Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A është mospërfillës Perëndia ndaj kafshëve?

A është mospërfillës Perëndia ndaj kafshëve?

Pikëpamja e Biblës

A është mospërfillës Perëndia ndaj kafshëve?

BOTA e kafshëve është në rrezik. Shumë shkencëtarë mendojnë se llojet e kafshëve po zhduken me shpejtësi alarmuese. Ato po e pësojnë keq ngaqë njeriu po u shkatërron habitatin. Këtë tablo të trishtë e zymton edhe më tepër prodhimi industrial i ushqimit, sportet e përgjakshme e mizore me kafshë dhe braktisja e pashpirt e kafshëve shtëpiake.

Megjithatë, disa mendojnë se ky është çmimi i pashmangshëm i përparimit të njerëzimit. Por, a ishte ky qëllimi i Perëndisë? A i ka lënë njerëzit të bëjnë çfarë të duan me kafshët? Nga e dimë se Perëndia nuk është mospërfillës ndaj tyre?

Kujdes i qartë që në zanafillë

Pasi krijoi peshqit, zogjtë dhe kafshët e tjera, Perëndia ishte i kënaqur. Bibla thotë se ai «pa që kjo ishte mirë». (Zanafilla 1:21, 25) Krijuesi merakosej me dashuri për të gjitha ato krijesa, të vogla a të mëdha. Ai jo vetëm i krijoi «instinktivisht të mençura», por edhe u sigurua të mos u mungonte asgjë që të rriteshin mirë në habitatin e tyre. Sa të goditura janë fjalët e shkrimtarit biblik: «Të gjitha krijesat të presin me padurim, që, kur të vijë koha, t’u japësh për të ngrënë. Ato mbledhin çfarë t’u japësh. Ti e hap dorën e ato ngopen me të mira.»​—Proverbat 30:24; Psalmi 104:24, 25, 27, 28.

Vërtet, Perëndia ia nënshtroi kafshët njeriut të parë, Adamit. Nuk i krijoi me aftësi për të arsyetuar ose për të pasur një marrëdhënie me Të. (2 Pjetrit 2:12; Juda 19) Krejt ndryshe, Adami ishte një formë jete më e lartë, i krijuar «sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë». Ishte në gjendje të pasqyronte personalitetin e Krijuesit të tij, Jehovait. (Zanafilla 1:27; Psalmi 83:18) Por kjo nuk u jepte leje njerëzve ta ushtronin autoritetin mbi kafshët të pavarur nga Krijuesi i tyre.

Për shembull, Adami zuri t’u vinte emra kafshëve vetëm ngaqë këtë privilegj ia dha Jehovai. Veç kësaj, Jehovai e ndihmoi Adamin duke ‘ia çuar ato [kafshët], për të parë se si do ta quante ai secilën prej tyre’. (Zanafilla 2:19) Vetëm duke punuar nën drejtimin e Krijuesit, njeriu mund të kujdesej siç duhej për kafshët.

Perëndia nuk është aspak mospërfillës

Mjerisht, Adami ngriti krye kundër Krijuesit. Rebelimi i tij u solli pasoja shkatërrimtare familjes njerëzore dhe tërë gjallesave të tokës. Prapëseprapë, Krijuesi e bëri të qartë si duheshin trajtuar kafshët. Ndonëse me kohë Perëndia i lejoi njerëzit t’i përdornin ato si ushqim a për qëllime të tjera praktike, kurrë nuk e miratoi trajtimin mizor të tyre. Shkrimet thonë: «I drejti kujdeset për shpirtin e kafshës së tij shtëpiake, por mëshira e të ligjve është mizore.»​—Proverbat 12:10.

