Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çmoji dhuratat e tua të pashoqe

Çmoji dhuratat e tua të pashoqe

Çmoji dhuratat e tua të pashoqe

TRUPI i njeriut është i aftë për një pafundësi gjërash. Asnjë kafshë nuk ka aftësi kaq të larmishme. Një arsye për këtë është fakti që mund të qëndrojmë në këmbë, e kjo jo vetëm zgjeron pamjen që na rrok syri, por edhe na i lë të lira krahët e duart për gjithfarë punësh. Sa shumë do të kufizoheshin veprimet tona sikur të na duheshin të katra gjymtyrët për të ecur!

Një tjetër epërsi është sistemi ynë ndijor tejet i sofistikuar, që do jetë boshti i këtij artikulli. Ky sistem përfshin duart, veshët, sytë dhe, sigurisht, trurin e pakrahasueshëm. Le t’i shqyrtojmë një nga një.

Dora e njeriut

Duart tona janë instrumente të bukura me një saktësi të habitshme. Me to mund të shkojmë perin në gjilpërë, të godasim me sëpatë, të pikturojmë një portret a të luajmë në piano. Duart tona janë edhe tejet të ndjeshme. Me një cekje të vetme mund të kuptojmë nëse një material është gëzof, letër, lëkurë, metal, ujë apo dru. E pra, duart janë shumë më tepër se vegla për të kapur e përdorur gjëra. Janë edhe burim njohurie për botën që na rrethon. Gjithashtu, me anë të tyre përcjellim ngrohtësi e dashuri.

Pse dora e njeriut është kaq e zhdërvjellët, shprehëse, e ndjeshme dhe e gjithanshme? Arsyet janë të shumta. Le të ndalemi te katër nga ato.

1. Të dyja duart kanë gjithsej më shumë se 50 kocka, afro një e katërta e gjithë kockave të trupit. Falë kombinimit të ndërlikuar të pjesëve të saj​—kockave, nyjeve, dejve​—dora është jashtëzakonisht e zhdërvjellët.

2. Gishti i madh rri kundrejt të tjerëve dhe fiksohet te një nyjë si samar​—një strukturë gjeniale e përbërë nga dy sipërfaqe në formë samari, pingul me njëra-tjetrën. Kjo nyjë, tok me muskujt dhe indet e tjera që lidhen me të, i jep gishtit të madh një zhdërvjelltësi e forcë të habitshme.

3. Dora komandohet nga tri grupe muskujsh. Dy grupet më të fuqishme​—ato që shkaktojnë tkurrjen dhe shtrirjen​—ndodhen në parakrah dhe i vënë në lëvizje gishtat nëpërmjet dejve. Sa kaba dhe e ngathët do të ishte dora sikur këta muskuj të gjendeshin në të! Falë grupit të tretë, që është shumë më i vogël dhe ndodhet tamam në dorë, lëvizjet e gishtave janë precize.

4. Mund të themi se gishtat janë sensorë të gjallë, pasi në majat e tyre gjenden afro 2.500 receptorë në një centimetër katror. Për më tepër, receptorët janë të shumëllojshëm, e çdo lloj ka funksionin e vet. Falë tyre mund të dallojmë materialin, temperaturën, lagështinë, dridhjet e presionin dhe të ndiejmë dhembje. Si rrjedhojë, ndër gjithë sensorët e prekjes që ekzistojnë sot, gishti i njeriut është më i ndjeshmi.

Veshi i njeriut

Disa kafshë mund të dëgjojnë tinguj me frekuenca përtej diapazonit të tingujve që dëgjon njeriu. Megjithatë, specialistët e dëgjimit thonë se kombinimi i veshëve me trurin e njeriut është për t’u admiruar. Me sistemin tonë të të dëgjuarit mund të dallojmë volumin, lartësinë dhe tonin e tingullit e të kuptojmë me përafërsi nga ç’drejtim e largësi vjen. Veshi i një njeriu të shëndetshëm dëgjon tinguj me frekuencë 20 deri në 20.000 herc, që janë ciklet e dridhjes së tingullit në sekondë. Ndjeshmëria më e mirë është në diapazonin 1.000 deri në 5.000 herc. Madje ne mund të diktojmë edhe një ndryshim prej vetëm një herci, ta zëmë nga 440 në 441 herc.

Në fakt, një vesh i shëndetshëm është kaq i ndjeshëm sa mund të kapë edhe tinguj që amplitudën e dridhjes së ajrit në timpanin e veshit e kanë më të vogël se diametri i një atomi. Siç mësohet në një kurs universitar për dëgjimin, «sistemi i të dëgjuarit te njeriu u afrohet kufijve fizikë teorikë të ndjeshmërisë. . . . Sikur të ishte më i ndjeshëm ndaj tingujve, s’do të kishte ndonjë vlerë të madhe, sepse do të dëgjonim thjesht një ‘fëshfërimë’» nga lëvizjet rastësore të atomeve e molekulave të ajrit.

