Të shqyrtojmë provat
Të shqyrtojmë provat
NDODHESH në një ishull të largët e të pabanuar. Ndërsa ecën përgjatë plazhit, mbi një gur të madh sheh të gdhendur «John 1800». A mendon se ky mbishkrim mund të jetë rezultat i erozionit të erës ose ujit vetëm sepse është një ishull i izoluar dhe i pabanuar? Sigurisht që jo. Ti me të drejtë arrin në përfundimin se dikush e ka shkruar. Pse? Së pari, sepse një varg shkronjash e numrash që dallohen qartë, edhe nëse është në gjuhë të huaj, nuk shkruhet vetë. Së dyti, sepse është një informacion që ka kuptim, dhe kjo dëshmon për një burim inteligjent.
Në jetën e përditshme, ndeshemi me informacione të koduara në forma të ndryshme, si për shembull gjuha braile, shkronjat e alfabetit, diagramët, notat muzikore, fjalët e folura, shenjat me duar, sinjalet me radio dhe programet kompjuterike që përfshijnë kodin binar i cili përdor zero dhe njësha. Si mjet për të përçuar informacionin mund të shërbejë pothuajse çfarëdolloj gjëje, duke filluar që nga drita, valët e radiove, letra e deri te boja. Sido që të jetë, një informacion me kuptim njerëzit e lidhin gjithmonë me një burim inteligjent, përveç rastit kur ky informacion gjendet në një qelizë. Informacioni në një qelizë, sipas evolucionistëve, thjesht erdhi rastësisht ose u shkrua vetë. Por a ishte vërtet kështu? Le të shohim provat.
A mund të shkruhet vetë një informacion kompleks?
Në bërthamën e gati çdo qelize të trupit tënd ruhet i sigurt një kod mahnitës që gjendet tek acidi dezoksiribonukleik, që shkurt quhet ADN. Ajo është një molekulë e gjatë dyzinxhirëshe që duket si një shkallë e përdredhur. ADN-ja jote është si një recetë ose një program që udhëzon formimin, rritjen, mirëmbajtjen dhe riprodhimin e triliona qelizave që përbëjnë trupin tënd. Njësitë bazë që formojnë ADN-në, quhen nukleotide. Këto njësi njihen si A, C, G dhe T, në varësi të bazës kimike që përmbajnë. * Ashtu si shkronjat e alfabetit, këto katër shkronja mund të kombinohen në shumë mënyra dhe të formojnë «fjali», domethënë udhëzime që drejtojnë dyfishimin dhe procese të tjera brenda qelizës.
E gjithë paketa e informacionit në ADN-në tënde quhet gjenom. Disa vargje shkronjash në ADN-në tënde janë unike, pasi ADN-ja përmban informacionin e trashëgimisë, si ngjyrën e syve, ngjyrën e lëkurës, formën e hundës etj.
Me pak fjalë, gjenomi yt mund të krahasohet me një bibliotekë të stërmadhe me receta për çdo pjesë të trupit dhe produkti përfundimtar je ti.Sa e madhe është kjo «bibliotekë»? Është e gjatë rreth tre miliardë «shkronja» ose nukleotide (baza). Nëse do të transkriptohej në letër, siç ka zbuluar Projekti i Gjenomit Njerëzor, do të mbusheshin 200 vëllime librash me madhësinë e numëratorit telefonik me 1.000 faqe secili.
Këto fakte na sjellin ndër mend një lutje të jashtëzakonshme të dokumentuar rreth 3.000 vjet më parë. Ajo gjendet në Bibël te Psalmi 139:16 ku thuhet: «Sytë e tu panë embrionin tim, dhe në librin tënd ishin shkruar tërë pjesët e tij.» Sigurisht, shkrimtari nuk po fliste për gjëra shkencore, por me një gjuhë të thjeshtë ai përcolli një koncept jashtë mase të saktë për të ilustruar mençurinë dhe fuqinë marramendëse të Perëndisë. Sa ndryshe nga shkrimet e tjera të lashta fetare që ishin të mbushura me mitologji dhe besëtytni!
