Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të rinjtë pyesin

A jam një dështak?

A jam një dështak?

«Ndihesha inferiore para një shoqes sime. Ajo i bënte të gjitha tak-fak; dukej sikur nuk mundohej kurrë. Kështu, vrisja mendjen pse unë isha aq ters xhanëm. ­Bëhesha armikja më e keqe e vetes.»​—Aneta. *

A TË frenon meraku për mangësitë e tua të provosh diçka të re? A ta lëkundin nganjëherë besimin te vetja komentet pa të keq nga njerëz të rëndësishëm për ty? A të pengon shkurajimi nga gafat e së kaluarës që të përpiqesh prapë? Nëse po, si mund ta flesh mendjen dhe t’i pranosh dështimet e tua, reale a imagjinare?

Do të dalësh i fituar po të gjesh përgjigjen e pyetjes së fundit sepse, herët a vonë, të gjithë dështojmë në diçka. (Romakëve 3:23) Ata që dinë t’i pranojnë dështimet, nuk dorëzohen kollaj. Kjo do të thotë se arrijnë t’i shohin gabimet me sy realist, të ngrihen dhe të përpiqen prapë. E herës tjetër ka më shumë të ngjarë t’ia dalin mbanë. Ndaj le të shohim si mund të kapërcesh tri pengesa​—dështimi i mundshëm, dështimi imagjinar dhe dështimi real.

DËSHTIM I MUNDSHËM → ÇFARË MUND TË NDODHË

Pret më të keqen, kështu që nuk guxon të përpiqesh, me mendimin se ke fare pak shanse t’ia dalësh.

Përcakto problemin. Poshtë vër një ✔ anash pikës ku do të doje të kishe sukses, por që je i sigurt se do të dështosh po e provove.

  • Të mbroj bindjet para shokëve të shkollës

  • Të aplikoj për punë

  • Të flas para një auditori

  • Të merrem me një sport

  • Të këndoj a t’i bie një vegle muzikore

  • Diçka tjetër ․․․․․

Mendoje mirë. Mendo për pikën që veçove sipër dhe pesho rezultatet e mundshme duke iu përgjigjur këtyre pyetjeve:

«Çfarë dëshiroj të ndodhë?»

․․․․․

«Çfarë kam frikë se do të ndodhë?»

․․․․․

Tani shkruaj një arsye pse duhet të përpiqesh, pavarësisht nga rreziku i dështimit.

․․․․․

Shembull biblik. Kur Perëndia Jehova e ngarkoi Moisiun t’i printe kombit të Izraelit, Moisiut menjëherë i shkoi nëpër mend çfarë mund të vente ters. «Ta zëmë se nuk më besojnë»,—i tha Perëndisë. Pastaj u fiksua te mangësitë e veta. «Unë nuk jam njeri i gojës,—tha ai.—Jam i ngathët në fjalë.» Edhe pasi Jehovai i premtoi se do ta ndihmonte, Moisiu iu përgjërua: «Dërgo dikë tjetër, të lutem.» (Dalja 4:1, 10, 13) Si përfundim, ai e pranoi caktimin dhe e dimë si rrodhën gjërat. Nën drejtimin e Perëndisë, i priu popullit të Izraelit për 40 vjet.

Ç’mund të bësh. Mbreti Solomon shkroi: «Gjithë sa dora jote gjen për të bërë, bëje me fuqinë tënde.» (Eklisiastiu 9:10) Pra, mos lejo që frika e dështimit të të paralizojë, por përvishju punës me gjithë shpirt. Pse nuk mendon për ndonjë rast kur një punë e bëre më mirë nga ç’e prisje? Çfarë mësove për veten nga ai sukses? Si mund të të ndihmojë ky mësim të mposhtësh çfarëdo frike që ke tani se mos dështon?

Sugjerim: po të jetë e nevojshme, merr mendimin e njërit prej prindërve a të një miku të pjekur që mund të të ndihmojë të kesh më tepër besim te vetja. *

DËSHTIM IMAGJINAR → ÇFARË MENDON SE KA NDODHUR

Kur një tjetër ia del mbanë, të duket vetja një hiç në krahasim me të.

Përcakto problemin. Me kë po e krahason veten dhe cila arritje e tij të bëri të ndihesh një hiç?

