Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Bukuri e hijeshi madhështore

Bukuri e hijeshi madhështore

Bukuri e hijeshi madhështore

«U dashurova menjëherë pas kuajve. Janë kaq të bukur dhe me një elegancë të paparë.»​—TOMASHI, RRITËS EKSPERT I KUAJVE.

PËR shumë njerëz, kuajt janë kafshët më të bukura, të preferuar për hijeshinë dhe vrullin e pafre teksa ngrihen mbi këmbët e pasme, rrahin dheun me thundra, turfullojnë gjithë krenari dhe turren para me guxim. Janë bukuria vetë.

Në rrjedhën e shekujve, në shumë zona klimatike e terrene, janë krijuar një larmi racash. Kali i racës së pastër arabe mbahet si një nga racat më tërheqëse. Klasifikohet si kalë gjaknxehtë, me energji, shpejtësi, rezistencë dhe zgjuarsi të atillë që e bën të shkëlqyer për sporte.

Të bën përshtypje që Polonia, në qendër të Evropës, ka një traditë të pasur për rritjen e këtyre kuajve plot gjallëri. Për rritësit dhe ekspertët e kuajve, disa nga kuajt më të çmuar arabë me gjak më të pastër kanë lidhje me Poloninë. Si ka mundësi? Kjo pyetje dhe të tjera iu drejtuan disa rritësve kuajsh dhe ekspertëve të kësaj fushe.

Ç’thonë të apasionuarit për këtë racë?

Si fillim, le të njihemi pak më mirë me kalin e racës së pastër arabe. Atë e kanë lidhur gjithmonë me Lindjen e Mesme. Tomashi, rritës ekspert i kuajve, shpjegon: «Për shekuj të tërë, fiset beduine rafinuan dhe ruajtën pastërtinë e racës arabe. Falë përzgjedhjeve të rrepta dhe kujdesit gjithë përkushtim të rritësve të kuajve, u krijua kjo racë e vlerësuar. Zakonisht këta kuaj janë të hirtë, të kuqërremë ose ngjyrë gështenjë dhe tek-tuk të zinj.»

Zhaneta, që merret me rritjen e kuajve arabë, thotë: «Kanë bukuri të rrallë dhe mendohet se, nga gjithë racat e kuajve, kjo është më e pastra dhe më e lashta.» Njihen jo vetëm për temperamentin e zjarrtë, por edhe për kurajën e rezistencën. Mushkëritë e forta brenda kraharorit të gjerë e të thellë i bëjnë kuajt arabë të përsosur për kalërim në distanca të gjata.

Nga Arabia në Poloni

«Po si erdhën në Poloni kuajt arabë?»—e pyesim Tomashin, që ka atje një fermë për mbarështimin e kuajve. «Mbase në fillim i solli një emisar i mbretit që kthehej nga një prej udhëtimeve të shumta në sarajet e sulltanit të Stambollit në shekullin e 16-të,—shpjegon ai.—Ama, për një gjë s’ka pikë dyshimi: programi për mbarështimin e tyre në Poloni filloi që në fund të shekullit të 18-të.» Izabela Pavelec-Zavacka, rritëse eksperte e kuajve arabë, thekson rolin që luajti njëfarë konti Vacuaf Zhevuski. Si lëvrues i kulturës orientale, ai «nxiti dhe organizoi ekspedita për të importuar kuaj nga Arabia» dhe solli në Evropë 137 kuaj të racës së pastër.

Falë ngulmimit dhe zellit të Zhevuskit, në vitin 1817 u ngrit e para fermë për mbarështimin e kuajve polako-arabë në fshatin Januf Podlaski, në Poloninë Lindore. «Hapat e parë dukeshin premtues. Për kuajt kujdeseshin rritës të zotë,—shpjegon Tomashi.—Mirëpo, dy luftërat botërore që plasën në zemër të Evropës, bënë kërdinë në fermat e Polonisë. Pjesa më e madhe e kuajve ngordhën, morën arratinë ose u grabitën.» Sidoqoftë, pas Luftës II Botërore programi i mbarështimit rifilloi mbarë.

Sot në Poloni ka të paktën 30 ferma për mbarështimin e kuajve arabë. Dyqind vjet traditë garantojnë kuaj me cilësi të shkëlqyera. Kështu Polonia është bërë një nga qendrat më të rëndësishme për mbarështimin e kuajve arabë, ku vërshojnë ekspertë dhe të apasionuar nga mbarë bota që të ndjekin ankande dhe shfaqje prestigjoze të përvitshme.

