Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Nazistët nuk më ndryshuan dot

Nazistët nuk më ndryshuan dot

Nazistët nuk më ndryshuan dot

Treguar nga Hermina Liska

FËMIJËRIA ime e qetë dhe e sigurt mori fund papritur në vitin 1938 kur Adolf Hitleri me partinë e tij naziste mori pushtetin në Austri, vendlindja ime. Shumë shpejt mua dhe shokëve të klasës na kërkuan të thoshim përshëndetjen «Hail Hitler», të këndonim këngë naziste dhe të merrnim pjesë në Rininë Hitleriane. Me vendosmëri, nuk pranova t’i bëja këto gjëra. Më lini t’ju shpjegoj arsyen.

U rrita në një fermë në Shën Valburgen të Karinthias, Austri, bashkë me katër vëllezërit e mi më të mëdhenj. Prindërit e mi quheshin Johan dhe Elizabeta Obveger. Në vitin 1925, babai u bë një Bibelforscher, ose Student i Biblës, siç quheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait. Mamaja u pagëzua në vitin 1937. Që në fëmijëri, më mësuan parimet biblike dhe më ngulitën dashurinë për Jehovain e krijimin e tij. Për shembull, më mësuan se është e gabuar të adhurosh një njeri. Jezu Krishti tha: «Jehovain, Perëndinë tënd, adhuro dhe vetëm atij bëji shërbim të shenjtë.»​—Luka 4:8.

Prindërit e mi ishin goxha mikpritës. Kishim shumë mysafirë dhe mjaft argatë jetonin me familjen tonë prej shtatë vetash. Këndonim shpesh​—një zakon që është ende i përhapur në Karinthia—​dhe bënim shumë biseda biblike interesante. Edhe sot e kësaj dite i kujtoj me ëndje momentet kur çdo të diel në mëngjes, familja jonë mblidhej rreth tavolinës në dhomën e pritjes për të studiuar Biblën.

Nga liria në frikë

Gjermania aneksoi Austrinë kur isha gati tetë vjeçe. Që nga ajo kohë, presioni për t’iu bindur kërkesave të partisë naziste u rrit dhe shumë shpejt të gjithë qytetarët duhej të përshëndetnin njëri-tjetrin me «Hail Hitler». Unë nuk pranova, sepse «hail» në gjermanisht do të thotë «shpëtim», dhe nuk doja t’ia jepja Hitlerit meritën për shpëtimin tim. E dija që Jezu Krishti ishte Shpëtimtari im. (Veprat 4:12) Shokët e klasës dhe mësuesit më vinin vazhdimisht në lojë për shkak të qëndrimit tim. Kur isha 11 vjeçe, drejtori i shkollës fillore më tha: «Hermina, do të të çoj përsëri në klasë të parë. Nuk mund ta toleroj një fëmijë kaq kokëfortë në klasën time!»

Ngaqë unë dhe vëllezërit e mi nuk pranonim me vendosmëri të përshëndetnim me «Hail Hitler», babanë e thirrën në gjyq. I kërkuan të firmoste një dokument ku mohonte besimin e tij. Në dokument thuhej edhe se ai do t’i rriste fëmijët sipas ideologjisë naziste. Ngaqë refuzoi të firmoste, ai dhe mami humbën kujdestarinë e fëmijëve dhe mua më dërguan në një qendër riedukimi rreth 40 km larg shtëpisë.

Shpejt filloi të më merrte malli për shtëpinë dhe qaja shumë. Ndërkohë kujdestarja u përpoq të më detyronte të bashkohesha me Rininë Hitleriane, por më kot. Vajzat e tjera u përpoqën të më mbanin dorën e djathtë lart gjatë himnit të flamurit nazist, por nuk ia dolën dot. Ndihesha si shërbëtorët e Perëndisë në lashtësi që thanë: «Nuk na ka shkuar kurrë ndër mend që të lëmë Jehovain e t’u shërbejmë perëndive të tjera.»​—Josiu 24:16.

Prindërit e kishin të ndaluar të më vizitonin. Megjithatë, ata gjenin mënyra për të më takuar fshehurazi gjatë rrugës për në shkollë dhe në shkollë. Ato takime të shkurtra më inkurajonin jashtëzakonisht t’i qëndroja besnike Jehovait. Në një prej tyre, babai më dha një Bibël të vogël të cilën e fsheha me kujdes në krevat. Sa kënaqesha kur lexoja Biblën, edhe pse duhej ta bëja fshehurazi! Një ditë desh më kapën duke lexuar Biblën, por e fsheha shpejt e shpejt poshtë batanijes.

Më çojnë në një manastir

Ngaqë të gjitha përpjekjet për të më riedukuar kishin dështuar, autoritetet dyshuan se prindërit ndikonin akoma tek unë. Kështu në shtator të vitit 1942, më çuan me tren në Mynih, Gjermani, dhe më futën në shkollën katolike Adelgunden, e cila ishte edhe një manastir. Gjatë transferimit, murgeshat ma panë Biblën dhe ma morën.

