Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
Statistikat e Organizatës Arabe për Sigurinë Rrugore, me qendër në Tunizi, tregojnë se në botën arabe ndodhin mbi 500.000 aksidente rrugore çdo vit, që çojnë në vdekjen e më shumë se 36.000 njerëzve.—AGJENCIA E LAJMEVE ROJTERS, TUNIZI.
«Sipas një sondazhi, për adoleshentët kinezë, Interneti është burimi më i rëndësishëm i informacioneve rreth seksit, pasi edukata seksuale në shkollë e në shtëpi është e çalë.»—CHINA DAILY, KINË.
Spiunim nga kamerat e kompjuterit
Policia gjermane arrestoi kohët e fundit një burrë që akuzohet se ka hyrë në dhomat e dhjetëra vajzave nëpërmjet kamerave të tyre kompjuterike (webcam). Thuhet se, pasi zbuloi fjalëkalimin e kollajshëm të një profili në Internet, ky pirat informatik shtiu në dorë informacionet për të kontaktuar disa njerëz. Mendohet se profilin e vjedhur e përdori që t’u dërgonte shoqeve të viktimës programe të dëmshme (malware) të maskuara si screen saver. Kështu mund t’i kontrollonte nga larg kompjuterët e tyre dhe të përdorte kur të donte kamerat. Sipas Aachener Zeitung, nga një kontroll i befasishëm në banesën e tij u zbulua se kishte tre milionë foto dhe se «ishte lidhur njëherazi me kompjuterët e 80 vajzave pa dijeninë e tyre».
Gjuhë të panjohura për shkencën
Gjuhëtarët që studiojnë gjuhët pak të njohura aka dhe mixhi—të folura në Arunakal-Pradesh, shtet verilindor i Indisë, në kufi me Bhutanin e Kinën—zbuluan një gjuhë të tretë vendëse të quajtur koro. «Kjo gjuhë është e padokumentuar dhe plotësisht e panjohur»,—tha studiuesi Gregori Anderson, drejtor i një instituti për mbrojtjen e gjuhëve të rrezikuara (Living Tongues Institute for Endangered Languages). Koroja kishte mbetur pa u zbuluar ngaqë e flasin vetëm nja 800 veta në një zonë ku nuk lejohet të shkojë çdokush. Gjatë 2009-ës, u identifikuan 24 gjuhë të reja në një zonë të Kinës ku dikur thuhej se flitej vetëm një.
Derra të egër radioaktivë
«Që nga viti 2007, [në Gjermani] janë katërfishuar shpenzimet qeveritare për dëmshpërblimin e gjuetarëve që humbin të ardhurat prej derrave të egër radioaktivë»,—njofton gazeta Spiegel Online. Shumë gjuetarë shesin mish derri të egër, por shteti e ndalon shitjen e mishit si ushqim për njerëzit nëse ka përqindje të lartë ceziumi-137, një element radioaktiv i çliruar nga aksidenti i Çernobilit 25 vjet më parë. Siç shpjegon Spiegel, derrat e egër janë më të prekshëm nga infektimi sepse vdesin për «kërpudha e tartufë, që e thithin goxha rrezatimin». «Natyrisht, shtimi i shpenzimeve vjen më tepër ngaqë popullata e derrit të egër në Gjermani shtohet me ritme marramendëse, jo ngaqë po rritet radioaktiviteti.» Specialistët thonë se ka shumë të ngjarë që problemi i rrezatimit të zgjatë edhe 50 vjet.