Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si t’i bëj vend vetes në shoqëri?

Si t’i bëj vend vetes në shoqëri?

Të rinjtë pyesin

Si t’i bëj vend vetes në shoqëri?

«Jam 21 vjeçe. Këtu s’ka shumë të moshës sime, kështu që më duhet të rri ose me gjimnazistë ose me çifte. Grupit të parë i rri mendja te provimet, kurse grupit të dytë te kostoja e jetës. Mua asnjëra nga këto s’më lë pa gjumë natën. Sa mirë do të ishte sikur të gjeja shokë që të më hahej muhabeti!»​—Karmeni. *

THUAJSE çdokush, pavarësisht nga mosha, dëshiron që të tjerët ta pranojnë. Doemos që edhe ti e do këtë. Ja pse lëndohesh aq shumë kur të mënjanojnë ose të shpërfillin, si të jesh i padukshëm​—«thjesht si një figurë aty në sfond», siç e përshkruan veten Mikela 15-vjeçare.

Natyrisht, nëse je Dëshmitar i Jehovait, ke një vëllazëri të tërë mes të cilëve mund të gjesh veten. (1 Pjetrit 2:17) E prapëseprapë, nganjëherë mund të të duket vetja i huaj. «Rrugës kur ktheheshim nga mbledhjet e krishtere, ulesha në fund të makinës e qaja,—kujton Helena 20-vjeçare.—Sa më shumë luftoja të përshtatesha, aq më shumë shkurajohesha.»

Ç’mund të bësh nëse ndihesh si i huaj? Që t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje, në fillim le të përcaktojmë (1) me ç’lloj njerëzish e ke më të zorshme të përshtatesh dhe (2) si reagon zakonisht kur je me ta.

Vër një ✔ afër grupit me të cilin mendon se nuk puqesh gjëkundi.

1. Mosha

□ moshatarët □ të rinjtë më të mëdhenj □ të rriturit

2. Dhuntitë

Njerëzit

□ sportivë □ e talentuar □ intelektualë

3. Tipi

Njerëzit

□ e sigurt në vetvete □ që pëlqehen në shoqëri □ që rrinë me grupin e vet

Tani vër një ✔ afër pohimit që përshkruan reagimin tënd tipik kur je me njerëzit që veçove sipër.

□ Hiqem sikur kam të njëjtat interesa ose aftësi.

□ I shpërfill interesat e tyre dhe flas për të miat.

□ Rri gojëkyçur dhe, me të m’u dhënë rasti, iki.

Tani që përcaktove me cilin grup e ke më të sikletshme të përshtatesh dhe si e ke përballuar situatën, jemi thuajse gati të shqyrtojmë si të gjesh veten në shoqëri. Por më parë duhet të njohësh e të shmangësh disa postblloqe që s’të lënë të kesh sukses në shoqëri.

POSTBLLOKU 1: Veçimi

Problemi. Kur je me njerëz që kanë interesa a talente të ndryshme nga të tuat, fare lehtë mund të të duket vetja allasoj njeriu, sidomos nëse je tip i ndrojtur. «E kam vdekje të hap muhabetin,—thotë Anita 18-vjeçare.—Më zë frika se mos ia fus kot.»

Çfarë thotë Bibla? «Kush veçohet, kërkon të plotësojë dëshirat e veta egoiste. Ai tërbohet kundër gjithë mençurisë.» (Proverbat 18:1) Po të mbyllesh në guaskën tënde, vetëm sa do ta rëndosh problemin. Në fakt, kur veçohesh, ngec në një rreth vicioz: vetmia të bind se nuk përshtatesh me të tjerët, kështu u rri larg njerëzve, kështu ndihesh i vetmuar, kështu bindesh se nuk përshtatesh me të tjerët. Dhe ja ku ke ngecur në kurthin e këtij rrethi vicioz e do të vish vërdallë derisa të bësh diçka për ta ndrequr situatën.

«Njerëzit nuk ta lexojnë dot mendjen. Po nuk e shprehe çfarë do, s’ke për ta marrë. Po u mbylle në vetvete, s’ke për të zënë miq. Duhet të bësh ndonjë përpjekje. S’është e drejtë t’ia lësh në derë tjetrit gjithë përgjegjësinë. Miqësia është rrugë me dy korsi.»​—Melinda, 19 vjeçe.

POSTBLLOKU 2: Ankthi

Problemi. Disa janë aq në ankth që të tjerët t’i pranojnë, sa bien në shoqëri të keqe. Mendojnë që më mirë të kenë ca shokë çfarëdo sesa të mos kenë asnjë. Reneja 15-vjeçar thotë: «Ndihesha aq i mërzitur që s’isha te grupi më i pëlqyer i shkollës, sa gati-gati doja të futesha në telashe vetëm që ata të më pranonin.»

Çfarë thotë Bibla? «Atij që shoqërohet me budallenjtë, do t’i shkojë keq» ose, sipas përkthimit Contemporary English Version, «po ndenje me të marrët, do t’i bësh dëm vetes». (Proverbat 13:20) Mos e keqkupto, «budallenjtë» ose «të marrët» për të cilët flet vargu mund të mos jenë injorantë në kuptimin e mirëfilltë. Përkundrazi, mund të jenë nxënës të 10-ës. Por, nëse s’u bëhet vonë për normat e Biblës, në sytë e Perëndisë janë të marrë. Po të ndryshosh si kameleoni që t’u shkosh pas avazit, vetëm sa do t’i bësh dëm vetes.​—1 Korintasve 15:33.