․․․․․

Mendoje mirë. A nënkupton vërtet suksesi i atij njeriu se ti ke dështuar? Shkruaj poshtë ndonjë ngjarje të fundit, si për shembull një provim, ku ti dole mirë, por dikush tjetër doli edhe më mirë.

․․․․․

Tani shkruaj pse ia vlejtën përpjekjet në atë rast.

․․․․․

Shembull biblik. Kaini ‘u nxeh’ kur u duk qartë se Jehovai e pa me pëlqim vëllanë e tij, Abelin. Jehovai e paralajmëroi Kainin të mos e ushqente xhelozinë, por njëherazi shprehu besimin se ai mund t’ia dilte po të donte. Jehovai i tha: «Nëse kthen rrugë dhe vepron mirë, a nuk do të kesh pëlqimin tim?» *​—Zanafilla 4:6, 7.

Ç’mund të bësh. Në vend se ‘të ngjallësh konkurrencë’, qoftë edhe vetëm në mendjen tënde, pranoji arritjet e të tjerëve. (Galatasve 5:26; Romakëve 12:15) Ndërkaq, pa u bërë mburravec, prano edhe aftësitë e tua unike. Bibla thotë: «Secili të tregojë me prova se si është vepra e vet, dhe atëherë do të ketë shkak të ngazëllohet vetëm për veten.»​Galatasve 6:4.

DËSHTIM REAL → ÇFARË KA NDODHUR

Të rri mendja te një dështim i mëparshëm dhe të duket se s’ia vlen të përpiqesh për të pasur sukses.

Përcakto problemin. Cili dështim yti të duket më shkurajues?

․․․․․

Pasi bie, ai që nuk dorëzohet kollaj, ngrihet​—po të jetë nevoja, me ndihmën e dikujt

Mendoje mirë. A tregon dështimi i mësipërm se kush je vërtet? Për shembull, nëse je dorëzuar para ndonjë dobësie, a do të thotë kjo doemos se je i pashpresë? Apo është thjesht një shenjë se ke nevojë për ndihmë? Kur bie teksa merresh me një sport, e pranon një dorë që zgjatet të të ndihmojë dhe i kthehesh lojës, apo jo? Pse të mos veprosh njësoj edhe pasi të shkon huq diçka? Më poshtë shkruaj emrin e dikujt që mund t’i flasësh për problemin tënd. *

․․․․․

Shembull biblik. Hera-herës, apostullin Pavël e shkurajonin dobësitë e veta. Ai shkroi: «Ç’njeri i mjerë që jam!» (Romakëve 7:24) Prapëseprapë, Pavli me sa duket e kuptoi se papërsosmëritë nuk e vulosnin se kush ishte në të vërtetë. Ai tha: «Luftën e shkëlqyer e bëra, vrapimin e përfundova, besimin e ruajta.»​—2 Timoteut 4:7.

Ç’mund të bësh. Mos u fikso te të metat e tua, por mendo edhe për të mirat që ke. S’ka dyshim se Jehovai e bën këtë. Bibla thotë: «Perëndia nuk është i padrejtë, që të harrojë veprën tuaj dhe dashurinë që treguat për emrin e tij.»​—Hebrenjve 6:10; Psalmi 110:3.

Mos harro një gjë: askush nuk është i përsosur. Çdokush dështon ndonjëherë në diçka. Nëse mëson të mos dorëzohesh kollaj, do të fitosh një aftësi jetësore që do të të vlejë goxha kur të rritesh. Te Proverbat 24:16 thuhet: «I drejti mund të bjerë edhe shtatë herë dhe ka për t’u ngritur.» E pra, tamam ky lloj njeriu mund të jesh ti.

^ par. 3 Emri ka ndryshuar.

^ par. 23 Për më shumë informacion, shih Zgjohuni! të majit 2010, faqet 26-28.

^ par. 31 Kaini zgjodhi ta shpërfillte këshillën e Jehovait. Disfata e tij thekson se duhet të frenosh çdo prirje për t’u bërë xheloz nga suksesi i një tjetri.​—Filipianëve 2:3.

^ par. 36 Një i krishterë që ka gabuar rëndë, do të nxjerrë dobi po të flasë me një plak të kongregacionit.​—Jakovi 5:​14, 16.