Kënaqem me punën si bari
Kënaqem me punën si bari
Treguar nga Alimbek Bekmanovi
Kur isha tre vjeç, fillova të kullotja delet dhe më hyri shumë në qejf kujdesi për to. Në moshën 17-vjeçare isha bari me përvojë. Më vonë mësova se ka edhe një lloj tjetër bariu, ai shpirtëror. Po ju tregoj pse shërbimi si bari shpirtëror më sjell edhe më shumë kënaqësi.
LINDA në vitin 1972. Familja jonë e madhe kirgize jetonte në fshatin Çirpikti, buzë liqenit të bukur Isik-Kul. Zona e liqenit tërheq mjaft turistë që vizitojnë Kirgizstanin, ish-republikë e Bashkimit Sovjetik. Sot jetoj me time shoqe, Gulmirën, në Bishkek, kryeqyteti i Kirgizstanit, rreth 200 km larg vendit ku u rrita.
Bariu dhe delet
Kur isha fëmijë, në pranverë i çonim dhentë në kullota lart në male. Ngjiteshim mbi 3.000 m dhe na duhej të udhëtonim për ditë të tëra. Disa barinj merrnin një rrugë që priste më shkurt dhe arrinin më shpejt në kullota. Mirëpo, ato shtigje zakonisht kalonin buzë grykash e honesh dhe delet që dilnin pak nga rruga, ndonjëherë plagoseshin ose edhe vriteshin.
Shpesh dëgjonim se atyre anëve dilnin ujq që trembnin delet ose i sulmonin, duke i veçuar nga kopeja dhe duke i vrarë. Prandaj xhaxhai merrte një rrugë më të lehtë me më pak rreziqe, edhe pse harxhonim të paktën një ditë më tepër. Nganjëherë doja të nxitoja, por xhaxhai më ndalte. «Alimbek,—më thoshte,—mendo për delet, jo për veten.»
Lart në kullotat e bukura malore bënim vatha të përkohshme për t’i mbrojtur delet natën. Disa barinjve u shijonte gjumi dhe i nxirrnin delet në kullotë vetëm pasi kish zbardhur qyshkur. Kur delet fillonin të kullotnin, kishte zënë vapa.
Pas pak ato mblidheshin tok, me kokat ulur, dhe merrnin frymë me zor. Kështu nuk hanin dot sa të ngopeshin, ndaj ligeshin e dobësoheshin. Kurse xhaxhai ngrihej që pa gdhirë, para orës katër të mëngjesit. Kur agonte, delet që kishte nën kujdes, ndodheshin në çaire të mira. Atje mund të kullotnin sa të donin në ajrin e freskët të mëngjesit. Shpesh thuhet «shiko delet, të kuptosh si është bariu».
Kur delet prehen pas kullote, është momenti i përshtatshëm për t’i kontrolluar dhe mjekuar. Një nga problemet më të mëdha me delet tona ishin mizat që shtrojnë vezë
në kërthizën e tyre. Si pasojë, kërthiza mahiset dhe ënjtet. Nëse problemi nuk diktohet në kohë, dhembja mund të bëhet aq therëse, sa delja mund të endet larg tufës e të ngordhë. I kontrollonim delet thuajse çdo ditë, që pastaj t’i mjekonim. Duhej goxha mund e kohë, por sa kënaqeshim kur shihnim se ndiheshin rehat e ishin të shëndetshme.I numëronim delet çdo mbrëmje kur ktheheshim nga kullota në vathë. Ato kalonin nëpër një portë të ngushtë, herë-herë tri a katër bashkë. Kopeja jonë numëronte qindra kokë, por ia morëm dorën aq mirë kësaj pune, sa mund të numëronim deri në 800 dele brenda 15 a 20 minutash. Na u desh shumë praktikë, por ia dolëm!
Nëse vërenim se mungonte një dele, xhaxhai merrte pushkën e kërrabën që të kërkonte të humburën. Madje, dilte edhe në shi e në terr qoftë edhe për një qengj të vetëm. Thërriste me sa i hante zëri. Kështu trembte dhe largonte kafshët e egra. Kur delja dëgjonte atë zë, e dalloje menjëherë që ndihej e sigurt.
I vinim emër secilës, sipas pamjes dhe veçorive të karakterit. Në kope kishte gjithnjë ndonjë dele kokëshkretë. S’merrej vesh pse, po nuk ia kishte qejfi të bindej. Herë-herë, disa dele shkonin pas së pabindurës. Kështu bariu mundohej ta stërviste dhe ta disiplinonte kokëfortën, për shembull, e linte vetëm në vathë. Dalëngadalë disa mësonin dhe i nënshtroheshin bariut. Ato që s’donin të bindeshin, përfundonin si mish në sofër.
