Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kur një fëmijë vuan nga kanceri

Kur një fëmijë vuan nga kanceri

Kur një fëmijë vuan nga kanceri

«U ndjeva tmerrësisht i pashpresë. M’u duk se më rrëshqiti toka nën këmbë. Po më përpinte pikëllimi, sikur e vogla ime tashmë kishte vdekur.»​—Zhailtoni, pasi mori vesh se e bija kishte kancer.

TË MËSOSH se fëmija yt ka kancer mund të jetë një përvojë dërrmuese, madje aq e frikshme sa të të paralizojë. Sa shpesh ndodh? Sipas Unionit Ndërkombëtar Kundër Kancerit, edhe pse «kanceri te fëmijët përbën një përqindje të vogël të të gjitha rasteve me kancer, çdo vit diagnostikohen më shumë se 160.000 fëmijë [në mbarë botën] dhe, te fëmijët në vendet e zhvilluara, kanceri është shkaktari i dytë i vdekjeve, pas aksidenteve». Për shembull, në Brazil, sipas Institutit Kombëtar të Kancerit «çdo vit ka rreth 9.000 raste të reja me kancer te fëmijët».

Kanceri te fëmijët është «një goditje e tmerrshme për gjithë pjesëtarët e familjes, pa përjashtim», siç thuhet në librin À margem do leito​—A mãe e o câncer infantil (Pranë shtratit​—Nëna dhe fëmija me kancer). Diagnoza shpesh nënkupton operacion, si edhe kimioterapi ose rreze a që të dyja, bashkë me efektet anësore të papëlqyeshme. Për prindërit është një traumë që u shkakton frikë, trishtim, ndjenja faji, inat dhe mohim të realitetit. Si mund ta përballojnë prindërit këtë përvojë të dhembshme?

Një burim i rëndësishëm ngushëllimi mund të jenë punonjësit e dhembshur të shëndetësisë. «Ata mund të tregojnë fakte që japin zemër, si edhe të shpjegojnë e t’u paraprijnë disa efekteve anësore që do të vijnë. Këto informacione mund ta lehtësojnë traumën»,​—thotë një mjek në Nju-Jork që ka ndihmuar shumë pacientë me kancer. Një ngushëllim i madh mund të vijë edhe nga prindër të tjerë që i kanë pasur fëmijët me kancer. Me këtë në mendje, Zgjohuni! intervistoi pesë nga këta prindër që jetojnë në Brazil.

Zhailtoni dhe Neja: «Kur vajza jonë ishte dy vjeçe e gjysmë, morëm vesh se kishte leucemi limfoblastike akute.»

Sa zgjati trajtimi?

«Bëri kimioterapi për gati dy vjet e gjysmë.»

Nga ç’efekte anësore vuajti?

«Shpesh kishte të vjella dhe i ranë flokët. Smalti i dhëmbëve iu nxi. Veç kësaj, tri herë u sëmur me pneumoni.»

Si ndiheshit nga e gjithë kjo?

«Në fillim na zuri paniku. Mirëpo, kur pamë se shëndeti po i merrte për mirë, dalëngadalë u ndiem të sigurt se do të shërohej. Tani është gati nëntë vjeçe.»

Ç’gjë ju ndihmoi ta përballonit këtë traumë?

«Pa asnjë fije dyshimi, ishte besimi te Perëndia Jehova, i cili ‘na ngushëlloi në të gjitha shtrëngimet tona’, siç thotë Bibla te 2 Korintasve 1:3, 4. Edhe vëllezërit e motrat tona të krishtere na dhanë mbështetje të jashtëzakonshme. Na shkruanin letra inkurajuese, na merrnin në telefon, luteshin me ne dhe për ne, e madje na ndihmonin ekonomikisht. Pastaj, kur u desh që vajza të shkonte në spitalin e një shteti tjetër brazilian, Dëshmitarët atje na strehuan dhe e bënin me radhë që të na çonin në spital. S’ka fjalë që të shprehin mirënjohjen tonë për gjithë mbështetjen që morëm.»

Luizi dhe Fabiana: «Në vitin 1992 mësuam se vajza jonë kishte një formë të rrallë e agresive të kancerit të vezoreve. Ishte 11 vjeçe.»

Cili ishte reagimi juaj i parë?

«Mohimi. Nuk arrinim ta pranonim se vajza jonë kishte kancer.»

Ç’trajtim i bënë mjekët?

«Bëri edhe operacion, edhe kimioterapi. Pasojat e tyre na i shterën fuqitë fizike dhe emocionale të gjithëve ne. Vajzën e zuri dy herë pneumonia dhe herën e dytë desh vdiq. Gjithashtu, pati mangësi të pllakëzave të gjakut, prandaj herë pas here kishte befas hemorragji nga lëkura dhe nga hunda. Falë mjekimeve, kjo u rrallua.»

Sa kohë zgjati trajtimi?

«Kaluan afro gjashtë muaj nga biopsia deri te cikli i fundit i kimioterapisë.»

Si u ndie vajza për diagnozën dhe trajtimin?

«Në fillim s’e kishte idenë çfarë po ndodhte. Mjeku i tha se kishte ‘një topth në bark që duhej hequr’. Në fund, e kuptoi se gjendja ishte goxha e rëndë. ‘Babi, mos kam kancer unë?’​—më pyeti. Luftova me veten që të gjeja përgjigjen e duhur.»

