Muzika është dhuratë
Muzika është dhuratë
A E IMAGJINON dot jetën pa muzikë? Pa ninullat e ëmbla. Pa serenatat e dashurisë. Pa muzikën pop plot gjallëri. Pa simfonitë prekëse. Pa meloditë që të ngrenë zemrën peshë. Për shumë nga ne, pa muzikë, jeta do të ishte e mërzitshme.
Vërtet, muzika u bën thirrje gati të gjitha ndjenjave tona. Na qetëson dhe na emocionon, na përtërin dhe na frymëzon. Na ngre zemrën peshë dhe na përlot. Përveç këtyre, ngaqë i flet drejtpërdrejt zemrës, ajo ndikon fuqishëm te ne. Pse na prek kaq shumë muzika? Përgjigjja është mjaft e thjeshtë: muzika është një dhuratë e bukur nga Perëndia. (Jakovi 1:17) Si e tillë, ajo duhet çmuar, duhet të jetë dobiprurëse dhe e disponueshme për të gjithë, të rinj a të moshuar qofshim.
Muzika ka histori shumë të gjatë. Për shembull, zbulimet arkeologjike tregojnë se shekuj para erës sonë, fiset afrikane u binin daulleve, brirëve dhe zileve. Kinezët e lashtë i binin një lloj harmonike të gojës dhe fyellit të Panit. Popujt e Egjiptit, të Indisë, të Izraelit dhe të Mesopotamisë luanin në harpë. Ndoshta një nga dokumentimet historike më specifike për muzikën, është ajo që gjendet në Bibël te Zanafilla 4:21. Aty mësojmë se një burrë me emrin Jubal ishte «ati i atyre që përdorin harpën dhe pipëzën». Shumë shekuj më vonë, Solomoni, mbreti i Izraelit, tregoi interes të madh për muzikën dhe siguroi drurin më të mirë që mund të gjendej atëherë për të bërë harpa dhe vegla të tjera me tela.—1 Mbretërve 10:11, 12.
Sigurisht, për të shijuar muzikën instrumentale në ato kohë, duhej t’i bije një vegle ose të dëgjoje dikë që dinte t’i binte. Por, në ditët e sotme, miliona njerëz mund të dëgjojnë muzikë vetëm me një të shtypur të butonit ose me një klikim të mausit të kompjuterit. Vërtet, të gjitha llojet e muzikës mund të incizohen ose të shkarkohen dhe të dëgjohen në pajisje që mund t’i futësh edhe në xhep. Nga një anketim që u bë në Shtetet e Bashkuara në vitin 2009, u zbulua se fëmijët nga 8 deri 18 vjeç dëgjojnë muzikë ose regjistrime të tjera audio për më tepër se dy orë në ditë.
Kjo prirje mjaft e përhapur, na ndihmon të kuptojmë përse muzika dhe teknologjitë e tjera që lidhen me të janë kthyer në një biznes të madh. Po, muzika është një industri goxha fitimprurëse. Por, a e di se si bëhet hit një këngë?
[Kutia dhe figura në faqen 3]
Muzika në Internet
SHKARKIMET: Zakonisht përdoruesit e Internetit paguajnë për çdo gjë që shkarkojnë, e pastaj bëhet e tyrja. Kurse të tjerë, kur bëjnë kontratën e celularit ose ndonjë blerje, bëjnë edhe një pajtim që i lejon të shkarkojnë ose të dëgjojnë muzikë derisa kontrata është e vlefshme.
STREAMING: Kështu quhet në Internet muzika ose këngët që mund t’i dëgjosh në moment, pa i shkarkuar diku. Shumë prej tyre mund të dëgjohen pa pagesë. Kurse disa të tjera më të veçanta, mund të dëgjohen kur je i pajtuar.
[Tabela dhe figurat në faqen 3]
(Për tekstin faqosur, shih botimin)
Ngjarje të shënuara në median e regjistrimit
Vitet 1880
Gramafoni
Vitet 1890
Magnetofoni me tel çeliku
Vitet 1940
Bobina me shirit magnetik
Vitet 1960
Kaseta
Vitet 1980
Kompakt disku (CD)
Vitet 1990
Formatet dixhitale audio (MP3, AAC, WAV etj.)