Adoleshenca—Përgatitje për moshën e rritur
Adoleshenca—Përgatitje për moshën e rritur
IMAGJINO sikur ke ardhur nga një ishull tropikal në Rrethin Polar të Veriut. Sapo zbret nga avioni, e kupton se je në një klimë të akullt. A është e mundur të përshtatesh? Po, por do të të duhet të bësh disa rregullime.
Me një situatë të tillë përballesh kur fëmijët e tu bëhen adoleshentë. Duket sikur klima ka ndryshuar brenda natës. Djali që njëherë e një kohë rrinte vetëm pas teje, tani parapëlqen shoqërinë e bashkëmoshatarëve. Vajza që njëherë e një kohë mezi priste të të tregonte si e kishte kaluar ditën, tani përgjigjet shkurt.
—Si kalove në shkollë?—e pyet ti.
—Mirë,—përgjigjet ajo.
Heshtje.
—Çfarë po mendon?—e pyet.
—Asgjë,—thotë ajo.
Heshtje më e gjatë.
Çfarë ka ndodhur? Jo shumë kohë më parë, fëmija yt ishte gati të të tregonte pothuajse gjithçka, por tani duket se nuk të tregon shumë dhe ndonjëherë ua tregon të tjerëve gjërat që nuk do të t’i tregojë ty. Ndoshta ndihesh sikur s’të mbetet veçse të jesh thjesht spektator ndërsa rritet pa qenë në gjendje ta ndihmosh.
A duhet të dorëzohesh përballë kësaj distance të akullt? Jo, aspak. Mund t’u qëndrosh afër fëmijëve edhe gjatë adoleshencës. Por, së pari duhet të kuptosh se çfarë ndodh gjatë kësaj faze mahnitëse e ndonjëherë të trazuar.
Kalimi nga fëmijëria në moshën e rritur
Studiuesit më parë mendonin se aty nga mosha 5-vjeçare, truri i një fëmije është gati plotësisht i zhvilluar. Tani ata besojnë se, megjithëse përmasat e trurit nuk ndryshojnë shumë pas kësaj moshe, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për funksionet e tij. Kur hyjnë në pubertet, te të rinjtë fillon një revolucion hormonal që u ndryshon mënyrën si mendojnë. Për shembull, kur janë të vegjël zakonisht fëmijët i shohin gjërat bardhë e zi, kurse adoleshentët kanë prirjen të mendojnë në mënyrë abstrakte, duke i peshuar thellë gjërat. (1 Korintasve 13:11) Zhvillojnë bindjet e tyre dhe i shprehin pa ndrojtje.
Paoloja nga Italia vuri re këtë ndryshim te djali i tij adoleshent. «Kur shoh djalin tim,—thotë ai,—më duket sikur kam një burrë përpara meje, jo më një djalosh. Dhe nuk e kam fjalën vetëm për ndryshimet fizike. Ajo që më habit më shumë është mënyra e tij e të menduarit. Nuk ka frikë ta shprehë dhe ta mbrojë mendimin e tij.»
A ke vënë re diçka të ngjashme te fëmija yt? Ndoshta kur ishte i vogël, thjesht ndiqte urdhrat. Mjaftonte vetëm t’i thoshe: «Sepse kështu them unë.» Tani që është adoleshent, ai kërkon arsye, dhe ndoshta vë në dyshim parimet që ndjek familja. Ndonjëherë mënyra e sigurt me të cilën shprehet duket si rebelim.
Por mos nxirr përfundimin se fëmija ka për qëllim të hedhë poshtë parimet e tua. Ai mund të jetë duke luftuar për t’i përvetësuar këto parime, për t’u bërë vend në jetën e tij. Për ta ilustruar, imagjino sikur po transferohesh nga një shtëpi në tjetrën dhe mobiliet do t’i marrësh në shtëpinë e re. A do ta kishe të lehtë t’i gjeje një vend secilës prej tyre në shtëpinë e re? Ka të ngjarë që jo. Por një gjë është e sigurt, nuk do të hedhësh asgjë që për ty është e çmuar.
Fëmija është në një situatë të ngjashme ndërsa përgatitet për kohën kur «do të lërë babanë dhe nënën». (Zanafilla 2:24) Është e vërtetë se ajo ditë mund të jetë larg, pasi fëmija yt adoleshent nuk është ende një i rritur. Por, në njëfarë kuptimi, ai tashmë ka filluar të bëjë gati plaçkat. Gjatë gjithë viteve të adoleshencës, ai shqyrton parimet sipas të cilave është rritur dhe po vendos se cilat «do të marrë me vete» kur të rritet. *
Ideja se fëmija yt po merr vendime të tilla, mund të të trembë. Megjithatë, mund të jesh i sigurt se, kur të hyjë në moshën e rritur, do të mbajë vetëm ato parime që për të janë të çmuara. Prandaj, tani sa është ende në shtëpi, duhet t’i analizojë mirë parimet që do të ndjekë në jetë.—Veprat 17:11.