Një lloj tjetër bariu
Më 1989, mësova artet marciale dhe u bëra goxha i zoti. Vitin tjetër, më rekrutuan në ushtrinë sovjetike. Ndërsa shërbeja në Rusi, shokët e arteve marciale krijuan një bandë kriminale. Si u ktheva në Kirgizstan, më thanë se po të shkoja me ta, do të kisha ç’të më donte zemra. Mirëpo, ndërkohë u njoha me Dëshmitarët e Jehovait.
Ata iu përgjigjën pyetjeve që më mundonin që nga fëmijëria, si: pse vdesin njerëzit? Nga bisedat me ta kuptova se vdekja është pasojë e mëkatit të njeriut të parë, Adamit. (Romakëve 5:12) Gjithashtu, mësova nga Bibla se Jehovai, Perëndia i vërtetë, dërgoi Birin e tij, Jezuin, si Shpenguesin tonë dhe se, po të tregojmë besim te Jehovai dhe Biri i tij, mund të na mbulohet mëkati i trashëguar. Kështu do të kemi mundësinë që në të ardhmen të jetojmë përgjithmonë në tokën parajsore, sipas qëllimit që kishte në fillim Perëndia për njerëzimin.—Psalmi 37:11, 29; 83:18; Gjoni 3:16, 36; 17:1-5; Zbulesa 21:3, 4.
Përgjigjet që më dhanë nga Shkrimet, ishin aq të qarta e të kuptueshme, sa thashë me gjithë zemër: «Ja, tamam kështu duhet të jetë!» Nuk doja të shoqërohesha më me shokët e dikurshëm. U përpoqën disa herë të ma mbushnin mendjen të bashkohesha me ta. Mirëpo dëshiroja aq shumë të mësoja të vërtetën biblike dhe të jetoja sipas saj, sa ia dola t’i hidhja poshtë ofertat e tyre tunduese, e me kalimin e kohës u bëra një bari shpirtëror.
Në atë periudhë, tek ime më vinte shpesh një shëruese fetare me famë në zonën tonë. Një ditë, kur u ktheva në shtëpi, po mbante një seancë spiritiste. Më tha se kisha një dhunti të veçantë dhe më nxiti të shkoja në xhami e të merrja një hajmali që, sipas saj, do të më ndihmonte. Gati-gati ma mbushi mendjen se kështu do të kisha dhuntinë të bëja shërime.
Të nesërmen, shkova te Dëshmitarët që studionin Biblën me mua dhe u tregova për vizitën e saj. Më lexuan nga Bibla se Jehovai është kundër çdo forme spiritizmi, pasi lidhet me frymërat e liga. (Ligji i përtërirë 18:9-13) Disa net rresht nuk vura gjumë në sy nga ndikimi i demonëve. Dëshmitarët më mësuan të lutesha në harmoni me vullnetin e Jehovait, dhe pas kësaj nuk kisha më makthe natën. U binda se kisha gjetur Bariun e vërtetë, Jehovain.
Mësova se edhe Davidi, shkrimtari i shumë psalmeve biblike, kishte qenë bari në të ri. E thërriste Jehovain «Bariu im» dhe ndjenjat që shprehte për Të, më pushtuan zemrën. (Psalmi 23:1-6) Doja të imitoja Birin e Jehovait, Jezuin, që quhet ‘bariu i deleve’. (Hebrenjve 13:20) Në një asamble që u mbajt në Bishkek në fillim të 1993-shit, u pagëzova në ujë si simbol i kushtimit ndaj Jehovait.
Një mbledhje e rëndësishme
Shumë të afërm e fqinj të mi filluan të studionin Biblën së bashku. Rreth 70 banorë të fshatit mblidheshin pranë liqenit Isik-Kul. Një nga të afërmit, që ishte kryetari i këshillit të fshatit, tregoi shumë interes. Ai tha se do të organizonte një mbledhje të madhe ku mund të shpjegonim besimin që sapo kishim përqafuar. Mirëpo krerët fetarë atje i nxitën vendësit t’i kundërviheshin veprës sonë të predikimit. Kurdisën plane që ta shfrytëzonin këtë mbledhje për të na i vënë njerëzit kundër.
Ditën e caktuar u mblodhën afro një mijë veta, përfshirë edhe të ardhur nga tri fshatra fqinje. Erdhën edhe disa Dëshmitarë dhe njëri prej tyre nisi të shpjegonte bindjet tona biblike. S’kaluan as pesë minuta kur u ngrit dikush dhe lëshoi një breshëri pyetjesh me kunj. Hodhën akuza e na kërcënuan dhe turma u acarua aq sa desh plasi dhuna kundër nesh.
