Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një libër i jashtëzakonshëm që ka mbijetuar

Një libër i jashtëzakonshëm që ka mbijetuar

Një libër i jashtëzakonshëm që ka mbijetuar

«Nuk ka asnjë libër tjetër që të jetë përndjekur kaq shumë . . . dhe t’i ketë qëndruar çdo sulmi të bërë nga fuqia, dhuntia dhe gojëtaria.»

PSE ia vlen t’i kushtosh vëmendje Biblës? Sepse ajo thotë se ka mesazhin e Perëndisë për njerëzimin. (2 Timoteut 3:16) Nëse kjo është e vërtetë, atëherë, me siguri, do të humbitnit diçka të rëndësishme duke mos e lexuar.

Një arsye tjetër pse ia vlen t’i kushtoni vëmendje Biblës, është se mbetet një nga librat më të vjetër dhe deri tani është libri më i përkthyer dhe më i përhapur. Është libri më i shitur i të gjitha kohërave dhe çdo vit vazhdon të kryesojë listën e librave më të shitur.

Mesazhi, jetëgjatësia dhe tirazhi i Biblës të bëjnë më shumë përshtypje kur mendon për përpjekjet e shumta që janë bërë gjatë historisë për ta hequr nga qarkullimi. «Nuk ka asnjë libër tjetër që të jetë përndjekur kaq shumë sa ky dhe t’i ketë qëndruar çdo sulmi të bërë nga fuqia, dhuntia dhe gojëtaria»,—tha teologu i shekullit të 19-të Albert Barns.

I njëjti shkrimtar vërejti se njerëzit nga natyra tregojnë interes për çdo gjë që i ka qëndruar sulmeve të vazhdueshme. «Asnjë ushtri nuk i ka bërë ballë kaq shumë betejave sa Bibla,—vazhdon Barnsi,—asnjë fortifikatë e lashtësisë nuk i ka qëndruar kaq shumë rrethimeve dhe ka mbetur e patundur përballë luftërave të stuhishme dhe efekteve shkatërrimtare të kohës, dhe asnjë shkëmb nuk është rrahur nga kaq shumë rryma dhe prapëseprapë të ketë qëndruar i palëkundur.»

Mjaft shkrime të lashta kanë humbur, janë shkatërruar ose thjesht janë lënë në harresë, kurse Bibla, me gjithë sulmet e pamëshirshme, gjithmonë ka mbijetuar. Disa njerëz kanë luftuar duke vënë kokën në rrezik vetëm që masat e gjera të kishin mundësi ta lexonin. Kurse disa ua kanë rrëmbyer nga dora lexuesve të etur dhe e kanë djegur publikisht bashkë me atë që e zotëronte.

Pse ka qenë kaq i dashur dhe kaq i urryer ky libër? Cilave beteja u ka mbijetuar? Cilët janë përpjekur ta shkatërronin? Ç’është më e rëndësishmja, pse ka mbijetuar? Dhe pse është i rëndësishëm mesazhi i saj për ty? Këto pyetje do të marrin përgjigje në faqet në vijim.

[Tabela dhe figurat në faqet 2, 3]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

TABELA KRONOLOGJIKE E BOTIMIT TË BIBLËS

1513 p.e.s.–rr. 98 të e.s. Bibla shkruhet në hebraisht, aramaisht dhe greqisht

100 Bëhet më e transportueshme në formë kodiku

405 Përkthehet në latinisht nga Jeronimi

1380 Përkthehet nga latinishtja në anglisht nga Uajklifi

1455 Gutenbergu nxjerr Biblën e parë të shtypur

1525 Përkthehet në anglisht nga Tindali

1938 Shtypet në mbi 1.000 gjuhë

2011 Bëhet e disponueshme në mbi 2.500 gjuhë