Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pija ambasadore e Meksikës

Pija ambasadore e Meksikës

Pija ambasadore e Meksikës

● Kur spanjollët pushtuan Meksikën në fillim të shekullit të 16-të, provuan një pije vendëse me emrin pulke, që bëhej nga lëngu i fermentuar i bimës së agaves. Shumë e ngjashme me birrën, pulkeja ka një përqindje të vogël alkooli. Ajo përmban edhe proteina bimore, karbohidrate, vitamina dhe minerale, prandaj përdoret në shumë fusha për të kompensuar vlerat ushqimore.

Ngaqë ishin mësuar me pije alkoolike gjatë vakteve, spanjollët shumë shpejt filluan ta distilonin lëngun e agaves për të nxjerrë diçka më të fortë, që u quajt meskal. Kjo pije u bë paraardhësja e tekilës së sotme. Në kohën tonë, në Meksikë ka dhjetëra firma që prodhojnë tekila dhe nxjerrin mbi 189 milionë litra në vit, 40 për qind e së cilës eksportohet.

Agaveja blu, një bimë plot lëng që ka lidhje me familjen zambakore, kultivohet në ngastra në vende malore të thata në perëndim të Meksikës Qendrore, në shtetin e Haliskos afër qytetit të Tekilës, nga i cili mori emrin edhe pija. * Duhen 12 vjet që bima e agaves të rritet. Gjatë zhvillimit ajo thith shumë minerale. Pasi korret, gjethet e saj heshtake priten dhe ngelet zemra e saj në formë ananasi që quhet pinja. Mesatarisht, peshon 50 kilogramë dhe përmban një lëng të pasur. Duhen 7 kilogramë pinja për të nxjerrë 1 litër tekila.

Shumë meksikanëve u pëlqen tekila shqeto, e shoqëruar me kripë dhe një fetë limoni jeshil. Të huajt njohin më shumë pijen margarita, një përzierje e tekilës me lëng limoni jeshil dhe një lloj likeri me aromë portokalli, e cila shërbehet me akull të copëtuar në një gotë me fron e lyer me kripë në buzët e saj. * Ngaqë tregtohet në rreth 90 vende, tekila me të drejtë është quajtur ambasadorja e Meksikës.

[Shënimet]

^ par. 4 Nga 136 llojet e agaves në Meksikë, disa përdoren për pulke dhe pije të tjera alkoolike. Por vetëm agaveja blu përdoret për tekilën.

^ par. 5 Bibla nuk dënon përdorimin me masë të pijeve alkoolike. (Psalmi 104:15; 1 Timoteut 5:23) Ajo dënon të pirët me tepri dhe dehjen.​—1 Korintasve 6:9, 10; Titit 2:3.