Ç’duhet të di për rrjetet shoqërore?—Pjesa 2
Të rinjtë pyesin
Ç’duhet të di për rrjetet shoqërore?—Pjesa 2
Vëru një numër gjërave më poshtë sipas rëndësisë që kanë për ty.
․․․․․ privaciteti im
․․․․․ koha ime
․․․․․ reputacioni im
․․․․․ miqësitë e mia
CILËS prej gjërave më lart i vure numrin 1, domethënë cila është më e rëndësishmja për ty? Këtë gjë, si edhe tri të tjerat, mund t’i rrezikosh nëse përdor një sit të rrjeteve shoqërore.
Mos vallë nuk duhet të anëtarësohesh fare në një rrjet shoqëror? Nëse jeton me prindërit, këtë e vendosin ata. * (Proverbat 6:20) Ashtu si çdo përdorim i Internetit, edhe rrjetet shoqërore kanë të mirat dhe të këqijat e veta. Nëse prindërit nuk duan të hapësh profilin tënd, respektoje dëshirën e tyre.—Efesianëve 6:1.
Nga ana tjetër, nëse prindërit e tu të lejojnë të futesh në sitin e një rrjeti shoqëror, si mund t’i shmangësh rreziqet? Artikulli «Të rinjtë pyesin» që doli në revistën Zgjohuni! të korrikut 2011, trajtonte dy aspekte që mund të rrezikohen: privaciteti dhe koha jote. Në këtë artikull do të trajtojmë si rrezikohen reputacioni dhe miqësitë e tua.
REPUTACIONI YT
Të mbash një reputacion të mirë do të thotë të tregosh kujdes që të mos u japësh të tjerëve arsye të vlefshme për të menduar keq për ty. Ta ilustrojmë: imagjino sikur ke një makinë fringo të re; nuk ka asnjë të gërvishtur apo gungë. A nuk do të doje ta mbaje kështu? Si do të ndiheshe nëse, nga pakujdesia, do ta prishje në një aksident?
Një gjë e tillë mund të ndodhë edhe me reputacionin tënd në një rrjet shoqëror. «Vetëm duke futur një foto ose koment të pamenduar,—thotë një vajzë me emrin Kera,—mund të të prishet reputacioni.» Për shembull, mendo si mund të ndikojnë te reputacioni yt . . .
● Fotografitë. Apostulli Pjetër shkroi: «Të tjerët t’ju shohin gjithmonë duke u sjellë siç duhet.» (1 Pjetrit 2:12, Contemporary English Version.) Nëse ke parë fotografi në sitin e një rrjeti shoqëror, çfarë ke vënë re?
«Ndonjëherë shoh ndonjë person për të cilin kam pasur respekt, që del në fotografi i dehur.»—Ana, 19 vjeçe.
«Njoh vajza që pozojnë në mënyra që nxjerrin në pah trupin. Duken kaq ndryshe në rrjetet shoqërore nga ç’duken jashtë Internetit.»—Kera, 19 vjeçe.
Çfarë mendimi do të krijoje për karakterin e dikujt që në një fotografi në rrjetin shoqëror (1) është veshur në mënyrë provokuese ose (2) del i dehur?
1 ․․․․․
2 ․․․․․
● Komentet. «Nga goja juaj të mos dalë asnjë thënie e kalbur [‘fjalë e ndyrë’, International Standard Version]»,—thuhet tek Efesianëve 4:29. Disa kanë vërë re se gjatë bisedave në rrjetet shoqërore futen fjalë vulgare, thashetheme ose përfshihen tema imorale.
«Njerëzit janë më të shpenguar në një rrjet shoqëror. Kur i shkruan, fjalët nuk tingëllojnë aq keq sa kur i thua. Ndoshta nuk arrin deri në sharje, por mund të thuash fjalë flirtuese, skandaloze e madje të pista.»—Daniela, 19 vjeçe.
Pse mendon se shumë njerëz janë më të shpenguar kur janë para kompjuterit?