«Jo çdokush është shoqëri që ia vlen. S’ke nevojë për shokë me të cilët ndihesh nën presion që të shndërrohesh në njeri tjetër. Ke nevojë për shokë që të duan vërtet e që do të të gjenden pranë.»​—Paula, 21 vjeçe.

Merr iniciativën

Mos prit që të tjerët të vijnë te ti e të të ftojnë në rrethin e tyre. Xhini 21-vjeçar thotë: «S’mund të presim gjithmonë që njerëzit të përpiqen të afrohen me ne. Duhet të bëjmë edhe vetë përpjekje t’u afrohemi të tjerëve.» Të shohim dy sugjerime që mund të të ndihmojnë ta bësh këtë.

Mos u kufizo te moshatarët. Me sa duket, personazhet biblike Jonatan dhe David kishin nja 30 vjet diferencë, e megjithatë u bënë «miq të ngushtë». * (1 Samuelit 18:1, CEV) Ç’mësim nxjerrim? Që është e mundur të të ngjitë shoqëria me të rriturit! Mendo pak: pse u dashka ta kufizosh veten te një grup-moshë e pastaj të qahesh se nuk gjen dot shokë? Do të ishte si të vdisje urie në një ishull të shkretë ndërsa afër teje deti është plot e përplot me peshq! E vërteta është se afër teje ka njerëz të mirë me të cilët mund të të hahet muhabeti. Një mënyrë për t’i gjetur është të mos i kërkosh shokët vetëm mes moshatarëve.

«Mamaja më nxiste të bisedoja me ata që ishin më të mëdhenj se unë në kongregacion. Më thoshte se do të çuditesha kur të zbuloja sa shumë gjëra të përbashkëta kisha me ta. Kishte të drejtë. Tani kam plot miq!»​—Helena, 20 vjeçe.

Mëso të bashkëbisedosh. Duhen përpjekje që të hysh në bisedë, sidomos nëse je tip i druajtur. Por mund t’ia dalësh. Sekreti është (1) të dëgjosh, (2) të bësh pyetje dhe (3) të tregosh interes të sinqertë.

«Mundohem të mos jem llafazane, por dëgjuese e mirë. Pastaj, kur flas, përpiqem të mos e vërtit bisedën rreth vetes ose të mos i nxjerr të tjerët si më të këqij.»​—Serena, 18 vjeçe.

«Nëse dikush ka qejf të flasë për diçka që s’ia kam haberin, i kërkoj të më shpjegojë ndonjë gjë. Kështu shpresoj që biseda të zgjasë ca më tepër.»​—Xharedi, 21 vjeç.

Mbase si natyrë je i rezervuar dhe këtu s’ka asnjë të keqe. Nuk ka pse të shndërrohesh në tip të hedhur. Megjithatë, nëse mendon se nuk e gjen veten në shoqërinë e të tjerëve, provo të zbatosh sugjerimet e këtij artikulli. Dalëngadalë mund të ndihesh si Lea. Ajo thotë: «Jam tip i ndrojtur, prandaj duhet ta detyroj veten që të bisedoj me njerëzit. Mirëpo, nëse dëshiron të zësh miq, duhet të jesh miqësor, kështu që kam filluar të hyj në bisedë me të tjerët.»

[Shënimet]

^ par. 3 Në këtë artikull, emrat janë ndryshuar.

^ par. 31 Ka të ngjarë që Davidi të ketë qenë adoleshent kur lidhi miqësi me Jonatanin.

[Kutia dhe figurat në faqen 19]

JA Ç’THONË MOSHATARËT E TU

«Mundohem që në mbledhjet e krishtere të flas të paktën me njërin nga ata që s’më ka shkuar në mend të bisedoj. Kam vërejtur se thjesht një përshëndetje mund të jetë shkëndija e një miqësie.»

«Ishte kollaj të rrija duarkryq e pastaj të thosha se të tjerët s’më kishin me sy të mirë dhe s’kisha shanse të përshtatesha me ta. Por vështirësia ishte të përpiqesha t’i ndreqja gjërat. Ama, në fund të fundit, kur merr iniciativën, shpërblehesh dhe bëhesh njeri me karakter.»

«Dalëngadalë mësova të futesha në bisedat e të rriturve. Ça sikleti ishte në fillim! Mirëpo në fund më doli për mirë, se që në moshë të njomë krijova lidhje që do të zgjatin tërë jetën me miq që më gjenden gjithmonë pranë.»

[Figurat]

Lorena

Rejoni

Kerisa

[Kutia në faqen 20]

PSE TË MOS PYESËSH PRINDËRIT?

A e kishe problem të përshtateshe me të tjerët kur ishe sa unë? Me cilin grup e kishe më të vështirë të përshtateshe? Si ia dole?

․․․․․

[Diagrami në faqen 20]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

RRETHI VICIOZ I VETMISË

jam I VETMUAR, prandaj ndihem . . .

. . . si I FLAKUR TEJ, prandaj . . .

. . . MBYLLEM në guaskë, prandaj ndiej se . . .