Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A i përkrah luftërat Perëndia sot?

A i përkrah luftërat Perëndia sot?

Pikëpamja e Biblës

A i përkrah luftërat Perëndia sot?

NË LIDHJE me rolin e tij si luftëtar, mbreti David në Izraelin e lashtë, tha: «[Perëndia] i mëson duart e mia për luftë, dhe krahët e mi përkulën harkun prej bakri.»​—Psalmi 18:34.

Duke folur për të krishterët, apostulli Pavël shkroi: «Ndonëse ecim në mish, ne nuk luftojmë sipas asaj që jemi në mish. Sepse armët e luftës sonë nuk janë sipas mishit.»​—2 Korintasve 10:3, 4.

A kundërshtojnë njëri-tjetrin këto shkrime? Apo ka arsye të vlefshme pse Perëndia miratonte izraelitët në lashtësi kur shkonin në luftë, por jo të krishterët? A ka ndryshuar pikëpamja e Perëndisë për luftën? Përgjigjet bëhen të qarta kur shqyrtojmë tri ndryshime të mëdha midis Izraelit dhe kongregacionit të të krishterëve të vërtetë.

Tri ndryshime domethënëse

1. Izraeli i lashtë ishte një komb kufijtë gjeografikë të të cilit ishin përcaktuar nga Perëndia dhe rrethohej nga popuj fqinjë që shpesh ishin armiqësorë. Prandaj, Perëndia e urdhëroi popullin e tij që të mbronin vendin e tyre, madje edhe duke ua dhënë armiqtë në dorë. (Gjykatësit 11:32, 33) Kurse kongregacioni i krishterë nuk ka kufij dhe pjesëtarët e tij mund të gjenden në të gjitha vendet. Prandaj, nëse dishepujt e Krishtit të një vendi do të merrnin pjesë në një luftë kundër një vendi tjetër, atëherë do të luftonin kundër bashkëbesimtarëve, kundër motrave dhe vëllezërve frymorë, që janë urdhëruar t’i duan, e madje të japin jetën për ta.​—Mateu 5:44; Gjoni 15:12, 13.

2. Izraeli i lashtë kishte si mbret një njeri, froni i të cilit ndodhej në Jerusalem. Kurse të krishterët e vërtetë kanë si sundimtar Jezu Krishtin, që tani është një krijesë frymore e fuqishme me fron në qiell. (Danieli 7:13, 14) Vetë Jezui tha: «Mbretëria ime nuk është pjesë e kësaj bote. Po të ishte mbretëria ime pjesë e kësaj bote, shërbëtorët e mi do të luftonin që unë të mos u dorëzohesha judenjve. Por ja që mbretëria ime nuk është nga kjo botë.» (Gjoni 18:36) Pra, asnjë mbretëri politike apo sundim në tokë nuk mund të pretendojë se i përket Krishtit. Pse është e rëndësishme kjo për «shërbëtorët» ose dishepujt e Jezuit? Këtë e shpjegon pika e tretë.

3. Ashtu si kombet e tjera, Izraeli shpesh dërgonte lajmëtarë ose siç mund t’i quajmë sot ambasadorë ose të dërguar. (2 Mbretërve 18:13-15; Luka 19:12-14) Krishti ka bërë të njëjtën gjë, por me dy ndryshime themelore. Së pari, të gjithë dishepujt e tij shërbejnë si ambasadorë ose të dërguar. Ja pse apostulli Pavël mund të shkruante në emër të të bashkëkrishterëve të tij: «Prandaj, ne jemi ambasadorë në vend të Krishtit.» (2 Korintasve 5:20) Si ambasadorë paqësorë, ata nuk rrokën armët. Së dyti, dishepujt e Jezuit flasin me të gjithë ata që duan ta dëgjojnë mesazhin e tyre. Jezui tha: «Ky lajm i mirë për mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet.» (Mateu 24:14) Gjithashtu tha: «Shkoni dhe bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet, . . . dhe mësojuni të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar.»​—Mateu 28:19, 20.