․․․․․
A kanë vërtet rëndësi fotografitë dhe komentet që fut në këto site? Po. «Në shkollë është diskutuar shumë për këtë,—thotë një 19-vjeçare me emrin Xhejn.—Kemi diskutuar se si punëdhënësit hyjnë në faqen e rrjetit shoqëror të kandidatit, që të kuptojnë karakterin e tij.»
Në një libër, dr. B. Xh. Fogu thotë se ai vepron pikërisht kështu kur mendon për të punësuar dikë. «E konsideroj këtë si përgjegjësinë time në punë,—thotë ai.—Nëse mund të hyj në profilin e një kandidati dhe nëse aty shoh gjëra të kota, atëherë ai nuk më lë përshtypje të mira. Nuk e marr në punë. Pse? Sepse njerëzit që punojnë me mua, duhet të kenë gjykim të shkëlqyer.»—Facebook for Parents.
Nëse je i krishterë, ka edhe diçka më të rëndësishme për të cilën duhet të mendosh: si ndikojnë komentet e tua te të tjerët, qofshin bashkëbesimtarë ose jo? Apostulli Pavël shkroi se «në asnjë mënyrë nuk po japim asnjë shkak për pengesë», domethënë nuk duhet t’u lëmë të tjerëve shkak për të mos e pranuar besimin e krishterë.—2 Korintasve 6:3; 1 Pjetrit 3:16.
Çfarë të bësh?
Nëse prindërit të lejojnë të përdorësh një rrjet shoqëror, hidhu një sy fotografive që ke futur dhe pyet veten: «Çfarë tregojnë për mua këto fotografi? Vërtet kështu dua të më njohin të tjerët? A do të më vinte turp po t’i shihnin këto fotografi prindërit e mi, një plak i krishterë ose një punëdhënës i ardhshëm?» Nëse përgjigjja e pyetjes së fundit do të ishte po, bëj ndryshime. Kështu veproi Kejti 21-vjeçare. «Një plak i krishterë bisedoi me mua për fotografinë e profilit tim,—thotë ajo,—dhe i isha mirënjohëse. E dija se ai donte të mbronte reputacionin tim.»
Gjithashtu, shihi me kujdes komentet që ke futur ti, si edhe ato që kanë futur të tjerët në faqen tënde. Mos tolero «të folurit pa mend» e as «shakatë e ndyra». (Efesianëve 5:3, 4) «Ndonjëherë njerëzit futin fjalë të këqija ose me dy kuptime,—thotë Xhejni.—Edhe pse nuk i ke thënë ti ato fjalë, prapëseprapë ti bën figurë të keqe, sepse janë në faqen tënde.»
Kur bëhet fjalë për fotografitë dhe komentet e tua, çfarë kufijsh do të vësh që të mbash një reputacion të mirë?
․․․․․
MIQËSITË E TUA
Po të kishe një makinë fringo të re, a do të lejoje që të hipte çfarëdolloj njeriu? Nëse prindërit të lejojnë të anëtarësohesh në një rrjet shoqëror, të duhet të marrësh një vendim të ngjashëm se cilin do të ftosh ose do të pranosh si mik. Sa përzgjedhës do të jesh?
«Disa njerëz kanë si synim të vetëm të përfshijnë në listë sa më shumë miq—sa më shumë, aq më mirë. Madje përfshijnë edhe njerëz që nuk i njohin mirë.»—Najisha, 16 vjeçe.
«Një rrjet shoqëror të krijon mundësi të kontaktosh përsëri me njerëz nga e kaluara jote. Por ndonjëherë është më mirë t’i lësh në të kaluarën.»—Elena, 25 vjeçe.
Çfarë të bësh?
Sugjerim: Kontrollo dhe ndrysho. Rishikoje listën e miqve dhe bëj ndryshime aty ku ka nevojë. Për secilin prej tyre pyet veten:
1. «Sa mirë e njoh këtë person jashtë Internetit?»
