Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si ta pranoj dhe të qetësoj plagën?

Si ta pranoj dhe të qetësoj plagën?

Si ta pranoj dhe të qetësoj plagën?

«Kur mora vesh se më vdiq babai, u mpiva nga tronditja dhe dëshpërimi. Më mbytën ndjenjat e fajit se nuk iu ndodha pranë kur vdiq. Asgjë s’krahasohet me dhembjen e thellë që sjell humbja e një njeriu të dashur. Kam shumë mall për babanë!»​—Sara.

NË ÇDO kulturë a fe, shumica e njerëzve ndihen si mbi gjemba kur flitet për vdekjen. Për ta lehtësuar disi sikletin, disa gjuhë përdorin mjaft eufemizma. Në shqip, për të thënë se dikush «vdiq» përdoren shprehje, si «u nda nga gjiri ynë», «na la» ose «mbylli sytë».

Sidoqoftë, edhe termat më të butë nuk e fashitin dot trishtimin e thellë që ndiejnë shpesh ata që humbin një njeri të dashur. Në rastin e disave, hidhërimi është kaq mbytës sa nuk arrijnë ta pranojnë realitetin.

Nëse të ka rrëmbyer vdekja një njeri të dashur, edhe ti mbase lufton me veten që ta pranosh këtë humbje dhe ta qetësosh plagën. Madje, ndoshta hiqesh sikur je mirë kur përbrenda ndihesh krejt ndryshe. Natyrisht, si e shpreh hidhërimin njëri, nuk e shpreh tjetri. Prandaj, s’do të thotë se po i ndrydh ndjenjat nëse nuk e shfaq pikëllimin në sy të njerëzve. * Gjithsesi, në rast se ndihesh i detyruar të vësh një maskë për hir të të tjerëve​—mbase të familjarëve të hidhëruar—​mund të kesh pasoja.

«S’kisha kohë për dhembjen time»

Të marrim rastin e Natanielit, një të riu që i vdiq e ëma kur ishte 24 vjeç. «Në fillim, isha i çoroditur,—tregon ai.—Mendoja se nga unë pritej të mbështetja babanë dhe shumë nga shoqëria e mamasë që ishin pikë e vrer. S’kisha kohë për dhembjen time

Kaloi më shumë se një vit dhe Natanieli kuptoi se akoma nuk e kishte pranuar humbjen dhe s’i ishte qetësuar plaga. Ai thotë: «Babai prapë më telefonon herë pas here që të zbrazë brengën e tij dhe kjo është gjë e mirë. Ka nevojë të flasë për këtë dhe e ndihmoj me kënaqësi. Por ama, kur unë kam nevojë të më mbështetin, më duket sikur s’kam ku të përplasem.»

Edhe ata që kujdesen për të tjerët​—ku përfshihet edhe personeli mjekësor që shpesh përballet me realitetin e vdekjes—​mund të ndihen të detyruar t’i ndrydhin ndjenjat. Ja ç’ndodhi me Heloizën, që është mjeke nga më se 20 vjet. Ajo punonte në një zonë ku njerëzit janë të lidhur ngushtë dhe kishte marrëdhënie të ngrohta me pacientët. Heloiza thotë: «Iu ndodha pranë shumë prej tyre në momentin e vdekjes, dhe disa i kisha miq të shtrenjtë.»

Ajo e dinte se të derdhësh lot është një mënyrë e natyrshme për t’u lehtësuar. «Por e kisha të vështirë të qaja,—tregon Heloiza.—Nga meraku i madh që të isha e fortë për të tjerët, i mbaja përbrenda ndjenjat. Mendoja se këtë pritnin nga unë.»

«Shtëpia dukej bosh pa të»

Ndoshta vetmia është një nga vështirësitë më të mëdha për ata që humbin një njeri të dashur. Për shembull, Ashli ishte 19 vjeçe kur i vdiq e ëma nga kanceri. Ajo thotë: «Pas kësaj, ndihesha krejt e humbur dhe e vetmuar. Mamaja ishte shoqja ime më e ngushtë. Kalonim shumë kohë bashkë.»

Ashli e kishte të vështirë të kthehej çdo ditë në shtëpi dhe të përballej me faktin që mamaja nuk ishte aty. «Shtëpia dukej bosh pa të,—thotë ajo.—Kushedi sa herë shkoja në dhomën time e qaja ndërsa shihja fotografitë e saj dhe mendoja për gjërat që bënim dikur bashkë.»

Nëse ke humbur një familjar a mik të shtrenjtë, ji i sigurt se nuk je vetëm në pikëllimin tënd. Siç do ta shohim, shumë të pikëlluar kanë gjetur mënyra të efektshme për ta përballuar dhembjen.

[Shënimi]

^ par. 5 Meqë njerëzit e shfaqin hidhërimin në mënyra të ndryshme, nuk është e drejtë që të tjerët të nxjerrin përfundime kur dikush nuk i shfaq haptas ndjenjat pas vdekjes së një njeriu të dashur.

[Diçitura në faqen 5]

«Ndihesha krejt e humbur dhe e vetmuar. Mamaja ishte shoqja ime më e ngushtë»​—Ashli