Kush e grumbulloi këtë «bibliotekë»?
Nëse arsyeja na thotë se gdhendja «John 1800» mbi shkëmb duhet të ketë një mendje inteligjente si burim, po informacioni edhe më kompleks e më kuptimplotë që gjendet në ADN? Në fund të fundit, informacioni është informacion pavarësisht se ku gjendet ose në ç’formë përçohet. Shkencëtari i informatikës dhe i komunikimit Donald E. Xhonson tha se ligjet e kimisë dhe të fizikës nuk janë në gjendje të krijojnë informacione ose sisteme komplekse që e përpunojnë atë informacion. Dhe është logjike që, sa më komplekse të jetë paketa e informacionit, aq më e madhe duhet të jetë inteligjenca për ta shkruar. Një fëmijë mund të shkruajë «John 1800». Por vetëm një mendje mbinjerëzore mund ta ketë shkruar kodin e jetës. Për më tepër, siç shprehet gazeta Nature, zbulim pas zbulimi, «sa më shumë mësojmë për biologjinë, aq më komplekse duket ajo».
Po t’ia jepnim meritën për bibliotekën komplekse me informacione në ADN proceseve të verbra dhe të padrejtuara nga dikush, do të binim ndesh si me arsyen, ashtu edhe me përvojën njerëzore. * Kjo do të thotë të besosh përtej kufijve të logjikës.
Në përpjekje për ta hequr Perëndinë nga skena, evolucionistët ndonjëherë kanë nxjerrë përfundime që më vonë kanë dalë të gabuara. Le të shohim për shembull idenë që rreth 98 për qind
e gjenomit tonë është «pa vlerë», domethënë një bibliotekë recetash me miliarda fjalë të padobishme.A është vërtet «pa vlerë»?
Biologët kanë besuar për shumë kohë se ADN-ja është një recetë për prodhimin e proteinave dhe për asgjë tjetër. Megjithatë, me kalimin e kohës, u bë e qartë se vetëm 2 për qind e gjenomit përmban kodin për proteinat. Po 98 për qind e ADN-së çfarë funksioni ka? Kjo pjesë misterioze e ADN-së «u cilësua menjëherë si pjesë pa vlerë e evolucionit», siç u shpreh edhe Xhon S. Matiku, profesor i Biologjisë Molekulare në Universitetin e Kuinslandit në Brisbejn të Australisë.
Shkencëtari që përdori për herë të parë termin «ADN ‘pa vlerë’», ishte evolucionisti Susumu Ono. Në artikullin e tij me titull «Kaq shumë ADN ‘pa vlerë’ në gjenomin tonë», ai shkruante se vargjet e mbetura të ADN-së «janë mbetje të eksperimenteve të dështuara të natyrës. Toka është plot mbetje fosilesh të llojeve të zhdukura; a është çudi që edhe gjenomi ynë të jetë plot mbetje të gjeneve të zhdukura?»
Si ndikoi koncepti i ADN-së «pa vlerë» në studimet e gjenetikës? Biologu molekular Vojçek Makalovski thotë se kjo pikëpamje «i sprapsi studiuesit në përgjithësi që të mos e studionin ADN-në [pa vlerë] që nuk përmban kodin për prodhimin e proteinave», me përjashtim të një numri të vogël shkencëtarësh, të cilët, «megjithëse nën rrezikun e talljeve, eksplorojnë territore të paprekura. Falë tyre, pikëpamja e ADN-së pa vlerë . . . filloi të ndryshonte në fillim të viteve 1990.» Ai shton se, ajo që u quajt pa vlerë, tani nga biologët në përgjithësi konsiderohet «si një thesar i gjenomit».
