Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
Provat laboratorike zbulojnë se në Angli, tastet e bankomateve në qendrat e qyteteve janë të ndotura me po aq baktere të rrezikshme sa ndenjëset e WC-ve publike.—THE TELEGRAPH, BRITANI.
«Nganjëherë shkencëtarët zihen në befasi nga tërmetet [si ato në Zelandën e Re këtë vit dhe në Haiti vitin e shkuar], sepse ato ndodhin përgjatë çarjeve tektonike të pazbuluara. . . . Kjo ngre një pyetje shqetësuese: sa tërmete të mëdha na kanosen për shkak të çarjeve që nënvlerësohen ose nuk janë zbuluar?»—THE NEW YORK TIMES, SHBA.
«Katër qytetarët më të kamur të botës zotërojnë më shumë pasuri se 57 shtetet më të varfra të botës.»—FOREIGN POLICY, janar-shkurt 2011, SHBA.
Pronarët e 90 për qind të bizneseve polake raportojnë se brenda dy viteve të fundit kanë qenë viktima të zhvatjeve a mashtrimeve nga punonjësit e tyre.—GAZETA PRACA, POLONI.
Një kishë katolike në Brazil tani u vë gjobë 300 dollarë nuseve nëse arrijnë me vonesë në ceremoninë e martesës. Çiftet duhet të plotësojnë një çek para ceremonisë, që u kthehet vetëm po të mbërrijnë në kohë.—G1, BRAZIL.
Papa nuk është më dhurues organesh
Sipas gazetës italiane La Repubblica, Jozef Ratsingeri ishte regjistruar si dhurues organesh kur shërbente si kardinal i Kishës Katolike. Megjithatë, që kur u zgjodh papë, Benedikti XVI nuk është më dhurues organesh. Pse? «Trupi i Papës i përket Kishës mbarë,—shpjegon kryepeshkopi Zigmunt Zhimofski, që bën pjesë në rangjet e larta të Vatikanit.—Prandaj, është e qartë se kur papa vdes, kufoma e tij ruhet e pacenuar, pasi ka të ngjarë që në të ardhmen të përnderohet si diçka e shenjtë.»
Jetën në këmbim të parave?
A do të ishin të gatshëm njerëzit të jepnin një vit të jetës për një milion euro? Sipas një ankete të kryer nga Instituti Emnid për revistën Reader’s Digest Deutschland, në Gjermani më shumë se 1 në 4 burra dhe 1 në 6 gra do ta bënin këtë. Sa më e re ishte mosha e të anketuarve, aq më të gatshëm ishin ta pranonin ujdinë. Në fakt, 29 për qind e atyre të moshës 14-29 vjeç dhe 25 për qind e atyre 30-39 vjeç do ta bënin këtë këmbim. Mirëpo, me kalimin e moshës, jeta bëhet gjithnjë e më e vyer. Vetëm 13 për qind të të anketuarve 50-59 vjeç dhe 11 për qind të atyre mbi 60 vjeç, do t’u shkonte nëpër mend të shitnin një vit jetë.