Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të rinjtë pyesin

Si të gjej zbavitje të shëndetshme?

Si të gjej zbavitje të shëndetshme?

Nëse je i krishterë, me siguri je përzgjedhës me zbavitjet. Nuk pranon të shohësh, të lexosh ose të dëgjosh çdo gjë që të thonë të tjerët. Pse jo? Sepse shumë nga zbavitjet e sotme lartësojnë marrëdhëniet e paligjshme seksuale, dhunën dhe spiritizmin, gjëra që duhet t’i shmangësh. Sidoqoftë, mund të gjesh zbavitje të shëndetshme. Le të shohim si mund t’i gjesh. *

FILMAT

Poshtë vër një shenjë ✔ anash llojit të filmave që preferon.

  • Komedi

  • Dramë

  • Aksion/​Aventurë

  • Fantastiko-shkencorë

  • Tjetër

A e dije . . . ? India zakonisht prodhon më tepër se një mijë filma, shumë më tepër se çdo shtet tjetër.

Çfarë të shmangësh? Shumë filma nxitin vlera që bien në kundërshtim me normat biblike. Disa shfaqin skena të mirëfillta seksuale dhe dhune, kurse të tjerë trajtojnë tema të mbinatyrshme. Por Bibla thotë: ‘Flakini larg jush të gjitha këto: furinë, zemërimin, të keqen, sharjen dhe të folurin e ndyrë.’ (Kolosianëve 3:8) Për më tepër, Perëndia dënon çdo praktikë që ka të bëjë me spiritizmin.​—Ligji i përtërirë 18:10-13.

Si të jesh përzgjedhës? «Nëse reklamat me sekuenca filmike më duken të papërshtatshme, nuk e shoh filmin.»​—Xherina. *

«Nëse nuk jam e sigurt që dikush ka të njëjtat parime si unë, atëherë nuk i besoj kur më rekomandon një film.»​—Kejtlina.

«Nëse jam duke parë një film në kinema dhe nuk ndihem rehat me atë që shoh, iki fare.»​—Marina.

«Që të kuptoj më shumë rreth përmbajtjes së një filmi, futem në një sit Interneti ku mund të shoh shkallën e skenave seksuale, të dhunës dhe të fjalëve të pista.»​—Natasha.

Këshillë: Kërko filma që kanë më pak të ngjarë të përmbajnë materiale të diskutueshme. «Më pëlqejnë shumë filmat e vjetër, filma që bazohen në letërsinë klasike»,—thotë një adoleshente me emrin Masami.

Pyet veten,

«Filmat që shoh, a ma bëjnë më të lehtë apo më të vështirë t’i bindem urdhërimeve të Perëndisë në lidhje me marrëdhëniet seksuale, dhunën dhe spiritizmin?»

LIBRAT

Poshtë vër një shenjë ✔ anash zhanrit letrar që preferon.

  • Letërsi artistike

  • Letërsi joartistike

  • Letërsi klasike

  • Tjetër

A e dije . . . ? Vetëm në Shtetet e Bashkuara botohen çdo javë më tepër se një mijë libra.

Industria e zbavitjes nuk humbet gjë, veçse fiton nëse ti shpërfill ndërgjegjen e stërvitur nga Bibla dhe sheh, lexon ose dëgjon çfarëdo që preferon shumica.

Çfarë të shmangësh? Ashtu si filmat, shumë libra nxitin vlera që bien në kundërshtim me normat biblike. Për shembull, disa kanë përshkrime të hollësishme seksuale ose trajtojnë tema spiritiste. Por Bibla thotë: «Kurvëria, ndyrësia e çdo lloji ose lakmia as të mos përmenden ndër ju.» (Efesianëve 5:3) Thotë edhe se praktikat spiritiste janë ‘të këqija në sytë e Jehovait’.​—2 Mbretërve 17:17.

Si të jesh përzgjedhës? «Kur dua të blej një libër, lexoj kapakun e pasëm dhe e shfletoj nga njëri kapitull në tjetrin. Nëse shoh ndonjë gjë të diskutueshme, nuk e blej.»​—Maria.

«Ndërsa rritesha dhe kur fillova të mendoja vetë për gjërat, e kuptova sa e rëndësishme ishte t’i vija veshin zërit të ndërgjegjes. Nëse mendoja se një libër nuk ishte i përshtatshëm, e lija leximin përgjysmë. E kuptoja që nuk përputhej me pikëpamjen e Perëndisë.»​—Korina.

Këshillë: Zgjero shijet. «Më përpin shumë më tepër letërsia klasike, sesa letërsia artistike moderne,—thotë Lara, 17 vjeçe.—Zgjedhja e fjalëve, zhvillimi i personazheve dhe i ngjarjeve janë fantastike fare.»

Pyet veten,

«Mos vallë në këto libra gjej kënaqësi në ato lloj sjelljesh që Perëndia nuk i miraton?»

MUZIKA

Poshtë vër një shenjë ✔ anash llojit të muzikës që preferon.

  • Rok

  • Klasike

  • Xhaz

  • R&B

  • Hip-hop

  • Tjetër

A e dije . . . ? Katër shtëpi diskografike kryesore së bashku nxjerrin në treg rreth 30.000 albume në vit.

Çfarë të shmangësh? Ashtu si filmat dhe librat, një pjesë e mirë e muzikës sot është degraduese nga ana morale. Tekstet që flasin hapur për seksin dhe videoklipet me skena të mirëfillta seksuale, mund të ta bëjnë më të vështirë të kontrollosh impulset seksuale. (1 Korintasve 6:18) «Pjesa dërrmuese e muzikës sot nxit një sjellje që është kundër normave të Biblës,—thotë Lina 21-vjeçare,—dhe ritmet e sotme i bëjnë njerëzit të kërcejnë jo si njëherë e një kohë, por në mënyrë provokuese.»

Si të jesh përzgjedhës? «Pyes veten: ‘Nëse një i rritur i krishterë do të shihte listën e këngëve që kam në kompjuter, a do të më vinte turp nga ajo që do të gjente aty?’ Kjo më ndihmon të kuptoj se çfarë lloj muzike duhet të dëgjoj.»​—Liana.

Këshillë. Ji mendjehapur për të dëgjuar rryma të ndryshme. «Babit i pëlqen muzika klasike, kështu që kam dëgjuar shumë nga kjo muzikë gjatë viteve,—thotë një adoleshent me emrin Roberto.—Marrja e njohurive për muzikën klasike, ndërsa mësoja edhe pianon, hapi një botë të re para meje.»

Pyet veten,

«Muzika që dëgjoj ma bën më të lehtë apo më të vështirë të mbaj nën kontroll impulset seksuale?»

LEXO MË SHUMË PËR KËTË TEMË

Shih librin Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, vëllimi 2, kapitujt 31 dhe 32, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

 

^ par. 3 Zgjohuni! as përkrah e as dënon ndonjë film, libër ose këngë të caktuar. Qëllimi i këtij artikulli është t’ju ndihmojë të keni dhe të ndiqni një ndërgjegje të stërvitur nga Bibla që është e ndjeshme ndaj normave të Perëndisë.​—Psalmi 119:104; Romakëve 12:9.

^ par. 13 Në këtë artikull disa emra janë ndryshuar.