Si ndiheshit ju kur e shihnit vajzën të vuante?

«S’është e lehtë ta përshkruash dhembjen që provonim. Për shembull, merre me mend ta shohësh vajzën tënde të vogël teksa ndihmon infermieren t’i gjejë një venë për kimioterapinë. Gjatë periudhave më të vështira, shkoja në banjë që të qaja e të lutesha. Një natë, kur nuk isha në vete nga dëshpërimi, i kërkova Jehovait të lejonte të vdisja unë në vend të vogëlushes sime.»

Çfarë ju ndihmoi t’ia dilnit në atë situatë?

«Një ndihmë e madhe ishte përkrahja nga vëllezërit tanë të krishterë. Disa na telefononin nga pjesë të ndryshme të vendit. Një vëlla i dashur më kërkoi të merrja në dorë Biblën dhe lexoi me ngrohtësi disa vargje nga libri i Psalmeve. Unë dhe ime shoqe kishim nevojë të dëgjonim tamam ato shkrime, pasi po përjetonim një nga periudhat më të vështira të trajtimit të vajzës.»

Rozimaria: «Ime bijë ishte katër vjeçe kur e diagnostikuan me një lloj leucemie.»

Si reagove në fillim?

«Nuk e besoja dot. Qaja ditë e natë dhe i përgjërohesha Perëndisë për ndihmë. Edhe vajza tjetër vuante emocionalisht kur shihte sa sëmurë ishte e motra. Në fakt, atë m’u desh ta lija te mamaja ime.»

Ç’efekte anësore pati vogëlushja juaj?

«Nga seancat e përditshme të kimioterapisë u bë anemike, kështu që mjekët i shtuan kurës hekur dhe eritropojetin, që të rritej përqendrimi i rruazave të kuqe të gjakut. Treguesit e saj të gjakut ishin një shqetësim i vazhdueshëm. Veç kësaj, ndodhte të dridhej nga spazmat.»

Sa zgjati trajtimi?

«Bëri dy vjet e katër muaj kimioterapi intensive. Në atë periudhë, i ranë flokët dhe shtoi jashtëzakonisht shumë në peshë. Po shyqyr që ndjenja e humorit e ndihmonte t’i duronte vuajtjet. Pas afro gjashtë vjetësh, mjekët thanë se vajza nuk kishte më ndonjë shenjë të sëmundjes.»

Ç’gjë ju ndihmoi ta përballonit atë situatë sfilitëse?

«Unë dhe vajza luteshim shpesh dhe mendonim për shembuj biblikë të shërbëtorëve besnikë të Perëndisë që duruan gjithfarë hallesh. Ia vumë veshin edhe fjalëve të Jezuit te Mateu 6:34 që të mos u shtojmë shqetësimeve të sotme ankthin për të nesërmen. Gjithashtu, një ndihmë e madhe na erdhi nga bashkëbesimtarët, përfshirë Komitetin e Lidhjes me Spitalet në zonën tonë, si edhe nga personeli i dhembshur mjekësor, që përballet vazhdimisht me situata si jona.»

A njihni ndonjë fëmijë që vuan nga kanceri? Mbase e keni edhe në familje? Nëse po, shpresojmë që falë këtyre intervistave të kuptoni se është normale të pikëlloheni. Siç thotë Bibla, ka «një kohë për të qarë». (Eklisiastiu 3:4) Mbi të gjitha, jini të sigurt se Perëndia i vërtetë, Jehovai, që quhet «Dëgjues i lutjes», do të ngushëllojë këdo që i drejtohet me gjithë zemër.​—Psalmi 65:2.

[Kutia në faqen 13]

Shkrime që ngushëllojnë

«Mos jini kurrë në ankth për të nesërmen, sepse e nesërmja do të ketë ankthet e veta. Secilës ditë i mjafton e keqja e vet.»​—Mateu 6:34.

«I bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotërisë tonë Jezu Krisht, Ati i mëshirave të buta dhe Perëndia i çdo ngushëllimi, i cili na ngushëllon në të gjitha shtrëngimet tona.»​—2 Korintasve 1:3, 4.

«Mos jini në ankth për asgjë, por për çdo gjë, bëjani të njohura Perëndisë kërkesat tuaja me lutje, përgjërime dhe falënderime. Kështu paqja e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim, do të ruajë zemrën dhe fuqitë tuaja mendore me anë të Krishtit Jezu.»​—Filipianëve 4:6, 7.

«Hidhni gjithë ankthin tuaj mbi [Perëndinë], sepse ai interesohet për ju.»​—1 Pjetrit 5:7.

[Kutia dhe figura në faqen 14]

Një masë e dashur

Komitetet e Lidhjes me Spitalet për Dëshmitarët e Jehovait nxitin bashkëpunimin mes spitalit dhe pacientit. Për këtë qëllim, ato i ndihmojnë pacientët Dëshmitarë të gjejnë mjekë të zotë që e respektojnë dëshirën e tyre për t’iu bindur urdhrit biblik: ‘Rrini larg nga gjaku.’​—Veprat 15:20.

[Figura në faqen 13]

Neja, Stefania dhe Zhailtoni

[Figura në faqen 13]

Luizi, Alina dhe Fabiana

[Figura në faqen 13]

Alina dhe Rozimaria