Në atë çast, na doli krah një nga vëllezërit e mi të mëdhenj, që po studionte Biblën nga pak kohë. Të gjithë i trembeshin dhe e shmangnin se nuk e mundte dot njeri kur plaste sherri. Qëndroi me guxim mes sulmuesve e Dëshmitarëve, dhe ne u larguam pa pësuar gjë. Vitet pasuese, shumë nga të pranishmit në atë mbledhje u bënë Dëshmitarë. Nga rreth 1.000 banorët e fshatit tonë, sot mbi 50 janë Dëshmitarë të Jehovait.
Bija e një bariu
Pak muaj para kongresit të madh të Dëshmitarëve të Jehovait në Moskë, Rusi, në gusht 1993, takova Gulmirën, një Dëshmitare nga një fshat i Kirgizstanit. Edhe ajo
vinte nga një familje barinjsh. Më 1988, kur vepra e Dëshmitarëve ishte ende e ndaluar në Bashkimin Sovjetik, e ëma e Gulmirës kishte nisur të studionte Biblën me një Dëshmitare që quhej Aksama. Në vitet 70, Aksamaja kishte qenë e para kirgize në zonën e tyre që ishte bërë Dëshmitare.S’kaloi shumë dhe Gulmira u bashkua me të ëmën për të studiuar Biblën me Aksamanë. Në vitin 1990, të dyja u pagëzuan si Dëshmitare. Gulmira e kishte zemrën plot çmueshmëri, ndaj shpejt nisi të predikonte në kohë të plotë si pioniere.
Për dy vjet pasi u takuam, e shihja rrallë Gulmirën, ngaqë jetoja rreth 160 km larg. Në mars 1995, vendosa ta njihja më mirë, e kështu, me këtë mendje i shkova një ditë në shtëpi. Shtanga kur mora vesh se të nesërmen do të nisej të shërbente në zyrën e degës të Rusisë, 5.633 km larg.
Atëherë kisha nisur shërbimin në kohë të plotë dhe po mësoja rusishten, pasi nuk kishim ende literaturë në gjuhën kirgize. Për tre vjet, unë dhe Gulmira i shkruanim njëri-tjetrit, dhe ramë dakord të lexonim të njëjtat pjesë nga Bibla, që të shkëmbenim mendime rreth saj. Në atë kohë, shërbeja në kongregacionin e parë të gjuhës kirgize, në qytetin e Balikçit.
Në shërbim të Jehovait me Gulmirën
U martuam më 1998 kur Gulmira erdhi në Kirgizstan me pushime. Më ftuan të shërbeja bashkë me të në zyrën e degës të Rusisë. Shyqyr që kisha filluar të mësoja rusishten! Me kohë, më caktuan në skuadrën e përkthimit të gjuhës kirgize që përkthente literaturë në atë gjuhë. Iu luta Jehovait për mençuri dhe durim. E patjetër, një ndihmë e madhe ishte bashkëpunëtorja ime, Gulmira.
Në vitin 2004, skuadra jonë e përkthimit u shpërngul në Bishkek, ku u caktova të shërbeja në komitetin që mbikëqyr veprën e Dëshmitarëve të Jehovait në Kirgizstan. Atëherë në vend kishte shtatë kongregacione të gjuhës kirgize dhe mbi 30 të gjuhës ruse. Sot janë mbi 20 kongregacione dhe shumë grupe të gjuhës kirgize, që përbëjnë afro 40 për qind të 4.800 Dëshmitarëve në Kirgizstan.
Unë dhe Gulmira vendosëm të mësonim anglishten, pasi do të na ndihmonte në caktimin tonë. Si pasojë, më 2008 morëm një ftesë për në selinë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait në Shtetet e Bashkuara. Atje ndoqa një shkollë posaçërisht për ata që marrin drejtimin në veprën e predikimit në vendet e tyre.
Sot, unë dhe Gulmira ndihemi edhe më të aftë t’i ndihmojmë banorët e Kirgizstanit të njohin Perëndinë. Kemi provuar dhe parë me sytë tanë se Jehovai është vërtet një bari i dashur. Në jetën time kam ndier plotësimin e psalmit të Biblës, që thotë: «Jehovai është Bariu im. Nuk do të më mungojë asgjë. Ai më çon të shtrihem në livadhe plot bar, më çon të prehem në vende të ujitura mirë, dhe ma freskon shpirtin. Për hir të emrit të tij, më prin nëpër shtigjet e drejtësisë.»—Psalmi 23:1-3.
[Figura në faqen 23]
Dhentë tona në kullotë
[Figura në faqen 23]
I numëronim çdo mbrëmje delet, që të siguroheshim se nuk mungonte asnjë
[Figura në faqen 24]
Me Gulmirën sot