Kujdesi i përditshëm për kalin arab

Për të mbarështuar kuaj race cilësorë që bëhen të shquar, rritësit duhet t’ua plotësojnë mirë nevojat. Maugorzhata, një tjetër pronare ferme, shpjegon: «Është punë e ndërlikuar të kujdesesh për kalin arab. Duhet të sigurojmë një program ushqimi të ekuilibruar, të përshtatshëm për kalin gjaknxehtë, që ta mbajmë në formë dhe të bukur. Pelat mbarsa që do të pjellin së shpejti, duan vëmendje të veçantë.» * Ç’lloj ushqimi është më i miri për kalin arab?

Maugorzhata thotë: «E nisim ditën duke u shtënë sanë kuajve, që u jep gjithë lëndët ushqyese të nevojshme, përfshirë vitaminat dhe mineralet jetësore. Tërshëra e përzier me byk ose lëmishte është goxha e ushqyeshme; edhe elbi dhe himet e grurit janë të mira. Por kuajve u lezeton më tepër tagjia me jeshillëqe të njoma, pra me bar ose jonxhë, si edhe patatet, karotat dhe panxhari. Në dimër, shpesh rritësit blejnë tagji të gatshme që është e pasur në proteina. Si pjesë të ushqimit të tyre, kuajt arabë kanë nevojë edhe të lëpijnë kripë, prandaj sigurohen blloqe të vogla kripe të përzier me minerale a barishte që u qetësojnë temperamentin e zjarrtë. Sidoqoftë, duhet thënë se as sana a tagjia më e mirë nuk krahasohen me livadhet plot bar. Dhe një gjë e fundit: kuajt duhet të kenë ujë të pastër në çdo kohë​—ujin e ndotur as që e prekin.»

Kujdesi i duhur për kalin arab përfshin t’u kushtosh vëmendje vazhdimisht lëkurës dhe qimeve. Kjo kërkon ta pastrosh me merak, ta masazhosh butë me furça speciale dhe ta përkëdhelësh me dorë. Por nuk mbaron me kaq, siç tregon Tomashi: «Është thelbësore t’i pastrosh çdo ditë thundrat, pasi kjo parandalon gjithfarë sëmundjesh, ndër të cilat dhe kanceri. Duhet të tregohemi vigjilentë sidomos kur i kontrollojmë sytë, flegrat e hundës, buzët dhe veshët.» Zhaneta shton: «Që të jetë në formë dhe i hijshëm, kalit i duhet hapësirë që të rendë, si edhe rërë, baltë ose bar ku të rrokulliset. Kur djersin pasi ka rendur me galop ose revan, duhet mbuluar me batanije e pastaj të pastrohet.»

Ekspertët theksojnë sa rëndësi ka të kuptosh çfarë i nevojitet secilit kalë. Ja si shprehet Maugorzhata: «Mendohet se kuajt arabë kanë një shqisë të gjashtë—vlerësojnë shoqërinë e njeriut, prekjet dhe përqafimet. Këto shprehje përzemërsie të njeriut e rritin besimin e kalit te kalorësi gjer në atë pikë sa i përkushtohet plotësisht atij. Shpesh ata hingëllijnë gjithë gëzim për t’iu përgjigjur një buzëqeshjeje a përqafimi ose kur u jep diçka të shijshme, si një karotë a një copë sheqer. Kush është i dashuruar pas kuajve, kujdeset me ëndje për ta.» Tomashi e përshkruan kështu pasionin e tij: «U dashurova menjëherë pas kuajve. Janë kaq të bukur dhe me një elegancë të paparë. Por s’është kollaj t’ua fitosh besimin. Mua m’u deshën gjithë ato vite.»

E ardhmja e kuajve

Nuk mbahet mend që kur njerëzit janë magjepsur para bukurisë, shpejtësisë, zhdërvjelltësisë, forcës dhe zgjuarsisë së kuajve, sidomos atyre arabë, dhe kanë krijuar një lidhje unike me ta. Të vjen keq që po kjo lidhje është shfrytëzuar për qëllime të mbrapshta në luftëra, ku kanë ngordhur me qindra kuaj. Megjithatë, kur të sundojë Mbretëria e Perëndisë, njerëzit do t’i përdorin kuajt vetëm për qëllime fisnike, gjithnjë në lavdi të Krijuesit të tyre, Perëndisë Jehova.

[Shënimi]

^ par. 14 Mbarështuesi mund të vendosë se kur duhet të mbarset një pelë. Normalisht ajo mund të pjellë çdo vit, por nganjëherë nuk është në gjendje. Në një jetëgjatësi mesatare prej 25-30 vjetësh, pela pjell 15-18 mëza.

[Figura në faqen 15]

Pela dhe mëzi

[Figurat në faqen 16]

Kujdesi i përditshëm për kalin arab përfshin:

1. T’i kashaisësh me merak lëkurën dhe qimet

2. T’i pastrosh thundrat

3. T’i shprehësh përzemërsi

[Figura në faqen 17]

Kuaj hamshorë që luajnë në borë