Në të vërtetë, kjo është në të mirë të tij. Në fund të fundit, nëse i pranon tani normat e tua pa i vënë në diskutim, më vonë mund të pranojë edhe normat e të tjerëve me naivitet. (Dalja 23:2) Bibla thotë se një i ri i tillë joshet lehtë sepse ‘zemra e tij është pa gjykim të mirë’, pra ndër të tjera, nuk ka as aftësi dalluese. (Proverbat 7:7) Një i ri që s’ka formuar bindjet e veta mund të jetë ‘i lëkundur nga dallgët e i çuar andej-këtej nga çdo erë mësimi, nga dredhia e njerëzve’.—Efesianëve 4:14.
Si mund ta ndihmosh fëmijën që të mos i ndodhë një gjë e tillë? Sigurohu që ai t’i ketë këto tri gjëra të vyera:
1 AFTËSI PERCEPTUESE
Apostulli Pavël shkroi se ‘njerëzit e pjekur i kanë aftësitë perceptuese të stërvitura për të shquar si të drejtën, ashtu edhe të gabuarën’. (Hebrenjve 5:14) «Por unë i kam mësuar fëmijës tim çfarë është e drejtë dhe e gabuar vite më parë»,—mund të thuash ti. Sigurisht, ajo stërvitje i solli dobi në atë kohë dhe e ka përgatitur për fazën e tanishme. (2 Timoteut 3:14) Megjithatë, Pavli tha se njerëzit duhet t’i kenë aftësitë perceptuese të stërvitura. Vërtet, fëmijët e vegjël mund të fitojnë njohuri për të drejtën dhe të gabuarën, por adoleshentët ‘duhet të bëhen tërësisht të rritur në aftësitë për të kuptuar’. (1 Korintasve 14:20; Proverbat 1:4; 2:11) Ti nuk do që fëmija të bindet verbërisht, por të jetë i aftë të arsyetojë në mënyrë të shëndoshë. (Romakëve 12:1, 2) Si mund ta ndihmosh për këtë?
Jakovi 1:19; Proverbat 18:13) Përveç kësaj, Jezui tha: «Goja flet nga mbushullia e zemrës.» (Mateu 12:34) Nëse dëgjon, do të arrish të kuptosh se çfarë e shqetëson vërtet fëmijën.
Një mënyrë është duke e lënë të shprehet. Mos e ndërprit dhe përpiqu fort që të mos e teprosh me mënyrën si reagon edhe nëse thotë diçka që ti nuk dëshiron ta dëgjosh. Bibla thotë: «Çdo njeri duhet të jetë i shpejtë në të dëgjuar, të mos nxitohet në të folur e të mos zemërohet shpejt.» (Kur flet me të, përpiqu më mirë të bësh pyetje, sesa të flasësh prerazi. Jezui ndonjëherë pyeste «Ç’mendoni?», që t’i nxiste të shpreheshin jo vetëm dishepujt, por edhe ata që ishin kokëfortë. (Mateu 21:23, 28) Një gjë të ngjashme mund të bësh edhe me fëmijën adoleshent, edhe kur shpreh një mendim që kundërshton mendimin tënd. Për shembull:
Nëse fëmija thotë: «Nuk jam i sigurt se besoj te Perëndia.»
Në vend që të përgjigjesh: «Pse kështu të kemi mësuar ne? Sigurisht që beson te Perëndia.»
Mund të thuash: «Pse mendon kështu?»
Pse ta inkurajosh të shprehet? Sepse, megjithëse po e dëgjon çfarë thotë, duhet të zbulosh çfarë mendon. (Proverbat 20:5) Problemin mund ta ketë më shumë me normat e Perëndisë sesa me ekzistencën e Tij.
Për shembull, një i ri që ndien presionin për të mos iu bindur normave morale të Perëndisë, për t’i dhënë zgjidhje, mund ta heqë fare nga skena Perëndinë. (Psalmi 14:1) «Nëse Perëndia nuk ekziston,—mund të arsyetojë ai,—atëherë nuk kam pse të jetoj sipas normave të Biblës.»
Nëse fëmija yt duket se ka këto mendime, atëherë mund të jetë e nevojshme të mendojë për këtë pyetje: «A besoj vërtet se normat e Perëndisë janë për të mirën time?» (Isaia 48:17, 18) Nëse ai beson se janë për të mirën e tij, inkurajoje të kuptojë që ia vlen të luftojë për mirëqenien e vet.—Galatasve 5:1.
Nëse fëmija thotë: «Mund të jetë feja jote, por kjo nuk do të thotë që është edhe imja.»