2. «Çfarë fotografish dhe komentesh fut ai në rrjet?»
3. «A ndikon pozitivisht në jetën time?»
«Zakonisht e rishikoj ‘listën e miqve’ çdo muaj. Nëse në listë kam dikë me të cilin nuk ndihem rehat ose nuk e njoh mirë, e heq nga lista.»—Ivana, 17 vjeçe.
Sugjerim: Vendos «rregulla për miqësinë». Vendos kufij se cilët do të ftosh ose do të pranosh si miq, pikërisht siç do të bëje në jetën e përditshme. (1 Korintasve 15:33) Për shembull, një vajzë me emrin Liana, thotë: «Rregulla që ndjek unë është: nëse nuk të njoh, nuk e pranoj ftesën tënde për të të futur në listën e miqve. Nëse shoh diçka në faqen tënde me të cilën nuk ndihem rehat, do të të heq nga ‘lista e miqve’ dhe nuk do t’i pranoj kërkesat e tua të mëvonshme.» Edhe disa të tjerë vendosin kufij të ngjashëm.
«Unë nuk ‘bëj mik’ çdokënd. Kjo mund të jetë e rrezikshme.»—Erina, 21 vjeçe.
«Kam marrë kërkesa nga ish-shokët e shkollës që të bëhem miku i tyre në rrjetet shoqërore. Por në shkollë përpiqesha fort që ta shmangia këtë lloj shoqërie, kështu që pse t’i bëj miq tani?»—Aleksi, 21 vjeç.
Më poshtë, shkruaj se çfarë «rregullash për miqësinë» do të vendosësh ti.
․․․․․
[Shënimi]
^ par. 9 Zgjohuni! as përkrah, as dënon ndonjë rrjet shoqëror në veçanti. Të krishterët duhet të sigurohen se mënyra si e përdorin Internetin, nuk shkel parimet biblike.—1 Timoteut 1:5, 19.
[Diçitura në faqen 10]
Një proverb biblik thotë: «Nëse duhet të zgjedhësh midis reputacionit të mirë dhe pasurisë së madhe, zgjidh reputacionin e mirë.»—Proverbat 22:1, Today’s English Version
[Kutia në faqen 12]
PSE TË MOS PYESËSH PRINDËRIT?
Shqyrto me prindërit këtë artikull dhe artikullin «Të rinjtë pyesin» që doli te Zgjohuni! i korrikut 2011. Diskutoni se si po ndikon përdorimi i Internetit te (1) privaciteti yt, (2) koha jote, (3) reputacioni yt dhe (4) miqësitë e tua.
[Kutia në faqen 13]
DY FJALË PËR PRINDËRIT
Fëmijët mund të dinë më shumë se ti në fushën e Internetit. Por nuk kanë një gjykim të shëndoshë si ti. (Proverbat 1:4; 2:1-6) Është pikërisht siç thotë Perri Aftabi, specialistja për sigurinë në Internet: «Fëmijët dinë më tepër për teknologjinë. Por prindërit dinë më tepër për jetën.»
Vitet e fundit, rrjetet shoqërore kanë fituar mjaft popullaritet. A është aq i pjekur fëmija yt adoleshent, sa të anëtarësohet në një prej tyre? Për këtë duhet të vendosësh ti. Ashtu siç ka rreziqe kur nget makinën, kur përdor një llogari bankare ose një kartë krediti, edhe rrjetet shoqërore kanë rreziqe. Cilat janë disa prej tyre?
PRIVACITETI. Shumë të rinj nuk i kuptojnë pasojat kur futin shumë informacione në Internet. Nëse tregojnë se ku banojnë, në ç’shkollë shkojnë ose kur janë në shtëpi ose jo, mund të vënë në rrezik sigurinë e familjes tënde.