Pavarësisht nga kjo, isha e vendosur t’u qëndroja besnike bindjeve të mia dhe nuk pranova të merrja pjesë në shërbesat kishtare. Kur i thashë një murgeshe që prindërit ma lexonin Biblën të dielave, reagimi i saj më habiti. Ajo ma ktheu Biblën. Me sa duket, fjalët e mia i kishin prekur zemrën. Madje më la t’ia lexoja Biblën edhe asaj.

Njëherë, një mësuese më tha: «Hermina, ti je biondinë me sy bojëqielli. Je racë gjermane, nuk je judeje. Jehovai është Perëndia i judenjve.»

«Por Jehovai ka krijuar çdo gjë,—u përgjigja unë.—Ai është Krijuesi i të gjithëve ne.»

Edhe drejtori i shkollës u përpoq të më bënte presion. Njëherë më tha: «Shiko Hermina, një nga vëllezërit e tu është futur në ushtri. Sa shembull i mirë për ty!» E dija që një nga vëllezërit e mi ishte futur në ushtri, por nuk kisha ndër mend të ndiqja shembullin e tij.

«Nuk jam dishepulle e vëllait tim,—i thashë,—por e Jezu Krishtit.» Atëherë drejtori më kërcënoi se do të më dërgonte në një pavijon psikiatrik, madje udhëzoi një murgeshë të bëhej gati që të më çonte atje. Megjithatë nuk e çoi deri në fund kërcënimin.

Mynihu u bombardua në verën e vitit 1943 dhe fëmijët e shkollës Adelgunden i transferuan në fshat. Gjatë asaj kohe, shpesh mendoja për fjalët e mamasë: «Nëse ndonjëherë do të na ndajnë dhe nuk do të marrësh as letrat e mia, mos harro se Jehovai dhe Jezui do të jenë me ty. Ata nuk do të të braktisin kurrë. Prandaj vazhdo të lutesh.»

Më lejojnë të kthehem në shtëpi

Në mars të vitit 1944, më kthyen në Adelgunden, ku pothuajse ditë e natë rrinim në një strehim kundërajror për shkak të bombardimeve të shumta në Mynih. Ndërkohë, prindërit e mi bënin kërkesë rregullisht që të më lejonin të kthehesha tek ata. Më në fund, kërkesa e tyre u pranua dhe unë mbërrita në shtëpi në fund të prillit të vitit 1944.

Kur erdhi koha për t’u ndarë me drejtorin, ai më tha: «Na shkruaj kur të arrish në shtëpi Hermina. Dhe mos ndrysho.» Sa shumë kishte ndryshuar qëndrimi i tij! Më vonë mësova se pak pas ikjes sime, nëntë vajza dhe tri murgesha ishin vrarë gjatë një bombardimi ajror. Sa e tmerrshme është lufta!

Nga ana tjetër, unë isha e lumtur që u bashkova përsëri me familjen time. Në maj të 1944-ës, ndërsa lufta bënte kërdinë, u pagëzova në një vaskë në simbol të kushtimit tim ndaj Jehovait. Kur luftimet mbaruan në vitin 1945, nisa shërbimin në kohë të plotë, e etur për të ndarë me të tjerët lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë, shpresa e vetme e njerëzimit për paqe dhe siguri të përhershme.​—Mateu 6:9, 10.

Në vitin 1950, takova Erik Liskën, një shërbëtor udhëtues në moshë të re nga Vjena, Austri. U martuam në vitin 1952 dhe për pak kohë e shoqërova ndërsa vizitonte kongregacionet që t’i forconte frymësisht.

Fëmija ynë i parë lindi në 1953-shin, dhe më pas patëm edhe dy të tjerë. Ngaqë përgjegjësitë tona familjare u shtuan, e ndërpremë shërbimin në kohë të plotë që të rritnim fëmijët. Kam parë se, nëse qëndron i lidhur ngushtë me Perëndinë, ai nuk të zhgënjen kurrë, por të jep forcë. Mua nuk më ka zhgënjyer kurrë. Jehovai ka qenë burim ngushëllimi dhe force për mua, sidomos pas vdekjes së bashkëshortit tim të dashur në vitin 2002.

Kur mendoj për jetën time, u jam shumë mirënjohëse prindërve që ngulitën në zemrën time të njomë dashurinë për Jehovain dhe për Fjalën e tij të shkruar, burimin e mençurisë së vërtetë. (2 Timoteut 3:16, 17) Por mbi të gjitha, i jam mirënjohëse Jehovait që vazhdon të më japë forcë për të përballuar vështirësitë e jetës.

[Diçitura në faqen 19]

«Nuk jam dishepulle e vëllait tim, . . . por e Jezu Krishtit»

[Figura në faqen 19]

Me familjen në fermën tonë në Shën Valburgen

[Figurat në faqen 19]

Prindërit e mi, Elizabeta dhe Johan Obveger

[Burimi]

Të dyja fotografitë: Foto Hammerschlag

[Figura në faqen 20]

Me tim shoq, Erikun