Ibn-Batuta hedh dritë mbi botën e tij
Ibn-Batuta hedh dritë mbi botën e tij
NË VITIN 1325, një djalosh u nis nga Tangjeri i Marokut për udhëtimin e tij të parë, i pasuar nga shumë të tjerë që do ta çonin në vendet më të largëta të botës që njihej në ato kohë, si në Kinë, Indi, Indonezi, Mali, Persi, Rusi, Siri, Tanzani, Turqi dhe në të gjitha vendet arabe. Ky djalë ishte Abu-Abdallah-ibn-Batuta dhe bëri rreth 120.700 kilometra rrugë—një udhëtim i pashoq para epokës së motorëve me avull.
Ibn-Batuta është quajtur udhëtari i islamizmit dhe udhëtari më i madh i kohëve paramoderne. Kujtimet e tij, që u hodhën në letër pas kthimit përfundimtar në shtëpi pas gati 30 vjetësh udhëtim, hodhën dritë mbi shumë aspekte të jetës dhe të kulturës gjatë shekullit të 14-të, sidomos mbi botën islamike mesjetare.
Pelegrinazhi për në Mekë
Ibn-Batuta la Tangjerin për të vizituar vendet e shenjta dhe për të kryer ritin e haxhit, pelegrinazhin mysliman për në Mekë, që kërkohet nga çdo mysliman i rritur, financiarisht dhe fizikisht i aftë për të udhëtuar. Meka ndodhet rreth 4.800 kilometra në lindje të Tangjerit. Ashtu si shumica e pelegrinëve, për të qenë i sigurt, Ibn-Batuta u bashkua me karvanët që do ta ndihmonin drejt vendmbërritjes së tij.
Ngaqë i ati ishte kadi, ose gjykatës lokal, Ibn-Batuta u arsimua si një kadi, arsimimi më i mirë që ofrohej në Tangjer. Kur dëgjuan për këtë, bashkudhëtarët e bënë gjykatësin e tyre për mosmarrëveshjet që mund të lindnin gjatë udhëtimit.
Shkon në Aleksandri, Kajro dhe në Nilin e Sipërm
Duke ndjekur bregun e Afrikës Veriore, karvani arriti në Egjipt. Aty Ibn-Batuta pa farin e famshëm të Aleksandrisë—një mrekulli e botës së lashtë—që në atë kohë ishte pjesërisht i shkatërruar. Kajroja, siç tregonte ai, ishte «me shumë ndërtesa, e pashoqe në bukuri dhe shkëlqim, vendtakimi për ata që vinin e që shkonin, vendqëndrimi për të pafuqishmit e të fuqishmit, ku turmat vërshonin si dallgët e detit». Admironte jashtë mase mjetet e lundrimit, kopshtet, pazaret, ndërtesat fetare dhe zakonet e këtij qyteti të madh. Siç e bëri zakon, në Egjipt kërkoi dhe fitoi përkrahjen e klerikëve, të mendimtarëve dhe të njerëzve të tjerë me influencë.
Nga Kajroja u ngjit përgjatë Nilit për në Egjiptin e Sipërm, duke shijuar gjatë rrugës
mikpritjen e besimtarëve, manastireve dhe bujtinave e medreseve të përkrahura me bamirësi që atëherë ishin të zakonshme në qytetet myslimane. Qëllimi i tij ishte të priste shkretëtirën për në Detin e Kuq, të lundronte për në perëndim të Arabisë dhe pastaj të shkonte në Medinë ku ndodhej xhamia e profetit Muhamed, dhe në Mekë. Por lufta nuk e lejoi të vazhdonte më tej, kështu që u kthye në Kajro.Një devijim i gjatë
Akoma i vendosur për të shkuar në Medinë dhe në Mekë, Ibn-Batuta mori rrugën drejt veriut për në Gazë, pastaj në Hebron dhe në vendin që besohej se ishte varri i Abrahamit, Isakut dhe Jakobit. Rrugës për në Jerusalem dhe për në faltoren e Kubesë së Shkëmbit që gjendej aty, ndaloi në Betlehem, ku pa adhurimin që i bënin vendit të lindjes së Jezuit ata që pohonin se ishin të krishterë.
