Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Tradita ruse e pikturës mbi dru

Tradita ruse e pikturës mbi dru

Tradita ruse e pikturës mbi dru

● Shumicës së turistëve në Rusi u pëlqen të blejnë disa lloj punimesh artizanale, si kukullat matrioshka. Në kohët e hershme, shumë prej tyre ishin punime në dru të bëra nga zejtarë duarartë në fshatra. Një prej këtyre traditave të pikturës mbi dru, quhet kokloma.

Prej shekujsh, rusët kanë ngrënë në kupa të gdhendura e të pikturuara me kujdes dhe përdornin lugë, filxhanë e enë të tjera prej druri. Ato zbukuroheshin zakonisht me figura bimësh ose kafshësh. Fshatra të tërë mund t’i përkushtohen prodhimit të enëve prej druri të një lloji të caktuar.

Fshatarët merreshin me këto punime në periudhën e gjatë e të ftohtë dimërore, kur nuk kishte shumë punë në bujqësi. Dyqind a më shumë vjet më parë, prodhimi i këtyre punimeve artizanale u bë mjaft fitimprurëse në disa qytete e fshatra. Për shembull, njëherë, të gjithë banorët e Sjemjënovit e lanë bujqësinë dhe vetëm brenda një viti prodhuan gati dy milionë kupa prej druri, pjatanca, filxhanë dhe lugë.

Fshatarët afër qytetit të Nizhnji Novgorodit shpikën një teknikë për prodhimin e një lustre të praruar rezistente për enët e pikturuara. Zhvilluan bojëra dhe lloje llaku që e duronin nxehtësinë, dhe enët e përgatitura i thanin në furrë. Temperatura e lartë i jepte sipërfaqes ngjyrë argjendi një nuancë të njëtrajtshme ngjyrë floriri. Ky proces përdoret akoma sot e kësaj dite në fabrikat e koklomës në Nizhnji Novgorod.

Në teknikën e koklomës zbukurimet bëhen me lule dhe bimë të pyjeve e lëndinave të Rusisë, si edhe me shpendë e peshq. Shpesh i zbukurojnë me dredhëza dhe gjethe të përziera me fruta të ndryshme, si për shembull me fruta pylli. Ngjyrat që përdoren kryesisht janë e kuqja, e zeza, ngjyra e florinjtë dhe e gjelbër. Sot, falë punimeve artizanale kokloma, enët me ngjyrat e bukura nga fshatrat e Rusisë, u japin lezet tavolinave në mbarë botën.