Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A interesohet Perëndia?

A interesohet Perëndia?

MËNGJESIN e 1 nëntorit 1755, qyteti i Lisbonës, Portugali, u shkund nga një tërmet. Pas tij, tsunami dhe zjarret rrafshuan pjesën më të madhe të qytetit dhe vranë me mijëra vetë.

Pas tërmetit të 2010-ës në Haiti, një artikull i gazetës kanadeze National Post thoshte: «Gjithë tragjeditë e mëdha vënë në provë besimin e njerëzimit te një fuqi më e lartë. Por disa, si kjo përsëritje e [tragjedisë së madhe të] Lisbonës, janë provë më e rëndë.» Artikulli mbyllej me fjalët: «Perëndia mund ta ketë braktisur Haitin.»

Si ‘i Plotfuqishmi’, Perëndia Jehova ka fuqi të pakufishme, ku përfshihet edhe aftësia për t’u dhënë fund vuajtjeve. (Psalmi 91:1) Për më tepër, mund të jemi të sigurt se ai interesohet për ne. Pse?

Çfarë dimë për Perëndinë?

Ndien dhembshuri për ata që vuajnë. Kur izraelitët ishin skllevër në Egjipt dhe keqtrajtoheshin nga zotërinjtë e tyre, Perëndia i tha Moisiut: «Pa dyshim e kam parë mundimin e popullit tim në Egjipt, dhe kam dëgjuar si klithin për shkak të atyre që i shtrëngojnë të punojnë, sepse i di dhembjet që heqin.» (Dalja 3:7) E pra, Perëndia nuk është indiferent ndaj vuajtjeve të njerëzve. Përkundrazi, shekuj më vonë profeti Isaia shkroi për izraelitët: «Ai vuajti për të gjitha vuajtjet e tyre.»​—Isaia 63:9.

«Të gjitha udhët e tij janë drejtësi.» (Ligji i përtërirë 32:4) Në gjithçka bën, Perëndia është i drejtë dhe i paanshëm. Ai «do të ruajë udhën e besnikëve të tij», por edhe ‘do t’i shpaguajë me shtrëngim ata që shtrëngojnë’ të drejtët. (Proverbat 2:8; 2 Selanikasve 1:6, 7) «Ai nuk bën asnjë anësi me të mëdhenjtë dhe as e konsideron të pasurin më tepër se të varfrin, sepse të gjithë janë vepra e duarve të tij.» (Jobi 34:19, Diodati i Ri) Veç kësaj, Perëndia e di cila është mënyra më e mirë për të shëruar vuajtjet e njerëzimit. Krejt ndryshe nga kjo, zgjidhjet e njerëzve mund të krahasohen me një leukoplast mbi një plagë të hapur me armë zjarri. Mbase leukoplasti e maskon plagën, por nuk e mjekon në thellësi e aq më pak nuk i jep fund vuajtjes.

A do t’i vinte mjeku vetëm një leukoplast një plage me armë zjarri?

Është «i mëshirshëm dhe hirmadh, . . . plot dashamirësi». (Dalja 34:6) Në Bibël, fjala «mëshirë» ka kuptimin e dhembshurisë së butë dhe të keqardhjes që e shtyn dikë t’i shkojë në ndihmë tjetrit. Rrënja e fjalës hebraike «hirmadh» përshkruan «reagimin nga zemra të atij që bën diçka për të ndihmuar një njeri në nevojë». Sipas Theological Dictionary of the Old Testament, fjala e përkthyer «dashamirësi» përfshin «ndërhyrjen në dobi të dikujt që po kalon një fatkeqësi ose vështirësi». Perëndia Jehova jo vetëm lëndohet kur një njeri vuan, por edhe nxitet ta ndihmojë ngaqë është i mëshirshëm, hirmadh dhe dashamirës. Ndaj mund të jemi plotësisht të sigurt se ai do t’u japë fund vuajtjeve.

Në artikullin e kaluar pamë tre faktorë që ndikojnë në shumë vuajtje të njerëzve sot. Në asnjë prej tyre nuk ka gisht Perëndia. Le të shohim tani çfarë qëndron pas këtyre faktorëve.

Vendimet personale

Në fillim Adami ishte nën sundimin e Perëndisë. Mirëpo, kur u vu para një zgjedhjeje, vendosi ta hidhte poshtë sundimin hyjnor dhe të provonte pavarësinë nga Perëndia. Ai shpërfilli paralajmërimin e Jehovait te Zanafilla 2:17: «Ke për të vdekur.» Vendimi për të mos iu nënshtruar sundimit të përsosur të Perëndisë çoi në mëkat dhe papërsosmëri. Bibla shpjegon: «Ashtu si mëkati hyri në botë nëpërmjet një njeriu të vetëm, dhe vdekja nëpërmjet mëkatit, ashtu edhe vdekja u përhap në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë kishin mëkatuar.» (Romakëve 5:12) Megjithatë, Perëndia do t’i heqë pasojat e mëkatit.

Rastësia

Njeriu i parë, Adami, e hodhi poshtë udhëheqjen e Perëndisë, pikërisht atë që u duhej njerëzve për të jetuar të sigurt, madje edhe nga katastrofat natyrore. Vendimi i tij mund të krahasohet me rastin e një pacienti që nuk pranon kujdesin e një mjeku të zotë e me përvojë. Nëse pacienti i shpërfill rreziqet dhe ndërlikimet e mundshme që mjeku i njeh mirë, ka të ngjarë të vuajë. Po ashtu, shpesh në rrënjë të katastrofave natyrore është keqadministrimi i tokës nga njeriu, që përfshin teknikat e pasigurta të ndërtimit dhe shpërfilljen e forcave të natyrës. Megjithatë, Perëndia nuk do të lejojë që kjo situatë të vazhdojë pafundësisht.

«Sundimtari i kësaj bote»

Pse Perëndia e lejoi Satanain të sundonte botën pasi u rebelua? Një vepër referimi thotë se, «kur marrin pushtetin, regjimet e reja të çdo lloji mund të fajësojnë për pak kohë qeverinë e kaluar». Sikur Jehovai t’ia kishte hequr para kohe pushtetin ‘sundimtarit të kësaj bote’, Satanai mund të kishte fajësuar për paaftësinë e vet Sundimtarin e mëparshëm, Perëndinë. (Gjoni 12:31) Mirëpo, duke i dhënë kohë Satanait ta ushtronte plotësisht autoritetin e tij mbi tokën, Jehovai provoi se ai është sundimtar i dështuar. Por prapë mbetet pyetja: si të jemi të sigurt se vuajtjet do të marrin fund?