Madje Perëndia i dha kombit të lashtë të Izraelit ligje për mirëqenien e kafshëve. Ligji për të mbajtur sabatin, një ditë pushimi të plotë çdo javë, u sillte dobi kafshëve të izraelitëve, se edhe ato mund të pushonin. (Dalja 23:12) Vlen të përmendet se, ndonëse atë ditë të shenjtë nuk lejohej asnjë punë, njerëzit duhej ta ndihmonin një kafshë që e kishte pisk. (Luka 14:5) Gjithashtu, Perëndia udhëzoi që gjedhëve të mos u privohej ushqimi teksa punonin dhe kafshëve të mos u ngarkoheshin barrë tepër të rënda. (Dalja 23:5; Ligji i përtërirë 25:4) Ishte e ndaluar të mbreheshin në një zgjedhë demi e gomari, që të mos lëndohej asnjë prej tyre. (Ligji i përtërirë 22:10) S’ka pikë dyshimi që Bibla mëson se kafshët duhen trajtuar me dhembshuri, respekt dhe siç ka hije.

Ndërkohë që shumë njerëz e kanë mendjen veç te leverdia e tyre dhe s’pyesin fare ç’pasoja bien mbi kafshët, Perëndisë i dhimbsen. Kur banorët e Ninevisë u penduan dhe Perëndia ua kurseu ndëshkimin, profetit Jona s’i erdhi hiç mirë. Atëherë, Jehovai tha: «Po mua, a nuk duhej të më vinte keq për Ninevinë, për qytetin e madh, në të cilin ka më shumë se njëqind e njëzet mijë njerëz, që nuk dinë të dallojnë as të djathtën nga e majta, si edhe shumë kafshë shtëpiake?!» (Jonai 4:11) E pra, Krijuesi ndiente keqardhje edhe për kafshët!

Kujdes i garantuar në të ardhmen

Duket qartë se Perëndia nuk është mospërfillës kur sheh si trajtohen kafshët. Biri i tij i dashur, Jezui, tha madje se as edhe një harabel nuk bie përtokë pa dijeninë e Atit të tij. (Mateu 10:29) Krejt ndryshe, njerëzit, edhe kur nisen nga qëllime fisnike, nuk e kuptojnë plotësisht si ndikojnë veprimet e tyre te mjedisi. Që njerëzimi të mos përparojë në kurriz të botës së gjallë e ta respektojë atë, duhet të ndryshojë mënyrën e të menduarit.

Sa mirë që Bibla tregon se, kur të sundojë Mbretëria e Perëndisë, «toka do të mbushet me njohurinë e Jehovait»! (Isaia 11:9) Falë kësaj njohurie, njerëzit e bindur do të marrin arsimimin dhe stërvitjen e nevojshme për ta administruar tokën siç duhet. Nën ndikimin e Krijuesit, mes njerëzve e kafshëve do të mbretërojë harmonia, e kështu do të rivendosen në tokë kushtet që Perëndia donte qysh në fillim.

Ja si e përshkruan Bibla transformimin që do të ndodhë atëherë: «Ujku do të rrijë hera-herës me qengjin; leopardi do të shtrihet me kecin. Viçi, luani i ri me krifë dhe kafsha e majme do të jenë të gjithë bashkë, dhe një djalë i vogël do t’u prijë. Lopa dhe arusha do të kullotin së bashku; të vegjlit e tyre do të shtrihen tok. Edhe luani do të hajë kashtë si kau. Foshnja e gjirit do të luajë mbi vrimën e kobrës dhe fëmija i zvjerdhur do ta vërë dorën te vrima e folesë së një gjarpri helmues.» Vetëm të mendojmë ç’e ardhme e bukur na pret!​—Isaia 11:6-8.

A DONI TË DINI?

● A i intereson Perëndisë si trajtohen kafshët?​—Proverbat 12:10; Mateu 10:29.

● A mund të ketë harmoni të plotë mes njerëzve e kafshëve?​—Isaia 11:6-9.

[Diçitura në faqen 11]

Që të respektojmë botën e gjallë, duhet të ndryshojmë mënyrën si mendojmë

[Burimi i figurës në faqen 11]

La Voz de Galicia/​Fotógrafo: Víctor Mejuto