Si bëhet hit një këngë?
Si bëhet hit një këngë?
MUZIKA është një industri që ecën me hapa viganë, në ndryshim të vazhdueshëm dhe tepër konkurruese. Shijet muzikore ndryshojnë, hitet bëhen bajate dhe shijet e teknologjitë e reja eklipsojnë të vjetrat. Sipas ekspertes së medias shoqërore Keli S. Bërns, promovuesit «janë gjithnjë në kërkim të një kënge të re më të bujshme». Por ta kthesh një këngë në hit, nuk është e lehtë. «Shumë të rinj ëndërrojnë të regjistrojnë këngë dhe të bëhen të famshëm, . . . por shpesh rruga nga ëndrra deri te kontrata diskografike, është e gjatë dhe e vështirë»,—thotë një manual i kësaj industrie.—Shih kutinë «Ndryshimet në industrinë e muzikës» në faqen 6.
Përshtatja e tekstit me muzikën
Autorët e këngëve (1) kanë për qëllim të shkruajnë tekste që prekin ndjenjat, që u bëjnë jehonë shpresave, ëndrrave dhe ndjenjave më të thella. Cila temë preket më shumë? Ndoshta e merr me mend: dashuria. Autorët e këngëve përpiqen edhe të kompozojnë melodi të kapshme që tërheqin vëmendjen e dëgjuesit dhe mbeten në mendje.
Pastaj, autori zakonisht bën një regjistrim eksperimental të këngës. Nëse drejtuesit e një shtëpie diskografike mendojnë se është një këngë që ia vlen ta hedhësh në treg, mund t’i ofrojnë atij një kontratë diskografike (2). Por, nëse kanë rezerva për të si këngëtar (ndoshta nuk
është shumë i njohur), mund ta blejnë këngën që ta interpretojë një artist i njohur.Në studio
Për të mbikëqyrur regjistrimin (3), shtëpitë diskografike zakonisht paguajnë një producent me përvojë. Ai vendos për këngën dhe stilin. Gjithashtu, paguan dhe mbikëqyr studion e regjistrimit, orkestruesit, kopjuesit e partiturave, instrumentistët, koristët, inxhinierët e regjistrimit dhe pajisjet e nevojshme për të bërë një këngë profesionale që do të pëlqehet.
Shumë regjistrime bëhen duke bashkuar pjesët e regjistruara. Shpesh fillohet me baterinë, kitarën, kitarën bas dhe tastierën elektronike. Pastaj shtohet zëri i solistëve e i vokalistëve shoqërues, solistët instrumentalë dhe efektet speciale zanore e miksohen të gjitha bashkë. Kështu del kopja master dixhitale (4).
Hedhja në treg
Për të promovuar regjistrimet e tyre, shtëpitë diskografike shpesh prodhojnë videoklipe (5). Këto xhirime tre deri pesëminutëshe krijojnë emocionet e një shfaqjeje live dhe u jep mundësi artistëve të reklamohen në media. Shitjet e videoklipeve u sjellin mjaft fitime edhe shtëpive diskografike.
Artistët gjithmonë shesin më tepër albume në vendet ku japin koncerte live (6). Kështu, shpesh promovojnë një album të ri duke bërë turne dhe koncerte. Shumë artistë hapin edhe një faqe në Internet (7) ku futin fragmente muzikore, foto, video, një blog personal, njoftime
për koncertet e ardhshme, adresat e siteve të klubeve të fansave dhe, ç’është më e rëndësishme, sitet ku mund të blihen këngët.Kush vendos nëse një këngë do të bëhet hit? Në fund të fundit, je ti: dëgjuesi. Po ku bazohesh kur zgjedh muzikën? Vetëm te melodia ose artisti, apo zgjedh në bazë të parimeve? Këto janë pyetje të rëndësishme, pasi muzika është e fuqishme dhe mund të ndikojë shumë thellë te ne. Kjo na sjell ndër mend një këshillë të rëndësishme nga Krijuesi ynë: «Më shumë se gjithçka tjetër që duhet ruajtur, ruaj zemrën, sepse prej saj dalin burimet e jetës.»—Proverbat 4:23.
Si mund t’ia vësh veshin kësaj këshille të mençur në lidhje me muzikën? Dhe nëse je prind, si mund ta përmbushësh përgjegjësinë për t’i mbrojtur fëmijët nga dëmet frymore, mendore dhe emocionale?
[Kutia në faqen 6]
Ndryshimet në industrinë e muzikës
Interneti dhe pajisjet e programet kompjuterike të regjistrimit jo të kushtueshme, po bëjnë revolucion në industrinë e muzikës. Në ditët e sotme, muzikantët mund të regjistrojnë në shtëpi muzikë me cilësi profesionale dhe ta shpërndajnë për dëgjuesit në mbarë botën. Sipas revistës The Economist, «disa artistë me emër kanë regjistruar dhe shpërndarë krijimet e tyre pa ndihmën e një shtëpie diskografike».