Çfarë të bësh? Kur fëmijët ishin më të vegjël, i mësoje të shihnin nga të dyja anët para se të kalonin rrugën. Tani që janë më të rritur, mësoju si të mos rrezikojnë me Internetin. Lexo informacionin për privacitetin që doli muajin e kaluar në rubrikën «Të rinjtë pyesin». Shih edhe Zgjohuni! të tetorit 2008, faqet 3-9. Pastaj diskuto për këto informacione me fëmijën. Bëj çmos të ngulitësh tek ai «mençurinë dhe aftësinë për të menduar» në lidhje me sigurinë në Internet.—Proverbat 3:21.
KOHA. Mund të krijohet varësi ndaj rrjeteve. «Vetëm disa ditë pasi kisha hapur profilin, nuk shkëputesha dot,—thotë Riku 23-vjeçar.—Kaloja orë të tëra duke parë fotografitë dhe komentet.»
Çfarë të bësh? Lexo dhe shqyrto me fëmijët artikullin «Të rinjtë pyesin . . . A jam i varur ndaj medias elektronike?» në revistën Zgjohuni! të janarit 2011. Kushtojini vëmendje të veçantë kutisë «Isha i varur pas sitit të një rrjeti shoqëror» në faqen 26. Ndihmoje fëmijën adoleshent të bëhet «i përkorë në zakone» dhe të respektojë kufizimin e orarit në lidhje me përdorimin e Internetit. (1 Timoteut 3:2) Kujtoji që jashtë Internetit ekziston ajo që quhet jetë.
REPUTACIONI. «E mira dhe e keqja që bëjnë fëmijët, tregon se si janë në të vërtetë»,—thotë një proverb biblik. (Proverbat 20:11, Contemporary English Version) Kjo vlen edhe për Internetin. Për më tepër, meqenëse një rrjet shoqëror është një forum publik, ajo që futin aty fëmijët e tu, nuk ndikon vetëm në reputacionin e tyre, por edhe të familjes.
Çfarë të bësh? Adoleshentët duhet ta dinë se ajo që futin në rrjetin shoqëror tregon se cilët janë. Ata gjithashtu duhet të kuptojnë thënien: ajo që ndodh në Internet, mbetet përgjithmonë në Internet. «Fëmijët e kanë vështirë ta kuptojnë konceptin se materialet mbeten përgjithmonë në Internet, por është e rëndësishme të fillojnë ta mësojnë,—shkruan dr. Guen Shurgin O’Kefe në librin e saj CyberSafe.—Që t’i ndihmosh fëmijët të kuptojnë si të sillen në Internet, kujtoju që të mos thonë ato gjëra që nuk do t’ia thoshin askujt jashtë Internetit.»
MIQËSITË. «Mjaft adoleshentë duan të duken sikur kanë fituar popullaritet,—thotë Tanja 23-vjeçare,—prandaj nuk ngurrojnë të pranojnë ‘miq’ edhe pse janë të panjohur dhe pa parime.»
Çfarë të bësh? Ndihmoje djalin ose vajzën të vendosë «rregulla për miqësinë». Për shembull, Alisa 22-vjeçare zakonisht nuk i fut në listën e saj shokët e shokëve të saj. Ajo thotë: «Nëse nuk të njoh dhe nuk të kam takuar ballë për ballë, atëherë nuk të fus në listë vetëm sepse kemi miq të përbashkët.»
Një çift, Timi dhe Xhulia, u anëtarësuan në një rrjet shoqëror vetëm për të kontrolluar miqtë e vajzës dhe çfarë futet në profilin e saj. «I kërkuam që të na përfshinte në listën e saj të miqve,—thotë Xhulia.—Njerëzit me të cilët komunikon është sikur t’i ketë ftuar në shtëpinë tonë. Duam të dimë se cilët janë.»
[Figura në faqen 11]
Ashtu siç mund të prishet makina po t’i japësh pa kujdes, edhe reputacioni yt mund të prishet nëse fut në Internet fotografi dhe komente të pahijshme
[Figura në faqen 12]
A do të merrje një të panjohur në makinën tënde vetëm se atij i duhet të shkojë diku? Atëherë pse të bësh mik në Internet dikë që nuk e njeh?