Dridhjet në timpanin e veshit përforcohen mekanikisht nga një sërë levash dhe përcillen në veshin e brendshëm me anë të disa kockave të vogla, që quhen çekiç, kudhër dhe yzengji. Po sikur veshët t’i godasë befas një zhurmë shurdhuese? Në kësi rastesh, hyn në lojë një mekanizëm mbrojtës i brendshëm. Ai vepron si një muskul që përshtat kockat e vogla në një mënyrë që të pakësohet forca e tingullit. Sidoqoftë, veshët nuk janë të pajisur të durojnë gjatë zhurma të forta. Ekspozimi ndaj tyre mund ta dëmtojë përgjithmonë dëgjimin. Prandaj, kujdesu për këtë dhuratë «të mrekullueshme» që të ka bërë Krijuesi yt.​—Psalmi 139:14.

Sistemi i të dëgjuarit na ndihmon të përcaktojmë edhe burimin e tingullit. Sekreti gjendet te disa faktorë, ku përfshihen forma si guaskë e veshit të jashtëm, hullitë e tij, fakti që dy veshët janë të ndarë dhe shkathtësia e trurit për të përpunuar informacionet. Kështu, nëse ndodh që volumi i tingullit të bjerë pakëz nga një vesh në tjetrin ose që tingulli në njërin vesh të arrijë vetëm një të 30 miliontën e sekondës më vonë se në tjetrin, truri t’i drejton sytë në çast nga burimi i tingullit.

Merre me mend sikur të kërkohej t’i përpunoje vetë gjithë këto informacione! S’diskutohet që do të të duhej të përdorje një matematikë mjaft të përparuar, e ta bëje këtë me shpejtësinë e dritës. Nëse një inxhinier do të projektonte një sistem «dëgjimi» që i afrohet sikur edhe një grimë atij që të ka dhënë Krijuesi, kushedi sa lëvdata do të merrte. Mirëpo, sa shpesh dëgjon që njerëzit t’i japin Perëndisë meritën që i takon për veprat e tij mbresëlënëse?​—Romakëve 1:20.

Syri i njeriut

Sipas disa studiuesve, njerëzit me shikim të mirë marrin afro 80 për qind të informacioneve për botën që i rrethon me anë të syve. Falë bashkëpunimit të syve me trurin, ne shohim gjithë ngjyrat, ndjekim pa vështirësi objekte e pamje që lëvizin, njohim modele e trajta dhe shohim me tri dimensione. E veç këtyre, arrijmë të shohim edhe po të ndryshojë shkalla e dritës.

Për këtë të fundit hyjnë në punë një sërë mekanizmash që plotësojnë njëri-tjetrin. Për shembull, diametri i bebëzës së syrit mund të zgjerohet nga 1,5 deri në 8 mm, e kështu sasia e dritës që hyn në sy mund të 30-fishohet. Pastaj drita kalon përmes kristalinit, që e drejton te retina, ku energjia e dritës përqendrohet e rritet 100.000 herë. Ja pse nuk duhet ta shohim kurrë diellin drejtpërdrejt me sy të lirë.

Ndërkohë, në retinë gjenden dy lloje fotoreceptorësh​—konet (rreth 6 milionë), falë të cilëve shohim me ngjyra e me rezolucion të lartë, dhe kleçkat (120-140 milionë), që janë mbi një mijë herë më të ndjeshme se konet dhe na ndihmojnë të shohim kur ka pak dritë. Në fakt, në kushte ideale, kleçka mund të shquajë edhe një foton të vetëm, domethënë një grimcë elementare drite.

Një tjetër mekanizëm që përshtatet, përfshin qelizat nervore të retinës, të cilat lidhen me konet e kleçkat. Sipas Shoqatës Okulistike Amerikane, këto qeliza nervore përshtaten «në pak sekonda dhe e përmirësojnë 10 herë a më tepër shikimin natën. Përshtatja e neuroneve është pak a shumë si të kesh një kamerë që kap njëherazi lëvizje me shpejtësi të madhe dhe lëvizje të ngadalta».

Shpesh inxhinierët projektojnë kamera, skanerë dhe kompjuterë, bashkë me programe që u përshtaten. Mirëpo, përshtatja dhe sofistikimi i këtyre as që krahasohen me sistemin tonë ndijor. Pyet veten: «A është e arsyeshme të imitoj evolucionistët dhe t’ia jap meritën rastësisë së verbër për sistemin tonë ndijor që s’i gjendet shoku?» Krahasuar me njohurinë që kemi sot, Jobi, një shërbëtor i Perëndisë në lashtësi, dinte fare pak për trupin e njeriut. E megjithatë, i buruan nga zemra këto fjalë për Perëndinë: «Duart e tua më dhanë formë!»​—Jobi 10:8.

