit udhëtues, që vinin në kongregacionin tonë për të na inkurajuar. Shembulli i tyre i shkëlqyer dhe bisedat që na forconin besimin lanë gjurmë të thella tek unë. Në moshën 19-vjeçare, vendosa të filloja predikimin në kohë të plotë. Afro një vit më pas, u martova me Jozef Nojhartin, një misionar gjerman që kishte ardhur në Indonezi më 1968. Pas muajit të mjaltit, u transferuam në Sumatër, ishulli i dytë më i madh në Indonezi ku ka më shumë se 17.000 ishuj. Atje shërbeva përkrah Jozefit që ishte mbikëqyrës udhëtues, një vepër që përfshin vizitat në kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait.

Predikojmë në Sumatër

Qarku ynë ose zona ku ishim caktuar, shtrihej nga qyteti i nxehtë e i rrëmujshëm i Padangut, në Sumatrën Perëndimore, deri në liqenin e bukur Tobë, një liqen vullkanik i madh strukur në gjirin e maleve të Sumatrës Veriore. Më pas u caktuam të shërbenim në jug të ishullit. Udhëtonim pareshtur me makinën tonë të vjetër Volksvagen-Brumbull, që kërcente nëpër rrugët gropa-gropa të xhunglës, përshkonte ura të lëkundshme me dru nga pema e kokosit dhe kalonte buzë vullkaneve madhështore, disa prej të cilave të fjetura, disa aktive. Netëve flinim përdhe në shtëpi të thjeshta në pyje, që s’kishin elektricitet, sistem hidraulik dhe banja. Laheshim nëpër liqene e lumenj. Bënim jetë të thjeshtë dhe i donim njerëzit, të cilët na mikpritnin me ngrohtësi, na jepnin për të ngrënë e shpesh tregonin interes për Biblën.

Minankabaut, një popullsi kryesisht myslimane që jetojnë përreth Padangut, çuditeshin dhe kënaqeshin kur u tregonim nga Bibla se Perëndia është një i vetëm, e jo Trinitet, siç pohojnë kishat e krishterimit. (Ligji i përtërirë 6:4) Shumë veta i pranonin gjithë qejf revistat Kulla e Rojës e Zgjohuni! dhe disa të interesuar bënë përparim të shkëlqyer në shërbim të Perëndisë. Në liqenin Tobë, popullsia e batakëve, pjesa dërrmuese e të cilëve pohojnë se janë të krishterë, e dinin emrin e Perëndisë, Jehova, sepse e kishin parë në Biblën batake. (Psalmi 83:18) Sidoqoftë, kishin nevojë ta njihnin më mirë Perëndinë dhe qëllimin e tij për njerëzimin. Shumë prej tyre pranuan të studionin Biblën dhe u bënë ungjillëzues të zellshëm.

Preken zemra në Javë

Më 1973, u caktuam në Javë, një ishull sa gjysma e Britanisë së Madhe, me mbi 80 milionë banorë. * U flitnim për lajmin e mirë grupeve etnike javaneze, sundaneze e kineze.

Meqë kisha prejardhje kinezo-indoneziane, flitja disa gjuhë: javaneze, sundaneze e indoneziane, si edhe anglishten. Kështu, bëja shumë biseda interesante rreth Biblës me njerëzit në gjuhët e tyre amtare.

Në kryeqytetin e Indonezisë, Xhakartë, që ndodhet në Javë, i fola për shpresën e jetës së përhershme në tokën parajsore një vajze 19-vjeçare që dukej e trishtuar. Tek i lexoja nga Bibla, nuk i mbante dot lotët. «Faleminderit, teta, që m’i tregove këto gjëra»,—tha ajo, duke m’u drejtuar me një fjalë të ngrohtë që shprehte respekt. Pastaj shtoi: «Nesër duhet të kem edhe 1,5 milionë rupi [160 dollarë] që të paguaj universitetin, dhe kisha ndër mend të shisja virgjërinë për të siguruar paratë. Para se të vije, po lutesha për drejtim. Tani e mora përgjigjen dhe jam e vendosur t’i shtyj studimet e të mbetem e pastër moralisht.» Ajo vajzë pranoi me kënaqësi të mësonte më tepër nga Bibla.

Që nga ai takim, shumë javanezë të tjerë, ndër të cilët edhe sundanezë e kinezë, e kanë përputhur jetën me normat e dobishme të Fjalës së Perëndisë. Kjo u ka sjellë paqe të brendshme dhe lumturi të vërtetë, tamam siç premtoi Perëndia.​—Isaia 48:17, 18.

Kalimantani​—Vendi i daiakëve

Nga Java u transferuam në Kalimantan, një provincë indoneziane e Borneos, ishullit të tretë më të madh në botë (pas Grënlandës dhe Guinesë së Re). Në Borneo, një vend me xhungla të dendura, male të thepisura dhe lumenj të rrëmbyer, jetojnë kinezë, malajzezë myslimanë dhe daiakë indigjenë​—një popullsi që banon kryesisht në brigjet e lumenjve dhe që dikur njiheshin si gjahtarë të egër kokash.

Për të shkuar në vendbanimet e thella të daiakëve, zakonisht udhëtonim me varkë ose kanoe nëpër lumenj të parrahur përgjatë xhunglave. Në breg shullëheshin në diell krokodilë gjigantë, nga pemët na i ngulnin sytë majmunët, kurse zogjtë krekoseshin me puplat e ylberta. Shërbimi misionar atje ishte një përvojë emocionuese, plot të papritura!

