Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e toleron Bibla skllavërinë?

A e toleron Bibla skllavërinë?

Pikëpamja e Biblës

A e toleron Bibla skllavërinë?

DASHURIA për të tjerët është një nga mësimet thelbësore të Biblës. Mirëpo, dashuria nuk puqet fare me idenë e skllavërisë shtypëse. Prandaj disave u vjen çudi që në Bibël flitet për skllavërinë.

Në kohët e moçme, Perëndia lejoi që populli i tij të kishte skllevër. (Zanafilla 14:14, 15) Edhe në ditët e apostujve, disa të krishterë ishin pronarë skllevërish, e disa ishin vetë skllevër. (Filemonit 15, 16) A do të thotë kjo se Bibla e toleron skllavërinë shtypëse?

Struktura shoqërore kundër parimeve biblike

Kur nisi të shkruhej Bibla, njerëzit tashmë kishin ngritur struktura shoqërore dhe sisteme ekonomike që binin ndesh me parimet e Perëndisë. Disa praktika të tyre dënoheshin në Ligjin e shkruar të Perëndisë, kurse disa të tjera, si skllavërinë, Perëndia vendosi t’i toleronte.

Një enciklopedi biblike thotë për strukturën shoqërore të kombit të lashtë të Izraelit: «Ajo duhej të funksiononte si një vëllazëri ku, nëse gjërat do të shkonin siç duhej, s’do të kishte të varfër [dhe] s’do të shfrytëzoheshin vejushat, të pastrehët a jetimët.» (The International Standard Bible Encyclopedia) Pra, në vend se thjesht ta lejonte një strukturë shoqërore e ekonomike tanimë të vendosur, Ligji i Perëndisë vuri rregulla për skllavërinë në mënyrë që, po të praktikohej, skllevërit të trajtoheshin njerëzisht dhe me dashuri.

Skllavëria në historinë biblike

Vëreni këto rregulla nga Ligji që u dha nëpërmjet Moisiut.

Kush rrëmbente dhe shiste një njeri, dënohej me vdekje. (Dalja 21:16) Megjithatë, një izraelit mund ta shiste veten si skllav. Kjo lejohej kur, pavarësisht nga gjithë masat për të parandaluar varfërinë, zhytej thellë në borxhe, mbase për shkak të vendimeve të pamenda në biznes. Në disa raste mund të fitonte aq para, sa të blinte lirinë.​—Levitiku 25:47-52.

Kjo nuk ishte skllavëria shtypëse që është ndeshur rëndom në shumë vende në rrjedhën e shekujve. Te Levitiku 25:39, 40 thuhet: «Në rast se vëllai yt varfërohet dhe shitet te ti si shërbëtor, mos e vër të punojë si skllav. Duhet ta trajtosh si mëditës, si të shpërngulur.» Pra, kjo ishte një masë e dashur, që tregohej kujdes edhe për izraelitët më të vobektë.

Ai që ishte fajtor për vjedhje dhe nuk kthente dot dëmshpërblimin e plotë sipas Ligjit, mund të shitej si skllav që të shlyente borxhin. (Dalja 22:3) Pasi ta lante borxhin, mund të ishte i lirë.

Nën Ligjin që Perëndia i dha Izraelit, nuk lejohej keqtrajtimi dhe mizoria ndaj skllevërve. Edhe pse zotërinjve u lejohej t’i disiplinonin skllevërit e tyre, ekstremet ishin të ndaluara. Nëse zotëria vriste një skllav, për të duhej marrë hak. (Dalja 21:20) Po ta sakatonte dhe ai humbte, për shembull, një dhëmb a një sy, lihej i lirë.​—Dalja 21:26, 27.

Një izraelit mund të detyrohej të shërbente si skllav maksimumi për gjashtë vjet. (Dalja 21:2) Skllevërve hebrenj u falej liria vitin e shtatë të shërbimit. Ligji kërkonte që çdo 50 vjet, gjithë skllevërit izraelitë anembanë kombit të liroheshin, pavarësisht nga sa kohë kishin shërbyer si skllevër.​—Levitiku 25:40, 41.

Kur një skllav lihej i lirë, zotëria duhej të ishte bujar me të. Te Ligji i përtërirë 15:13, 14 thuhet: «Në rast se e lë të lirë, mos e nis duarbosh. Jepi patjetër ndonjë gjë nga kopeja, nga lëmi yt dhe nga shtypësja e ullinjve dhe e rrushit.»

Më vonë, në ditët e Jezuit dhe të apostujve, skllavëria ishte e zakonshme në Perandorinë Romake. Me përhapjen e krishterimit, patjetër që edhe disa skllevër e pronarë skllevërish do ta dëgjonin lajmin e mirë dhe do të bëheshin të krishterë. As Jezu Krishti vetë, as apostujt e tij nuk predikonin se lajmi i mirë do të sillte ndryshime shoqërore, se nuk mundoheshin të reformonin sistemin ekzistues. Në vend të kësaj, edhe skllevërit, edhe zotërinjtë e tyre nxiteshin ta donin njëri-tjetrin si vëllezër në besim.​—Kolosianëve 4:1; 1 Timoteut 6:2.

Fundi i skllavërisë

Siç ndodh me çdo pyetje rreth Biblës, çështja e skllavërisë duhet parë në kontekst. Një studim i kujdesshëm i Shkrimeve nxjerr në pah se Perëndia s’duron dot kur sheh që njerëzit keqtrajtohen.

Ky shqyrtim tregon edhe se skllavëria që praktikonte populli i Perëndisë dhe që përmend Bibla, nuk është skllavëria mizore e shfrytëzuese që përfytyron sot shumica. Për më tepër, Bibla tregon se në kohën e caktuar Perëndia do të na çlirojë nga çdo formë skllavërie. Atëherë mbarë njerëzimi do të gëzojë lirinë e vërtetë.​—Isaia 65:21, 22.

A DONI TË DINI?

A e toleron Bibla keqtrajtimin e skllevërve?​—Levitiku 25:39, 40.

Si duhej t’i trajtonin të krishterët skllevërit?​—Kolosianëve 4:1.

[Diçitura në faqen 29]

Perëndia s’duron dot kur sheh që njerëzit keqtrajtohen

[Burimi i figurës në faqen 29]

© G.M.B. Akash/​Panos Pictures