Më pas, Ibn-Batuta shkoi në veri për në Damask, ku studioi me mendimtarë të shquar myslimanë dhe mori certifikatën si mësues. Xhamia Umajad e qytetit, siç thoshte ai, ishte «më mahnitësja» në botë. Në pazaret e vendit shiteshin bizhuteri, veshje, sende kancelarie, libra dhe punime qelqi, kurse në qoshkun e noterit «pritnin pesë a gjashtë dëshmitarë dhe një person i autorizuar nga kadiu, që të kryenin ceremonitë e martesave». Në fakt, kur ishte në Damask, Ibn-Batuta u martua. Megjithatë, nusja e tij ishte një ndër gratë dhe konkubinat e shumta që zhduken nga tregimet e tij po aq shpejt sa hyjnë.
Në Damask, Ibn-Batuta u bashkua me pelegrinë të tjerë që ishin drejtuar për në Mekë. Gjatë rrugës, grupi i tij ngriti çadrat pranë një burimi, ku njerëzit përdornin lëkurë bualli për të bërë cisterna të mëdha ose rezervuarë. Nga këto, udhëtarët u dhanë për të pirë deveve të tyre dhe mbushën calikët para se të kalonin shkretëtirën. Më në fund, arriti në Mekë. Ky ishte i pari nga shtatë pelegrinazhet që ai bëri për atje. Shumica e pelegrinëve ktheheshin në shtëpi pasi kryenin ritet. Por jo Ibn-Batuta. Ai u nis për në Bagdad «vetëm për hir të aventurës», siç shprehet një biograf.
Fillon t’i bjerë globit kryq e tërthor
Në Bagdad, asokohe kryeqyteti i islamizmit, Ibn-Batutës i bënë përshtypje banjat publike. «Çdo ndërtesë ka një sërë banjash private,—thoshte ai,—ku secila ka në qoshe një lavaman me dy çezma për ujin e ngrohtë e të ftohtë.» Me ndihmën e një gjenerali miqësor, djaloshi arriti të takohej me sulltanin Abu-Said. Ky takim ishte i frytshëm për Ibn-Batutën, pasi ai i dha dhurata me vlerë: një kalë, një veshje ceremoniale dhe një letër prezantimi ku i kërkonte guvernatorit të Bagdadit t’i jepte deve dhe furnizime të tjera.
Pastaj Ibn-Batuta lundroi për në portet afrikano-lindore të Mogadishos, Mombasës dhe të Zanzibarit para se të udhëtonte për në Arabi dhe në Gjirin Persik. Ai më vonë përshkroi njerëzit, zakonet dhe prodhimet që pa rrugës. Foli për mikpritjen që u bëhej tregtarëve në Somali, për përtypjen e arrës së betelit, për kultivimin e arrës së kokosit në Jemen dhe për nxjerrjen e perlave në Gjirin Persik. Më pas, nisi një udhëtim me shumë zigzage për në Indi. Udhëtoi përmes Egjiptit, Sirisë dhe Anadollit (Turqi); kapërceu Detin e Zi; i ra përreth pjesës veriore të detit Kaspik dhe pastaj zbriti në zonën ku sot ndodhet Kazakistani, Uzbekistani, Afganistani dhe Pakistani.
Nga India në Kinë
Në Indi, Ibn-Batuta punoi për tetë vjet si kadi në shërbim të sulltanit të Delhit. Duke ditur dëshirën e madhe të Ibn-Batutës për të udhëtuar, sulltani e dërgoi si ambasador pranë perandorit mongol të Kinës, Togon-Temurit. Me të mbërritur, duhej t’i dorëzonte si dhuratë diplomatike «njëqind kuaj race, njëqind skllevër të bardhë, njëqind vajza hinduiste që kërcenin e këndonin, një mijë e dyqind rroba të ndryshme, shandanë e legenë prej ari e argjendi, veshje të qëndisura, kapele, kukura, shpata, doreza të zbukuruara me perla dhe pesëmbëdhjetë eunukë».
