«Faleminderit për këtë seri!»
«Faleminderit për këtë seri!»
● Shumë njerëz përqark botës kanë shprehur vlerësimin për serinë «Bashkëbisedim si familje» që del në çdo numër të Zgjohuni!, në faqet 30, 31. Figurat dhe pyetjet që nxitin biseda e të vënë në punë, fletët biblike që priten e ruhen, pjesët «Fëmijë: Gjeni figurat» dhe «Aktivitet si familje» mësojnë e argëtojnë gjithë familjen. Ja disa komente.
«Drejtoj një studim biblik me anë të postës me dy nipër të mi 12-vjeçarë. Pasi u dërgoj pjesën ‘Bashkëbisedim si familje’, ata plotësojnë përgjigjet dhe m’i kthejnë. Duket që kënaqen nga studimi, dhe letërkëmbimi më jep mundësi t’ua zgjeroj më tej disa pika. Faleminderit për këtë seri!»
V. K., Shtetet e Bashkuara
«S’ka shumë që djali im 5-vjeçar më kërkoi që, para se të flinte, të shihnim ndonjë pjesë ‘Çfarë nuk shkon te kjo figurë?’ Gjeta një dhe nisëm të bisedonim për figurën. Pastaj im bir ishte gjithë sy e veshë ndërsa lexoja tregimin nga Bibla. Tani pothuaj çdo mbrëmje ka qejf të studiojë. Ne si familje ju falënderojmë nga thellësia e zemrës që i ndihmoni fëmijët tanë t’u shijojë leximi i Biblës.»
M. F., Francë
«Në një stacion autobusi takova Davidin 12-vjeçar dhe Xheniferin 6-vjeçare. I ati vuri re se po u jepja revista Zgjohuni! udhëtarëve dhe i la të afroheshin për të parë. Ndërsa atë e bir zunë të lexonin, unë dhe vogëlushja kënaqeshim duke vërejtur me kujdes fotografitë dhe ilustrimet e lezetshme të zogjve e kafshëve. Folëm për gjithë gjërat e bukura që ka bërë Perëndia Jehova për kënaqësinë tonë. Kur arritëm te faqja 31, provuam pjesën ‘Fëmijë: Gjeni figurat’. Teksa mundohesha të gjeja të parën, Xheniferi i shfletoi shpejt faqet dhe e gjeti sa hap e mbyll sytë. Kur po kërkonim figurën e dytë dhe të tretë, prapë i gjeti para meje. Në fakt, Xheniferi donte të vazhdonim gjersa gjetëm figurat në dhjetë numra të ndryshëm. Në fund, ajo kërkoi edhe dy revista për babin dhe vëllanë. Kur u ndamë, që të tre shprehën vlerësimin për ato materiale të shkëlqyera.»
M. K., Ekuador