Mjerisht, shërbëtorët e Krishtit jo gjithmonë mirëpriten. Për këtë arsye, Pavli i shkroi Timoteut, ungjillëzuesit të krishterë: «Vuaj edhe ti si një ushtar i shkëlqyer i Krishtit Jezu.» (2 Timoteut 2:3) Armët e Timoteut sigurisht që nuk ishin armë të mirëfillta dhe në to përfshihej edhe Fjala e shkruar e Perëndisë, që quhet ‘shpata e frymës’.​—Efesianëve 6:11-17.

Pse ky ndryshim nga Izraeli te kongregacioni i krishterë?

Për rreth 1.500 vjet, kombi i Izraelit gëzoi një marrëdhënie të veçantë me Perëndinë, që bazohej në një besëlidhje ose në një marrëveshje. (Dalja 19:5) Kjo besëlidhje që u ndërmjetësua nga Moisiu, përfshinte Dhjetë Urdhërimet dhe ligje të tjera, të cilat të gjitha mbështetnin adhurimin e vërtetë dhe nxitnin standarde të larta morale. (Dalja 19:3, 7, 9; 20:1-17) Por, mjerisht, Izraeli si komb nuk i qëndroi besnik Perëndisë, madje arriti deri aty sa vrau disa nga profetët e Tij.​—2 Kronikave 36:15, 16; Luka 11:47, 48.

Në fund, Jehovai dërgoi Birin e tij, Jezu Krishtin, që lindi si jude. Në vend që ta mirëpritnin si Mesia, kombi i judenjve e hodhi poshtë. Si rezultat, Perëndia i dha fund besëlidhjes së gjatë me Izraelin dhe muri figurativ që ndante judenjtë nga jojudenjtë, u rrëzua. * (Efesianëve 2:13-18; Kolosianëve 2:14) Pothuajse në të njëjtën kohë, Perëndia themeloi kongregacionin e krishterë dhe caktoi Jezuin si Kreun e tij. Përveç kësaj, aty nga fundi i shekullit të parë, ai kongregacion u bë vërtet shumëkombësh. «Në çdo komb njeriu që i frikësohet [Perëndisë] dhe praktikon drejtësinë, është i pranuar nga ai»,—tha Pjetri, apostulli jude.​—Veprat 10:35.

Dëshmitarët e Jehovait ndjekin modelin e të krishterëve të hershëm. Prandaj, Dëshmitarët njihen për shërbimin e tyre publik dhe për asnjanësinë në politikë dhe në luftërat e mirëfillta. (Mateu 26:52; Veprat 5:42) Po, ata nuk lejojnë asgjë që t’i shpërqendrojë nga shpallja e lajmit të mirë për Mbretërinë e Perëndisë, të vetmen qeveri që do të çrrënjosë ligësinë dhe do të sjellë paqen e përhershme në tokë. Me këtë shpresë të çmuar në mendje, apostulli Pavël shkroi: «Si zëvendësues të Krishtit, ne lutemi: ‘Pajtohuni me Perëndinë.’» (2 Korintasve 5:20) Këto fjalë bëhen edhe më urgjente sot, sepse po i afrohemi fundit të ‘ditëve të fundit’ të këtij sistemi të lig.​—2 Timoteut 3:1-5.

[Shënimi]

^ par. 13 Termi «jude» në fillim përdorej për t’iu referuar një njeriu që i përkiste fisit izraelit të Judës. Më vonë, ky term përdorej për të gjithë hebrenjtë.​—Ezdra 4:12.

A DONI TË DINI?

● Çfarë cilësie të jashtëzakonshme duhet të tregojnë të krishterët ndaj njëri-tjetrit?​—Gjoni 13:34, 35.

● Cila është «arma» kryesore e një të krishteri të vërtetë?​—Efesianëve 6:17.

● Cilin mesazh të rëndësishëm shpallin përfaqësuesit e Krishtit?​—Mateu 24:14; 2 Korintasve 5:20.

[Figura në faqen 23]

Dëshmitarët e Jehovait formojnë një vëllazëri shumëkombëshe dhe ruajnë asnjanësinë në luftërat midis kombeve