Tingujt e muzikës në Izraelin e lashtë
Tingujt e muzikës në Izraelin e lashtë
MUZIKA ishte pjesë e pandashme e kulturës së Izraelit të lashtë. Trumbetave dhe brirëve u bihej që të mblidhej populli në adhurim dhe të lajmëroheshin ngjarje të shënuara. Muzikantët luanin në harpa dhe lira me gishta a pendë për të qetësuar mbretërit. (1 Samuelit 16:14-23) Në raste gëzimi, u binin daulleve e cimbaleve dhe tundnin rraketaket.—2 Samuelit 6:5; 1 Kronikave 13:8.
Jubali, një pasardhës i Kainit, përmendet në Bibël si «ati i atyre që përdorin harpën dhe pipëzën». (Zanafilla 4:21) Ai mund të ketë shpikur edhe veglat me tela edhe veglat frymore.
Bibla përshkruan plot ngjarje ku luajti rol muzika, por flet fare pak për veglat muzikore. Megjithatë, me anë të zbulimeve arkeologjike dhe shkrimeve të hershme, studiuesit janë munduar të përcaktojnë ç’pamje kishin instrumentet e lashta dhe ç’tinguj nxirrnin. Disa nga përfundimet e tyre janë thjesht hamendje. Por, le të shohim ca shembuj që bazohen në prova të forta.
Dajret, sistrat dhe cimbalet
Pasi Perëndia i nxori Moisiun dhe izraelitët nga Deti i Kuq me anë të një mrekullie, motra e Moisiut, Miriami, tok me «të gjitha gratë e tjera» dolën «me dajre e me valle». (Dalja 15:20) Paçka se nuk janë zbuluar dajre të epokës biblike që të ngjajnë me dajret e sotme, në Izrael—në vende si, Akzibi, Megidoja dhe Beth-Sheani—janë gjetur statujëza balte që paraqitin gra me një instrument të vogël që i binin me dorë. Ky instrument, që në versionet e Biblës shpesh përkthehet dajre, ka të ngjarë të ketë qenë një rreth i thjeshtë druri me lëkurë kafshësh të tendosur përsipër.
Në epokën e patriarkëve, dajreve u binin gratë në raste festash dhe kjo shoqërohej me këngë e valle. Bibla tregon se, kur udhëheqësi izraelit Jefteu u kthye në shtëpi pasi korri një fitore të rëndësishme, e bija rendi t’i dilte para «duke i rënë dajres e duke kërcyer». Njëherë gratë festuan bëmat e Davidit «me këngë e valle» dhe «me dajre».—Gjykatësit 11:34; 1 Samuelit 18:6, 7.
Kur Davidi mbret çoi arkën e besëlidhjes në Jerusalem, populli ‘festonte para Jehovait me të gjitha llojet e veglave prej dëllinje, me harpa dhe vegla me tela, me dajre, me sistra dhe me cimbale’. (2 Samuelit 6:5) Më vonë, tempulli i Jerusalemit kishte orkestrën e vet me muzikantë mjeshtra që u binin cimbaleve, trumbetave, harpave dhe veglave të tjera me tela.
Tani kemi një ide për dajret e atëhershme. Po sistrat, çfarë ishin? Me sa duket ishin një lloj rraketakeje muzikore me skelet të vogël metalik në formë vezake me një dorezë. Kur tundeshin, nxirrnin tinguj të mprehtë kumbues. Në Bibël, sistrat përmenden veç një herë, në kohën kur u çua në Jerusalem arka e besëlidhjes. Megjithatë,
sipas historisë gojore judaike, sistrave u binin dhe në raste trishtimi.Po cimbalet e lashtësisë? Mbase i përfytyroni si pjata të mëdha metalike që përplaseshin me njëra-tjetrën. Mirëpo, disa cimbale nga koha e Izraelit të lashtë e kishin diametrin rreth 10 centimetra, si kastanjetat, dhe lëshonin një tringëllimë.
