Hapi 5—Motivoni veten dhe familjen
«Njeriu mendjehollë do të veprojë sipas njohurisë.» (Proverbat 13:16) Merrni njohuri bazë për shëndetin, nëse doni të jeni të motivuar dhe të aftë të bëni ndryshimet e nevojshme në të mirë të shëndetit tuaj dhe të familjes.
Vazhdoni të informoheni. Në shumë vende, institucionet private e publike sigurojnë literaturë dhe programe arsimimi për lloj-lloj temash shëndetësore. Përfitoni prej tyre dhe mësoni mënyrat kryesore si ta përmirësoni shëndetin dhe si të mos e rrezikoni. Jini mendjehapur dhe të gatshëm të bëni ndryshime të thjeshta.
Nga zakonet e mira që do të fitoni, do të nxjerrin dobi fëmijët tuaj dhe brezat pasardhës. Nëse prindërit lënë shembullin kur bëhet fjalë për ushqimin e shëndetshëm, pastërtinë, zakonet e gjumit, fizkulturën dhe parandalimin e sëmundjeve, pa dyshim që fëmijët do të përfitojnë.—Proverbat 22:6.
Ç’duhet tjetër? Që të keni dhe të mbani një stil jetese të shëndetshëm, nuk mjafton vetëm meraku për veten. Mund të duket e vështirë të heqësh vese të rrënjosura prej vitesh, e madje edhe për ndryshime të thjeshta duhet një motiv i fortë. Disa nuk i shtyn as frika nga sëmundjet e rënda ose nga vdekja të bëjnë atë që e dinë se është për të mirën e tyre. Po çfarë mund t’i shtyjë? Si të gjithë ne, kanë nevojë të mbajnë parasysh një qëllim më të lartë në jetë.
Bashkëshortët duhet të ruajnë shëndetin dhe fuqinë që të vazhdojnë të mbështetin njëri-tjetrin. Prindërit dëshirojnë t’i përkrahin dhe t’i mësojnë fëmijët gjithë jetën. Fëmijëve të rritur u duhet të kujdesen për familjarët e sëmurë. Këtyre mund t’u bashkohet edhe dëshira fisnike që t’i bëhen krah shoqërisë, jo barrë. Të gjitha këto përfshijnë dashurinë dhe merakun për të tjerët.
Një motiv akoma më i fortë vjen nga mirënjohja dhe përkushtimi ndaj Krijuesit tonë. Ata që besojnë te Perëndia, dëshirojnë ta ruajnë dhuratën e vyer që u ka bërë, jetën. (Psalmi 36:9) Po të gëzojmë shëndet të mirë, do të kemi më shumë fuqi që t’i shërbejmë Perëndisë. Nuk ka motiv më të fortë a më fisnik se ky për t’u kujdesur për shëndetin.
Shijo të mirat e një jete të shëndetshme