Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kemi nevojë që vuajtjet të marrin fund!

Kemi nevojë që vuajtjet të marrin fund!

Vuajtjet e Kios zunë fill kur i vranë të atin, ngaqë i la lopët të kullotnin në një arë me misër diku afër. Pastaj, e ëma dhe dy motra mbetën viktima të Kmerëve të Kuq të Kamboxhias. Më vonë, Kioja u gjymtua nga një minë dhe qëndroi 16 ditë në xhungël derisa i vajtën në ndihmë. U desh t’ia pritnin këmbën. Kioja thotë: «S’e doja më jetën.»

NDOSHTA keni vërejtur se vuajtjet i bien kujtdo pa dallim. Katastrofat natyrore, sëmundjet e probleme të tjera shëndetësore, krimet e dhunshme e tragjedi të tjera prekin këdo, kudo dhe kurdo. Organizatat humanitare janë munduar me mish e me shpirt t’i parandalojnë ose të paktën t’ua lehtësojnë vuajtjet njerëzve. Por çfarë kanë arritur?

Le të ndalemi në një fushë​—beteja kundër urisë. Sipas gazetës Toronto Star, katastrofat natyrore kanë lënë mjaft njerëz pa strehë e pa ushqim. Mirëpo, siç njofton gazeta, «përpjekjet e organizatave që punojnë për të lehtësuar urinë i pengon dhuna në rritje».

Autoritetet në fushën politike, sociale e mjekësore kanë bërë çmos të lehtësojnë vuajtjet, por rezultatet kanë qenë zhgënjyese. Programet për t’i dhënë shtysë rritjes ekonomike nuk e kanë zhdukur varfërinë. Vaksinat, ilaçet dhe teknikat e përparuara kirurgjikale nuk i heqin dot gjithë sëmundjet. Forcat që ruajnë rendin e paqen vështrojnë të pafuqishme ndërsa krimet e dhunshme vazhdojnë e madje shtohen.

Pse ka kaq shumë vuajtje? A interesohet Perëndia për atë që po heqin njerëzit? Siç do ta shohim, miliona janë ngushëlluar nga përgjigjet që u jep Bibla këtyre pyetjeve.