Harpat dhe veglat me tela
Fjala hebraike kinnóhr përkthehet zakonisht «harpë» ose «lirë», dhe ky instrument ishte i përhapur në Izraelin e lashtë. Davidi i binte për të qetësuar mbretin Saul. (1 Samuelit 16:16, 23) Studiuesit kanë në dorë të paktën 30 figura të lirës të paraqitura në mure shkëmbore, monedha, mozaikë, pllaka dhe vula të lashtësisë. Në rrjedhën e shekujve, kjo vegël mori forma të ndryshme. Muzikanti e mbante në krahë dhe luante duke rrëshqitur duart mbi tela a duke i rënë me gishta ose me një plektër.
Nebeli ngjasonte me kinorin. Nuk dihet me siguri sa tela kishte, sa i madh ishte dhe nëse i bihej me gishta a me pendë. Sidoqoftë, shumica e studiuesve mendojnë se muzikanti mund t’i binte edhe nebelit edhe kinorit teksa lëvizte.
Trumbetat dhe brirët
Perëndia e udhëzoi Moisiun të bënte dy trumbeta argjendi. Duhej të rriheshin ose Numrat 10:2) Me to priftërinjtë njoftonin mjaft ngjarje që lidheshin me tempullin, si edhe festa të ndryshme. Trumbetat nxirrnin lloj-lloj tingujsh, në varësi të qëllimit, si për shembull, një tingull të fortë e të zgjatur ose një zë buçitës më të shkurtër. Ende nuk dihet ç’pamje kishin në të vërtetë ato, pasi nuk është gjetur asnjë trumbetë nga kohët biblike. Ekzistojnë vetëm disa portretizime artistike, si gdhendja në një basoreliev në Harkun e Titit në Romë.
të punoheshin me çekan. (Briri ose shofari përmendet mbi 70 herë në Shkrimet Hebraike. Ky instrument bëhej nga briri i cjapit ose i dashit. Sipas burimeve judaike, briri kishte dy modele: njëri i drejtë e me gojëz të artë, tjetri i lakuar dhe i stolisur me argjend. Briri përdorej shpesh për të dhënë sinjale, ngaqë mund të nxirrte një zë si jehonë me dy a tri tone të ndryshme, që dëgjohej deri larg.
Në Izraelin e lashtë, briri lajmëronte disa ngjarje fetare, si fillimin dhe fundin e sabatit. Megjithatë, përdorej edhe në raste të tjera, si për shembull në kohë lufte. Sa të frikshme duhet të kenë qenë buçimat e 300 brirëve menjëherë para sulmit rrufe që bëri natën ushtria e Gideonit kundër midianitëve!—Gjykatësit 7:15-22.
Lloj-lloj veglash muzikore
Në kohët biblike përdoreshin edhe vegla të tjera muzikore, si zile, fyej dhe llauta. Danieli, një profet i Jehovait që ishte mërgimtar në Babiloni, shkroi për orkestrën e Nabukodonosorit, mbretit të Babilonisë. Ajo kishte vegla, si qestet, pipëzat e gajdet.—Danieli 3:5, 7.
Ky përshkrim kalimthi i disa veglave muzikore të përmendura në Shkrime vërteton se muzika ishte pjesë e jetës së përditshme në Izraelin e lashtë, e natyrisht edhe në qytetërime të tjera të hershme. Tingujt e muzikës i dëgjoje në oborrin mbretëror e në vende adhurimi, në fshatra e në shtëpi.
[Figura në faqen 15]
Sistra tundej si rraketake
[Figura në faqen 15]
Mbreti David luante me mjeshtëri në harpë
[Figura në faqen 15]
Dajrja ekzistonte që në kohët e patriarkëve
[Figura në faqen 15]
Trumbeta përdorej për të lajmëruar mjaft ngjarje
[Figura në faqen 16]
Statujëz gruaje me vegël perkusioni në dorë, shekulli i tetë p.e.s.
[Figura në faqen 16]
Monedhë ku paraqitet një vegël me tela, shekulli i dytë i e.s.
[Figura në faqen 16]
Në këtë gur nga muri i tempullit në Jerusalem janë skalitur fjalët «për në vendin ku bien trumbetat», nga shekulli i parë p.e.s.
[Burimet e figurave në faqen 16]
Statujëza prej balte: Z. Radovan/BPL/Lebrecht; monedha: © 2007 nga David Hendin. Të gjitha të drejtat të rezervuara; guri i tempullit: fotografi nga © Israel Museum, Jerusalem; me mirësjellje nga Israel Antiquities Authority