Sipas mendimit të Matikut, teoria e ADN-së pa vlerë është një shembull tipik i traditës shkencore «se si prirja për t’u mbajtur fort pas një opinioni shtrembëron analizimin e fakteve». «Mungesa e kuptueshmërisë së plotë të pasojave të kësaj,—thotë ai,—mund të vazhdojë të kujtohet si një nga gabimet më të mëdha në historinë e biologjisë molekulare.» Është e qartë se e vërteta në shkencë duhet përcaktuar në bazë të provave, jo në bazë të votave të shumicës. Po atëherë, çfarë na tregojnë zbulimet e fundit për rolin e ADN-së «pa vlerë»?
Çfarë bën ADN-ja «pa vlerë»?
Një fabrikë që prodhon vetura përdor makineri për prodhimin e pjesëve. Pjesët e veturave mund t’i krahasojmë me proteinat në një qelizë. Fabrika ka nevojë edhe për mjete e sisteme që montojnë pjesët një më një dhe të tjera që shërbejnë si kontrollore ose rregullatore në linjën e montimit. E njëjta gjë vlen edhe për veprimtarinë brenda qelizës. Dhe këtu, thonë studiuesit, hyn në lojë ADN-ja «pa vlerë». Pjesa më e madhe e saj përmban recetën për një kategori molekulash komplekse të quajtura ARN (acidi ribonukleik) rregullatore, që luajnë një rol kyç në mënyrën si zhvillohet, rritet dhe funksionon qeliza. * «Thjesht fakti që këto molekula rregulluese të ARN-së ekzistojnë,—thotë biomatematikani Xhoshua Plotkin në revistën Nature,—tregon se kuptueshmëria jonë për gjërat më bazë . . . është tmerrësisht sipërfaqësore.»
Që një fabrikë të jetë e efektshme, ka nevojë edhe për sisteme të efektshme komunikimi. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për qelizën. Toni Posëni, një biolog molekular në Universitetin e Torontos në Ontario, shpjegon: «Informacioni sinjalizues në qeliza është i organizuar nëpërmjet rrjeteve të informacionit dhe jo nëpërmjet rrugëve të thjeshta të ndara nga njëra-tjetra» duke e bërë të gjithë procesin «pafundësisht më kompleks» sesa mendohej më parë. Vërtet, siç tha një gjenetist në Universitetin e Prinstonit, «shumë nga mekanizmat dhe parimet që drejtojnë veprimtarinë brenda qelizës dhe midis qelizave, mbeten një mister».
Çdo zbulim i ri për qelizën të çon në nivele edhe më të larta rregulli dhe sofistikimi. Po atëherë, si ka mundësi që shumë njerëz akoma nuk heqin dorë nga ideja se jeta dhe sistemet më të sofistikuara të informacionit që njeh njeriu, janë produkt i procesit të rastësishëm të evolucionit?
[Shënimet]
^ par. 5 Secila prej nukleotideve përmban një nga katër bazat kimike: (A) adeninën, (C) citozinën, (G) guaninën dhe (T) timinën.
^ par. 11 Mendohet se evolucioni ndodh si rezultat i mutacioneve që shpjegohen shkurtimisht në artikullin vijues.
^ par. 19 Studimet e fundit tregojnë se ARN-të e gjata që nuk merren me prodhimin e proteinave, janë mjaft komplekse dhe në të vërtetë nevojiten për zhvillimin normal. Studiuesit kanë zbuluar se keqfunksionimet në këto ARN, shkaktojnë shumë sëmundje, si kancere të ndryshme, psoriazë e madje edhe Alcajmer. Ajo që më parë etiketohej si «pa vlerë», mund të ketë çelësin për diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve të ndryshme.
[Kutia në faqen 5]
SA E GJATË ËSHTË ADN-JA?
Po ta shtrish, ADN-ja e një qelize të trupit të njeriut është gati 2 metra e gjatë. Nëse do të nxirrje ADN-në nga triliona qeliza që ka trupi dhe t’i vije njëra pas tjetrës, gjatësia totale, sipas disa llogaritjeve, do të ishte me përafërsi 670 herë më e madhe se distanca midis tokës e diellit vajtje-ardhje. Për ta përshkuar këtë distancë me shpejtësinë e dritës, do të duheshin rreth 185 orë.