Një vit me barinjtë e Uellsit
Një vit me barinjtë e Uellsit
BARINJTË anekënd botës kujdesen për më shumë se një miliard dele. Çdo stinë ka sfidat e veta. Geruini, Joani dhe Riana tregojnë për punën e barinjve në malet e Uellsit, ku raporti është 3 dele për njeri.
Qengjat e pranverës
Me trokitjen e pranverës, barinjtë punojnë ditë e natë që të ndihmojnë delet kur pjellin.
Geruini: «Periudha kur lindin shqerrat, është më e lodhshmja e vitit, por pa dyshim edhe më e kënaqshmja. Një qen i stërvitur mirë, s’ka të çmuar. Nëse një dele lind me vështirësi, qeni im e zë lehtë dhe e mban shtrirë që unë ta ndihmoj.»
Joani: «Kushedi sa dele kam ndihmuar të pjellin, por gjithnjë është një përvojë e pazakontë të shohësh një qengj të sapolindur.»
Qethja e verës
Puna e bariut në verë është të qethë delet që, në varësi të racës, mund të japin deri në 10 kg lesh secila. Një bari mund të qethë edhe 250 dele në ditë.
Riana: «Në fillim, heq ndonjë pjesë leshi të pistë përqark bishtit që delja të jetë gati për qethje. Një qethës i zoti mund ta qethë me makinë një dele për dy minuta. Ndihmoj edhe unë për të pastruar bashkat, pastaj i mbështjell rrotull dhe i fus në thasë për t’i shitur.»
Ndërkohë, në viset më të ulëta, barinjtë shpresojnë të kenë dy javë pa reshje që të kositin livadhet dhe të bëjnë sanë cilësore. Me të mund të ushqejnë bagëtinë gjithë dimrin. Familja dhe miqtë ndihmojnë për transportin.
Joani: «Një nga momentet më të kënaqshme për mua është të shëtis luadheve mëngjesin kur ka mbaruar gjithçka dhe prodhimi është futur brenda.»
Grumbullimi i vjeshtës
Barinjtë i zbresin tufat nga mali që të ndajnë delet nga qengjat e zvjerdhur.
Joani: «Edhe pse në disa zona malore s’ka gardhe ose mure guri, delet rrallëherë humbin a bredhin në tokat fqinje. Në fermën tonë delja-mëmë i njeh kufijtë. Asaj ia ka mësuar e ëma ose bariu dhe ajo ua mëson qengjave femër. Por, për të gjetur ato pak që humbin, ndonjëherë kërkojmë orë, madje ditë të tëra.»
Ndër të tjera, barinjtë kontrollojnë, blejnë dhe bëjnë gati deshtë për delet. Për 25 deri në 50 dele duhet një dash. Ata shihen si investim për të ardhmen e kopesë.
Dhjetë deri në dymbëdhjetë javë pas çiftimit, bariu përcakton me një skaner me ultratinguj se cilat dele janë mbarsur dhe sa qengja do të pjellë secila në pranverë. Delet shterpë shiten. Delet barrsë me një qengj grupohen bashkë, kurse atyre me binjakë ose trinjakë u kushtohet vëmendje e veçantë dhe u jepet më shumë ushqim.
Ushqimi i dimrit
Ato pak orë me dritë që ka dimri, bariu i harxhon kryesisht duke ushqyer delet barrsë. Sido që të jetë moti, bariu u rri gjithmonë afër dhenve dhe kujdeset që të kenë ushqim të bollshëm kur bën ngricë e madhe.
Geruini: «Në këtë periudhë, delet kanë nevojë për bariun dhe i kanë sytë tek ai për ushqim e mbrojtje.»
Riana: «S’ka gjë më emocionuese se t’i shijosh të gjitha stinët në natyrë dhe të shohësh me sytë e tu tërë ato ndryshime që pësojnë kafshët dhe bimët—një shpërblim i kënaqshëm tek kujdesem për delet, punë që e dua kaq shumë.»
[Harta në faqen 12]
(Për tekstin e faqosur shih botimin)
IRLANDA E VERIUT
IRLANDË
SKOCI
UELLS
ANGLI
[Figura në faqen 14]
Joani kontrollon një dash
[Figura në faqen 14]
Geruini me një qen të stërvitur mirë