Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dhurata të brendshme që na fisnikërojnë

Dhurata të brendshme që na fisnikërojnë

Dhurata të brendshme që na fisnikërojnë

NJË 50-vjeçar që punon në ndërtim po priste trenin në stacionin e metrosë së Nju-Jorkut. Aty afër, një djaloshi iu morën këmbët buzë platformës dhe ra mes shinave tamam kur po vinte treni. Punëtori mori një vendim në të qindtën e sekondës—u hodh mbi shina dhe e mbajti djalin të rrasur pas toke ndërsa treni u kaloi përsipër pa i dëmtuar.

Në kohën e nazizmit, Dëshmitarët e Jehovait në Evropë nuk pranonin të thoshin Heil Hitler! pasi fjala heil në gjermanisht do të thotë «shpëtim». Ata ishin plotësisht të bindur se Shpëtimtari i tyre ishte Jezu Krishti dhe se «nga askush tjetër nuk vjen shpëtimi». (Veprat 4:12) Ngaqë nuk pranonin ta bënin idhull Hitlerin, shumë prej tyre i morën nga shtëpitë me dhunë dhe i çuan në kampe përqendrimi, ku vazhduan t’u qëndronin besnikë parimeve të krishtere.

Këta shembuj tregojnë se njeriu mund ta vërë mirëqenien e një tjetri​—qoftë edhe të një të panjohuri—para vetes, dhe respektin për parimet para lirisë së tij. A mbështet kjo sjellje idenë se njerëzit janë thjesht kafshë shumë të evoluara? Apo tregon se jemi krijesa më të larta? Mendo për këtë ndërsa bluan në mend pyetjet e mëposhtme.

● Pse kemi ndërgjegje, një ndjenjë të brendshme të së drejtës dhe të së gabuarës?

● Pse mahnitemi kur mendojmë për mrekullitë e krijimit?

● Pse na bëjnë për vete muzika, piktura, poezia e arte të tjera? Fundja, këto nuk janë të domosdoshme për të mbijetuar.

● Pse thuajse në çdo kulturë njerëzit shfaqin dëshirën të komunikojnë me një qenie më të lartë?

● Pse pyesim: «Për ç’arsye ekzistoj?», «Cili është qëllimi i jetës?»

● Kur vdes dikush, pse bëjmë lloj-lloj ceremonish e ritualesh?

● Pse thuajse në mbarë botën njerëzit besojnë te jeta e përtejme? A është dëshira jonë e lindur për të jetuar përgjithmonë veç një rreng që na ka punuar evolucioni?

Ku t’i gjejmë përgjigjet?

Përgjigjet më logjike për këto pyetje i gjejmë në librin e shenjtë më të përhapur në botë, në Bibël. Të shohim ç’thotë ajo për pikat e mëposhtme.

Natyra njerëzore. Njeriu u krijua «sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë», e kjo do të thotë se kemi potencialin të pasqyrojmë cilësitë e Krijuesit. (Zanafilla 1:27) Prandaj njeriu i parë u quajt «bir i Perëndisë».​—Luka 3:38.

Nevoja që të duam e të na duan. «Perëndia është dashuri»,—thuhet te 1 Gjonit 4:8. Meqë jemi bërë sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, kemi nevojë për dashuri që nga djepi gjer në varr. Apostulli i krishterë Pavël shkroi: ‘Po të mos kem dashuri, nuk do të jem asgjë.’ (1 Korintasve 13:2) Gjithashtu, tha: «Bëhuni . . . imitues të Perëndisë, si bij të dashur.»​—Efesianëve 5:1.

Nevoja shpirtërore. «Njeriu s’jeton vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Jehovait.» (Mateu 4:4) Fjalët e Perëndisë, që i gjejmë në Bibël, na zbulojnë personalitetin e tij dhe ç’qëllim ka për ne. Jeta jonë s’mund të ketë vërtet kuptim, nëse nuk marrim njohuri për Perëndinë.

Arsyeja pse vdesim. «Paga që paguan mëkati është vdekja, kurse dhurata që jep Perëndia, është jeta e përhershme.» (Romakëve 6:23) Të mëkatojmë do të thotë të mos jetojmë në lartësinë e normave të Perëndisë për moralin dhe adhurimin. E megjithatë, Perëndia ka si qëllim ta zhdukë mëkatin, t’i përtërijë të gjithë ata që e duan dhe i binden e t’u dhurojë jetën e përhershme në tokën parajsore.​—Psalmi 37:10, 11, 29; Luka 23:43.

A të pëlqen ta shijosh plotësisht jetën, ndoshta duke zhvilluar talente që as i ëndërroje? A dëshiron të mësosh më tepër për Krijuesin tënd dhe qëllimin e mrekullueshëm që ka për ty? Nëse po, të ftojmë të shqyrtosh Biblën, burimin e së vërtetës për Perëndinë. Asgjë tjetër s’do të të falë më shumë kënaqësi sot e në të ardhmen.​—Mateu 5:3; Gjoni 17:3.

[Kutia dhe figura në faqen 9]

QË NË FOSHNJËRI KEMI NEVOJË TË NA DUAN

«Nxitjet dhe dashuria janë gjithë sa i duhet trurit të fëmijës»,​—thotë shkencëtari Xherald L. Shrëder. Pra, sa e rëndësishme është që prindërit t’i vënë veshin urdhrit (drejtuar veçanërisht nënave) që «të duan fëmijët».​—Titit 2:4.

[Figura në faqet 8,9]

Shijojmë plot bukuri e gjëra të këndshme që s’janë të domosdoshme për të jetuar

[Figura në faqen 9]

Njeriut nuk i mjaftojnë vetëm buka e uji. Ka nevojë edhe për drejtim nga Krijuesi