Në vend që të përgjigjesh: «Është feja jonë, ti je fëmija ynë dhe do të besosh atë që të themi ne.»
Mund të thuash: «Këto janë fjalë mjaft të forta. Por, nëse nuk je dakord me bindjet e mia, atëherë duhet të kesh të tjera për t’i zëvendësuar. Prandaj, cilat janë bindjet e tua? Sipas teje, çfarë normash është e drejtë të ndjekësh në jetë?»
Pse ta inkurajosh të shprehet? Sepse kur arsyeton kështu me të, mund ta ndihmosh të shqyrtojë mendimet e veta. Ai mund të habitet kur të shohë se keni të njëjtat bindje, por ajo që e shqetëson në të vërtetë është tjetër gjë.
Për shembull, ndoshta ai nuk di si t’ua shpjegojë bindjet e tij të tjerëve. (Kolosianëve 4:6; 1 Pjetrit 3:15) Ose ndoshta ka ndjenja romantike për dikë që nuk ka të njëjtin besim. Shko në rrënjë të problemit, e ndihmoje edhe fëmijën të bëjë të njëjtën gjë. Sa më shumë t’i përdorë aftësitë perceptuese, aq më i përgatitur do të jetë për moshën e rritur.
2 DREJTIM NGA TË RRITURIT
Sot, në disa kultura, ka pak ose aspak shenja të «stuhisë dhe stresit» që disa psikologë thonë se priten gjatë viteve të adoleshencës. Studiuesit kanë zbuluar se në këto vende të rinjtë fillojnë të bëjnë një jetë prej të rrituri që në moshë të njomë. Punojnë me të rritur, shoqërohen me të rritur dhe u besohen përgjegjësi të rriturish. Terma të tillë si «bota e të rinjve», «kriminaliteti te të rinjtë» e madje edhe fjala «adoleshencë», nuk ekzistojnë.
Nga ana tjetër, mendoni për jetën që bëjnë të rinjtë në mjaft vende, të cilët grumbullohen në shkollat e tejmbushura, ku të vetmet lidhje të rëndësishme shoqërore që kanë, janë me të rinj të tjerë. Kur vijnë në shtëpi, nuk gjejnë njeri. Të dy prindërit janë në punë. Të afërmit jetojnë larg. Njerëzit me të cilët shoqërohen më tepër, janë bashkëmoshatarët. * E kupton rrezikun? Nuk bëhet fjalë vetëm kur përfshihen në shoqëri të keqe. Studiuesit kanë zbuluar se edhe të rinjtë shembullorë priren të bien në sjellje të papërgjegjshme nëse qëndrojnë të shkëputur nga bota e të rriturve.
Një nga kulturat që nuk i ndante të rinjtë nga të rriturit, ishte ajo e Izraelit të lashtë. * Për shembull, Bibla tregon për Uziahun që u bë mbret i Judës kur ishte ende adoleshent. Çfarë e ndihmoi ta mbante atë përgjegjësi të madhe? Me sa duket, pjesërisht mund të ketë qenë ndikimi i një të rrituri me emrin Zakaria, të cilin Bibla e përshkruan si një njeri që «e mësonte të kishte frikë nga Perëndia i vërtetë».—2 Kronikave 26:5.
A shoqërohet fëmija yt adoleshent me një ose më shumë miq të rritur që kanë të njëjtat parime me ty? Mos u bëj xheloz për këto shoqëri të dobishme. Shoqëria me ta mund ta ndihmojë fëmijën tënd të bëjë atë që është e drejtë. Një proverb biblik thotë: «Kush ecën me të mençurit, do të bëhet i mençur.»—Proverbat 13:20.
3 NDJENJA E PËRGJEGJËSISË
Në disa vende, ligji nuk lejon që të rinjtë të punojnë më shumë se një numër të caktuar orësh në javë ose të bëjnë disa lloj punësh. Këto kufizime janë vënë për të mbrojtur fëmijët nga kushtet e rrezikshme të punës, rezultat i revolucionit industrial të shekullit të 18-të dhe 19-të.
