Një mendje zhbiruese që la gjurmë në histori
Një mendje zhbiruese që la gjurmë në histori
● Si do të donit t’ju kujtonin? Ç’do të sjellin ndër mend njerëzit kur të mendojnë për ju? Nga meraku se ç’do të lënë pas, shumë veta aspirojnë të bëhen të famshëm në shkencë, politikë, sport ose art. Po sikur t’ju mbanin mend sidomos për pyetjet që bënit?
Pesëqind vite të shkuara, një burrë në Amerikën Qendrore bënte shumë pyetje që të zhytnin në mendime. Ishte kreu i një fisi indian dhe quhej Nikarao, prej nga duket se vjen emri «Nikaragua». Me këtë emër u quajtën edhe populli i tij, trojet ku jetonin e liqeni i tyre i madh.
Fisi i Nikaraos jetonte në rripin e tokës mes Oqeanit Paqësor dhe liqenit gjigant Nikaragua. Pak pasi Kolombi zbuloi Botën e Re, spanjollët nisën t’i eksploronin ato vise. Kapiteni Hil Gonzalez Dávila u priu trupave të tij drejt veriut duke u nisur nga Kosta-Rika e sotme dhe hyri në territorin e Nikaraos në vitin 1523.
Përfytyroni ankthin e eksploruesve ndërsa shkelnin atë territor të panjohur. Kushedi sa të kënaqur u ndien kur takuan Nikaraon, kreun e vendit. Me bujarinë që karakterizon ende kulturën e Nikaraguas, populli i mikpriti spanjollët dhe u bëri peshqeshe, madje u dha flori me grushte.
Nikaraoja kërkonte përgjigjet e pyetjeve që kish bluar prej kohësh dhe të të tjerave që lindën nga ardhja e spanjollëve. Kronistët tregojnë se i bëri këto pyetje kapitenit Gonzalez:
A të ka rënë në vesh për një përmbytje të madhe që fshiu nga faqja e dheut njerëzit e kafshët? A do ta përmbytë prapë tokën Perëndia? Ç’ndodh pas vdekjes? Si lëvizin dielli, hëna dhe yjet? Qysh rrinë pezull në qiell? Sa larg janë? Kur do të shuhet drita e diellit, e hënës dhe e yjeve? Prej nga vjen era? Nga se shkaktohen të nxehtët dhe të ftohtët, drita dhe errësira? Pse ditët ndryshojnë gjatësinë muaj pas muaji?
Është e qartë se Nikaraoja ishte i etur të mësonte për botën rreth tij. Pyetjet që bëri, tregojnë mjaft për bindjet e tij fetare. Zbulojnë edhe se interesat e shqetësimet e tij nuk ndryshonin edhe aq nga ato të shumë njerëzve sot. Veç kësaj, fakti që Nikaraoja dhe populli i tij e dinin se kishte ndodhur një përmbytje e madhe, na sjell ndër mend historinë biblike.—Zanafilla 7:17-19.
Paçka se kultura e Nikaraos ishte kredhur në spiritizëm dhe në rite të flijimit të njerëzve, ai merakosej për sjelljen e popullit të vet dhe për mënyrën si jetonin. Pyetjet e tij dëshmojnë se ndërgjegjja e njeriut vepron. Ja çfarë shkroi apostulli Pavël për këtë: «Ndërgjegjja e tyre, që jep dëshmi bashkë me ta dhe në mendimet e tyre, i akuzon ose i shfajëson.»—Romakëve 2:14, 15.
Në vendin ku mendohet se kreu Nikarao takoi për herë të parë eksploruesit spanjollë, sot ngrihet si përkujtimore një statujë e tij. Mendja zhbiruese e Nikaraos, që e nxiste të mendonte thellë për jetën e botën përreth, është një shembull që ia vlen ta imitojmë.—Romakëve 1:20.
[Harta në faqen 21]
(Për tekstin e faqosur, shih botimin)
Nikaragua
AMERIKA E JUGUT
OQEANI ATLANTIK