Në portin indiano-jugor të Kalkutës, Ibn-Batuta pa mjete lundrimi tregtare madhështore të quajtura xhonke, të cilat rrihnin ujërat që ai donte të kalonte për në Kinë. Anijet kishin
12 vela, të gjitha prej bambuje të thurur, dhe një ekuipazh që arrinte në 1.000 veta—600 detarë plus 400 luftëtarë. Ibn-Batuta thoshte se familjet e detarëve jetonin në anije, ku «[rritnin] jeshillëqe, perime dhe xhenxhefil në govata prej druri».Anija u mbyt, kështu që Ibn-Batuta nuk e çoi deri në fund misionin e tij diplomatik në Kinë. Në vend të kësaj, ai filloi t’i shërbente një sundimtari mysliman në ishujt Maldive dhe ishte i pari që përshkroi zakonet e vendit për botën jashtë. Në fund, arriti të shkonte në Kinë. Por, bashkë me shumë gjëra që i pëlqenin atje, pa edhe gjëra fyese për ndjeshmërinë e tij fetare. Ngaqë nuk shkroi shumë për këtë vend, disa dyshojnë që ai nuk është futur aq thellë në Kinë sa ç’pretendon. Ndoshta nuk shkoi më larg se në portet në jug të saj.
Lajme hidhëruese rrugës për në shtëpi
Kur u kthye në Damask, Ibn-Batuta mori vesh se një nga djemtë që kishte lënë atje rreth 20 vjet më parë, kishte 12 vjet që kishte vdekur, kurse i ati që jetonte në Tangjer, kishte 15 vjet që kishte vdekur. Tani ishte viti 1348 dhe Vdekja e Zezë ose ndryshe murtaja, po bënte kërdinë në Lindjen e Mesme. Në fakt, Ibn-Batuta dokumentoi se në Kajro çdo ditë humbitnin jetën 21.000 njerëz.
Një vit më vonë, ky udhëtar tanimë 45 vjeç, sapo mbërriti në Marok, mori vesh se vetëm pak muaj më parë i kishte vdekur e ëma nga murtaja. Kishte qenë vetëm 21 vjeç kur ishte larguar. A e kishin plotësuar ato 24 vjet udhëtimi dëshirën e tij të fortë për aventurë? Me sa duket jo, sepse pa kaluar shumë u nis për në Spanjë. Tre vjet më vonë, i hipi anijes për udhëtimin e tij të fundit për në lumin Niger dhe për në Timbuktu, një qytet në vendin afrikan që tani njihet me emrin Mali.
Merr urdhër për të hedhur kujtimet në letër
Pasi dëgjoi për udhëtimet e Ibn-Batutës, sulltani i Fezit në Marok e urdhëroi që të shkruante një tregim për kënaqësinë e oborrit mbretëror dhe i dha një sekretar me emrin, Ibn-Zhëzi. Vepra e tij e përfunduar nuk pati një tirazh të madh në arabisht dhe përkthimi i saj në gjuhët perëndimore filloi vetëm pasi rrëfimi i tij u rizbulua nga studiuesit evropianë në shekullin e 19-të.
Ibn-Zhëzi i ka përshkruar tregimet e këtij udhëtari në një version të shkurtuar dhe me sa duket ka bërë disa rregullime nga ana e tij. Edhe në qoftë kështu, kjo vepër na jep një tablo të pashoqe të jetës, tregtisë, zakoneve, fesë dhe politikës së vendeve që vizitoi Ibn-Batuta, sidomos të vendeve islamike gjatë mesjetës.
[Figura në faqen 14]
Një ilustrim i shekullit të 13-të nga Al Uasiti, ku tregohen pelegrinët islamikë në mesjetë gjatë një haxhi
[Burimi]
Scala/White Images/Art Resource, NY
[Figura në faqen 16]
Atlasi katalan i vitit 1375, ku tregohet një pjesë e zonës që përshkoi Ibn-Batuta
[Burimi]
Snark/Art Resource, NY