Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse ka kaq shumë vuajtje?

Pse ka kaq shumë vuajtje?

KLERIKËT që pohojnë se e dinë përgjigjen e pyetjes që shihni majtas, shpesh mësojnë se vuajtjet janë ndëshkim nga Perëndia. Për shembull, disa ditë pas tërmetit në Haiti, një prift në kryeqytet i tha kongregacionit të vet se katastrofa ishte një mesazh nga Perëndia. Disa të tjerë nuk janë kaq dogmatikë. Sipas një docenteje të teologjisë në Amerikë, shumë njerëz kanë këtë pikëpamje: «Arsyeja pse Perëndia i sjell këto katastrofa është mister dhe nuk na takon ne ta zbulojmë. Puna jonë është vetëm të kemi besim.»

A është vërtet Perëndia ai që u «sjell» vuajtje njerëzve? Bibla përgjigjet qartë jo. Vuajtjet nuk bënin pjesë në qëllimin e Perëndisë Jehova për njerëzimin. Megjithatë, çifti i parë u rebelua kundër sundimit të Perëndisë kur zgjodhi t’i përcaktonte vetë standardet e së mirës dhe të së keqes. Ata i kthyen shpinën Perëndisë dhe vuajtën pasojat. Ne sot po korrim frytet e zgjedhjes së tyre të keqe. Por nuk ishte kurrsesi Perëndia burimi i vuajtjeve të njerëzve. Bibla thotë: «Kur është nën sprovë, askush të mos thotë: ‘Po më sprovon Perëndia.’ Sepse Perëndia nuk mund të sprovohet me gjëra të liga, dhe as ai vetë nuk sprovon njeri.» (Jakovi 1:13) Kushdo mund të heqë vuajtje, edhe ata që kanë miratimin e Perëndisë. Ja disa shembuj:

  • Profeti Elise kishte një sëmundje të pashërueshme.​—2 Mbretërve 13:14.

  • Apostulli Pavël shkroi se vazhdimisht luftonte me ‘urinë dhe etjen, ishte thuajse i zhveshur, i keqtrajtuar, i pastrehë’.​—1 Korintasve 4:11.

  • Epafroditi, një shërbëtor i Perëndisë, ishte i sëmurë dhe «i dëshpëruar».​—Filipianëve 2:25, 26.

Askund nuk thuhet se këta të tre i ndëshkoi Perëndia për mëkatet e tyre. Gjithsesi, Bibla nuk tregon vetëm se kush nuk është përgjegjës për vuajtjet. Ajo zbulon edhe tre faktorë rrënjësorë që shpesh janë burim vuajtjesh.

Vendimet personale

«Çfarëdo që të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë.» (Galatasve 6:7) Doemos, kush zgjedh të pijë duhan, t’i japë makinës pa pikë kujdesi ose t’i bëjë paratë rrush e kumbulla duhet të mbajë njëfarë përgjegjësie për vuajtjet që mund t’i sjellin vendimet e tij.

Vuajtjet mund të vijnë edhe nga vendimet egoiste të dikujt tjetër. Në fakt, njerëzit kanë bërë ligësitë më tronditëse, që nga mizoritë e nazizmit deri tek abuzimi me fëmijët. Duke keqpërdorur vullnetin e lirë, disa marrin vendime që u sjellin vuajtje të tjerëve.

Rastësia

Në shekullin e parë të e.s., në Jerusalem u shemb një kullë e madhe që la 18 të vdekur. Jezui tha për viktimat: «A mendoni ju që ata . . . ishin më shumë fajtorë se gjithë banorët e Jerusalemit? Unë po ju them: Jo!» (Luka 13:4, 5, Diodati i Ri) Ai e kishte të qartë se nuk i ndëshkoi Perëndia. E dinte ç’ishte thënë më parë në Fjalën e Perëndisë: «Të gjithëve u rastis të kalojnë kohë të vështira dhe të përjetojnë ngjarje të paparashikuara.» (Eklisiastiu 9:11) Shumë tragjedi ndodhin ngaqë viktima gjendet në vendin e gabuar në momentin e gabuar ose nga gabimet e njerëzve. Për shembull, sipas raporteve, vuajtjet shumëfishohen kur njerëzit shpërfillin paralajmërimet dhe atje ku ndërtesat nuk bëhen aq të forta, sa t’i rezistojnë motit të keq a tërmeteve. Në këto raste, ngjarjet e rastësishme prekin më shumë njerëz dhe shkaktojnë më tepër vuajtje.

«Sundimtari i kësaj bote»

Bibla thotë: «E gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut.» (Gjoni 12:31; 1 Gjonit 5:19) Ky ‘i lig’ është Satana Djalli, një krijesë e fuqishme frymore që përshkruhet si ‘sundimtari i autoritetit të ajrit’. ‘Ajri’ është mënyra e të menduarit që mbizotëron rreth nesh, ‘fryma që tani vepron në bijtë e mosbindjes’. Satanai e përdor këtë mënyrë të menduari për t’i shtyrë njerëzit të mos i binden Perëndisë. (Efesianëve 2:2) Disa krime, si gjenocidet dhe abuzimi me fëmijët, janë kaq të llahtarshme, sa shumë veta nuk e besojnë dot se janë thjesht vepër e njerëzve.

Sidoqoftë, a do të thotë kjo se Perëndia është indiferent ndaj vuajtjeve tona? A mundet dhe a do të bëjë diçka që t’u japë fund?