Shumica e familjeve daiake banonin në shtëpi të ngritura mbi shtylla, të ndërtuara me materiale nga pyjet. Ca banesa ishin të vogla, të tjera ishin të gjata e mbanin disa familje. Shumë veta nuk kishin parë kurrë ndonjë evropian, prandaj Jozefi ngjallte kureshtje të madhe. Fëmijët vraponin nëpër fshat e thërritnin: «Pastori! Pastori!» Pastaj të gjithë turreshin të dëgjonin se ç’do të thoshte predikuesi i bardhë. Fjalët e Jozefit i përkthenin Dëshmitarë vendës, që më pas organizoheshin të drejtonin studime biblike me të interesuarit e shumtë.

Për në Papua Guinenë e Re

Presionet nga kundërshtarët fetarë sa vinin e shtoheshin, prandaj në dhjetor të vitit 1976 qeveria e Indonezisë e ndaloi veprën e Dëshmitarëve të Jehovait. Për pasojë, mua dhe Jozefin na caktuan në Papua Guinenë e Re.

Si mbërritëm në kryeqytet, Port-Moresbi, bëmë një kurs dymujor për të mësuar gjuhën hiri motu, një nga gjuhët kryesore që flasin vendësit. Pastaj u shpërngulëm në ishullin e vogël Daru, në një provincë të largët perëndimore. Atje njoha Eunikën, një grua të bëshme, të fortë e të dashur. Kishte përtypur për vite të tëra arrë beteli, një lloj droge, ndaj dhëmbët i kishte me njolla të kuqe e të zeza. Kur mësoi se Perëndia do që shërbëtorët e tij të jenë të pastër fizikisht, si edhe moralisht e shpirtërisht, hoqi dorë nga ai ves dhe u bë një e krishtere besnike. (2 Korintasve 7:1) Sa herë shihnim këta njerëz të thjeshtë që përqafonin të vërtetën e Biblës, e kuptonim edhe më mirë sa të vërteta janë fjalët e Psalmit 34:8: «Provoni dhe shijoni se sa i mirë është Jehovai!»

Me kalimin e kohës, Jozefi u caktua të shërbente prapë si mbikëqyrës udhëtues dhe i ramë thuajse cep më cep Papua Guinesë së Re, ku fliten rreth 820 gjuhë. Donim të flitnim me sa më shumë njerëz, ndaj i shtuam repertorit tonë edhe një gjuhë tjetër​—gjuhën kombëtare tok-pisine. Udhëtonim më këmbë, me makinë, varka, kanoe dhe avionë të vegjël për në qytete e fshatra, ndërsa duronim vapën mbytëse e mushkonjat dhe shpesh na zinte malaria.

Në vitin 1985, pranuam një caktim tjetër misionar​—në Ishujt Solomon, në lindje të Papua Guinesë së Re. Atje shërbyem në zyrën e degës të Dëshmitarëve të Jehovait, si edhe i ramë kryq e tërthor arkipelagut që t’u jepnim zemër kongregacioneve e të ndiqnim asambletë e krishtere. Edhe një herë na u desh t’i përvisheshim mësimit të një gjuhe të re, kësaj radhe gjuhës pixhine të Ishujve Solomon. Por sa gëzoheshim kur bisedonim me ishullarët që e donin Biblën!

Udhëtimi më i vështirë

Në vitin 2001, u hoq ndalimi ndaj veprës së Dëshmitarëve të Jehovait në Indonezi, e kështu u kthyem në Xhakartë. Mirëpo, s’kaloi shumë dhe burrin tim të dashur e diagnostikuan me melanomë malinje, një formë agresive e kancerit të lëkurës. Udhëtuam për në vendlindjen e Jozefit, Gjermani, që të kurohej. Por mjerisht, më 2005, në 33-vjetorin e martesës, ai ra në gjumin e vdekjes, dhe ka shpresën të ringjallet në botën e re parajsore. (Gjoni 11:11-14) Ishte 62 vjeç dhe kishte shërbyer 40 vjet në kohë të plotë.

Unë qëndrova në Xhakartë ku shërbej si misionare edhe sot e kësaj dite. Më merr shumë malli për tim shoq. Megjithatë, arrij ta përballoj këtë situatë duke u mësuar të tjerëve të vërtetat e çmuara të Fjalës së Perëndisë, pasi shërbimi më sjell kënaqësi të thellë dhe i jep kuptim jetës sime. Vërtet, mund të them pa pikë dyshimi se Jehovai më ka dhuruar një jetë të larmishme e të pasur.

[Shënimi]

^ par. 10 Popullsia e Javës sot i kalon 120 milionë banorë.

[Harta në faqen 25]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

INDONEZI

Javë

XHAKARTË

Ceribon

Sumatër

Padang

Liqeni Tobë

Borneo

PAPUA GUINEJA E RE

PORT-MORESBI

Daru

ISHUJT SOLOMON

[Figura në faqen 26]

Heravati me një studente të Biblës dhe fëmijët e saj në Ishujt Solomon

[Figura në faqen 26]

Me Jozefin në Holandë, pak para vdekjes së tij më 2005