Vërtet këto ligje i mbrojnë të rinjtë nga rreziku dhe abuzimi, por disa ekspertë thonë se në të njëjtën kohë ato nuk lejojnë që të rinjtë të marrin përgjegjësi. Si rezultat, thotë libri Escaping the Endless Adolescence, mjaft adoleshentë kanë zhvilluar «sigurinë se kanë të drejtën t’i pretendojnë gjërat,
sikur meritojnë t’i kenë pa iu dashur fare të luftojnë për to». Autorët e tij vërejnë se ky qëndrim «duket një reagim i natyrshëm ndaj jetës në një botë që shqetësohet më tepër për t’i argëtuar adoleshentët në vend që të presë diçka prej tyre».Nga ana tjetër, Bibla tregon për të rinj që merrnin përgjegjësi të mëdha që në moshë të vogël. Mendo pak për Timoteun, i cili ka të ngjarë të ishte adoleshent kur takoi apostullin Pavël, një burrë që ndikoi shumë tek ai. Në njëfarë pike, Pavli i tha Timoteut ‘të gjallëronte si zjarr dhuratën e Perëndisë që kishte’, domethënë të përqendrohej me gjithë zemrën dhe energjitë e tij në punën që i ishte besuar. (2 Timoteut 1:6) Ndoshta kur ishte në fund të adoleshencës ose në fillim të të 20-ave, Timoteu u largua nga shtëpia dhe udhëtonte me apostullin Pavël, duke ndihmuar për formimin e kongregacioneve dhe inkurajimin e vëllezërve. Pas gati dhjetë vjetësh pune me Timoteun, Pavli mundi t’u thoshte të krishterëve në Filipi: «Nuk kam askënd tjetër me një natyrë si e tija, që të kujdeset sinqerisht për punët tuaja.»—Filipianëve 2:20.
Shpesh, adoleshentët kanë shumë qejf të marrin përgjegjësi, sidomos kur kuptojnë se bëhet fjalë për punë domethënëse në dobi të të tjerëve. Kjo gjë jo vetëm i stërvit të bëhen të rritur të përgjegjshëm në të ardhmen, por edhe i ndihmon të nxjerrin më të mirën që tani.
Përshtatja me «klimën» e re
Siç e përmendëm në fillim të këtij artikulli, nëse ke një fëmijë adoleshent, ka mundësi që ndihesh sikur je në një «klimë» ndryshe nga ajo e vetëm pak viteve më parë. Të jesh i sigurt se mund të përshtatesh, siç ke bërë gjatë fazave të mëparshme të rritjes së fëmijës.
Konsideroji vitet e adoleshencës së fëmijës si një mundësi që (1) ta ndihmosh të zhvillojë aftësitë perceptuese, (2) t’i sigurosh drejtim nga të rritur dhe (3) t’i ngulitësh ndjenjën e përgjegjësisë. Kështu, do ta përgatitësh fëmijën për moshën e rritur.
[Shënimet]
^ par. 17 Një vepër referimi me të drejtë e quan adoleshencën si «një lamtumirë e gjatë». Për më shumë informacion, shih Kullën e Rojës të 1 majit 2009, faqet 10-12, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
^ par. 38 Zbavitjet e krijuara për adoleshentët shfrytëzojnë prirjen e të rinjve për të ndenjur me bashkëmoshatarët, duke ushqyer idenë se të rinjtë kanë botën e tyre që të rriturit as mund ta kuptojnë e as mund të bëhen pjesë e saj.
^ par. 39 Fjala «adoleshent» nuk përmendet në Bibël. Me sa duket, të rinjtë në popullin e Perëndisë, si në kohën para krishterimit ashtu edhe në kohën e krishterimit, përfshiheshin në jetën e të rriturve në moshë më të njomë se ç’është e zakonshme në shumë kultura sot.
[Kutia dhe figura në faqen 20]
«S’MUND TË KISHA PRINDËR MË TË MIRË»
Prindërit që janë Dëshmitarë të Jehovait u mësojnë fëmijëve, si me fjalë ashtu edhe me shembullin e tyre, të jetojnë në përputhje me parimet e Biblës. (Efesianëve 6:4) Megjithatë, ata nuk i detyrojnë. E kuptojnë se çdo fëmijë, kur rritet, duhet të vendosë se çfarë parimesh do të ndjekë në jetë.
Eshlina, 18 vjeçe, i ka bërë të vetat parimet me të cilat u rrit. «Unë,—thotë ajo,—nuk bëhem fetare vetëm një herë në javë. Për mua, feja është një mënyrë jetese. Ajo ndikon në çdo gjë që bëj dhe në çdo vendim që marr, duke filluar që nga zgjedhja e shokëve dhe e lëndëve mësimore e deri te librat që lexoj.»
Eshlina e vlerëson jashtë mase mënyrën si e kanë rritur prindërit e saj të krishterë. «S’mund të kisha prindër më të mirë,—thotë ajo,—dhe jam e bekuar që më kanë ngulitur dëshirën për t’u bërë e për të mbetur një Dëshmitare e Jehovait. Prindërit do të jenë gjithmonë një forcë që do të më drejtojë gjatë gjithë jetës.»
[Figura në faqen 17]
Lëre fëmijën të shprehet
[Figura në faqen 18]
Miqësia me një të rritur mund të ketë një ndikim të madh te fëmija yt
[Figura në faqen 19]
Puna domethënëse i ndihmon adoleshentët të bëhen të rritur të përgjegjshëm