Truri i njeriut

Të mrekullon efektshmëria e trurit për të deshifruar lumin e sinjaleve që vijnë nga shqisat dhe vërshojnë në të përmes nervave. Për më tepër, truri i lidh këto sinjale me hollësitë e arkivuara në kujtesë. Kështu, një aromë e veçantë mund ta nxitë menjëherë trurin të nxjerrë në sipërfaqe një përvojë a ngjarje të mbuluar nga pluhuri i harresës. Gjithashtu, nëse të zë syri vetëm një pjesëz të diçkaje të njohur​—ta zëmë, majën e bishtit të maces sate​—truri plotëson hollësitë që mungojnë, e kështu e di se macja është diku afër.

Sigurisht, kur lindim, truri nuk është programuar të dijë ç’pamje ka macja, ashtu siç nuk është programuar të njohë aromën e trëndafilit, gurgullimën e ujit ose ndjesinë e prekjes së gëzofit. Truri mësoi t’i bënte këto lidhje. Kjo vërehet qartë në rastet e njerëzve që kishin lindur të verbër por fituan shikimin, ndoshta falë një operacioni. Trurit të tyre i duhej të mësonte të interpretonte sinjalet pamore që vërshonin në të. Ç’ndodh me këta njerëz?

Shpejt arrijnë të dallojnë ngjyrat, lëvizjet e disa forma të thjeshta. Por pas kësaj, përparimi ndryshon nga njëri te tjetri. Fëmijët, sidomos të vegjlit fare, vazhdojnë të mësojnë goxha mirë. Mirëpo, me të rriturit nuk ndodh kështu. Ata e kanë tepër të vështirë edhe të njohin fytyrat e njerëzve. E mjerisht, sipas Laboratorit Koh të Institutit Teknologjik në Kaliforni, diçka që vërehet shpesh te të rriturit që konsiderohen të kuruar «është se euforia e fillimit pasohet nga zhgënjimi e çorientimi që shkakton ardhja e shikimit, e kjo shpesh çon në depresion të rëndë».

Këto fakte na ndihmojnë të vlerësojmë më shumë se ata që shëroi Jezu Krishti gjatë shërbimit në tokë u shëruan plotësisht. Të verbërve e të shurdhërve jo vetëm u hapeshin sytë e veshët, por edhe fillonin të njihnin pamjet e tingujt përreth tyre. Po ashtu, memecët flitnin normalisht, e kjo duhet të ketë qenë befasuese sidomos kur shëroheshin ata që kishin lindur me këtë paaftësi. (Mateu 15:30; Marku 8:22-25; Luka 7:21, 22) Veç kësaj, mund të jemi të sigurt se asnjë nga të verbrit që iu kthye shikimi, nuk u zhyt në depresion. Në fakt, një i shëruar e mbrojti me guxim Jezuin, duke ua kthyer me këto fjalë armiqve të tij fetarë: «Që nga lashtësia nuk është dëgjuar kurrë që ndokush të ketë hapur sytë e një njeriu që ka lindur i verbër. Po të mos ishte nga Perëndia ky njeri, ai nuk mund të bënte asgjë.»​—Gjoni 9:1-38.

Në artikullin vijues do të shqyrtojmë disa nga cilësitë tona të brendshme, ku përfshihen kuraja dhe dashuria. A ke pyetur ndonjëherë veten pse vetëm njerëzit kanë potencialin të shfaqin cilësi të tilla? S’ka dyshim se ekzistenca e këtyre veçorive unike të njeriut është një pengesë e madhe për ata që duan të provojnë se jemi thjesht kafshë shumë të evoluara.

[Kutia në faqen 7]

TRURI YNË I MAHNITSHËM

Si regjistrohen në tru prekja, dëgjimi, shikimi dhe nuhatja? Për shkencëtarët kjo është enigmë. Shkencëtari Xherald L. Shrëder tha: «Nuk ka asnjë shenjë që të tregojë si arrin t’i shohësh fjalët që po lexon tani.»

Gjithashtu, shkroi: «Zbulimet rreth funksionimit të ndërlikuar të trurit, dikur fare të paimagjinuara, kanë hedhur dyshime mbi teorinë e cekët se jeta ka evoluar rastësisht.» Pastaj shtoi: «Sikur ta dinte Darvini se ç’mençuri fsheh jeta, jam i sigurt se do të parashtronte një teori krejt tjetër.»

[Diagrami dhe figurat në faqen 5]

(Për tekstin e faqosur shih botimin)

Kocka të imëta

Nyja si samar

Komandimi nga muskujt

Ndjeshmëria e prekjes

[Figura]

Si ndodh që duart tona janë kaq të zhdërvjellëta?

[Figura në faqen 7]

Truri interpreton sinjalet që vërshojnë nga shqisat dhe i lidh me hollësitë e arkivuara në kujtesë