Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pema e Krishtlindjeve​—Origjina e saj që para krishterimit

Pema e Krishtlindjeve​—Origjina e saj që para krishterimit

Pema e Krishtlindjeve​—Origjina e saj që para krishterimit

GJITHANDEJ në botë, pema përherë e gjelbër e Krishtlindjeve njihet si simbol i festimeve dhe i blerjeve të fundvitit. Origjina e saj fetare shkon thellë në historinë e lashtë të njerëzimit.

Kjo shihet qartë në provincën e Bohuslanit, në brigjet perëndimore të Suedisë, dhe në provincën fqinje të Ostfoldit, në Norvegji. Atyre anëve janë gjetur më shumë se 75.000 gdhendje në shkëmb në rreth 5.000 pika të ndryshme. Arkeologët thonë se gdhendjet u përkasin viteve 1800-500 p.e.s. *

Këto gdhendje të jashtëzakonshme zbulojnë disa nga bindjet e njerëzve që jetuan mjaft kohë para lindjes së Jezuit të Nazaretit. Për shembull, disa hulumtues mendojnë se në kohët e moçme, në zonat e Suedisë dhe të Norvegjisë së sotme, pemët që bleronin gjithë vitin, si bredhat, përdoreshin si simbole të shenjta.

Pse vallë njerëzit që jetonin në ato brigje të largëta veriore të botës gdhendnin bredha në shkëmb? Sipas disa studiuesve, kjo ndodhte pjesërisht ngaqë këto lloj pemësh ishin të rralla në kohën para krishterimit kur u bënë gdhendjet. Natyrisht, një pemë që rrinte gjithmonë e gjelbër ose «e gjallë», ndërkohë që të tjerat dukej se «vdisnin» nga moti i ftohtë, ngjante disi misterioze.

Në shumë kultura anembanë botës, pemët kanë qenë simbole të jetës, të mbijetesës dhe të pavdekësisë. Ja pse në shkëmbinjtë e Bohuslanit dhe të Ostfoldit u gdhendën figura pemësh që ngjanin tamam si bredha shekuj para se kjo pemë të bëhej pjesë e peizazhit të atjeshëm.

Libri Rock Carvings in the Borderlands, i botuar në bashkëpunim me Këshillin e Trashëgimisë Kombëtare të Suedisë, thotë: «Figurat e pemëve në gdhendjet mbi shkëmb tregojnë se qysh në epokën e bronzit, feja dhe kultura e viseve jugore të Skandinavisë ishin pjesë e fesë dhe e kulturës së mbarë Evropës e të disa zonave të Azisë. Feja dhe kozmologjia u shkonin për shtat njerëzve që mbaheshin me bujqësi dhe blegtori. Në përgjithësi ata adhuronin të njëjtët perëndi, paçka se me emra të ndryshëm.»

Broshura The Rock Carving Tour, e botuar nga Muzeu i Bohuslanit, shpjegon më tej: «Ajo çka donin të paraqitnin gdhendësit nuk ishte jeta e përditshme. Mendohet se vizatimet e tyre ishin një lloj lutjeje a përgjërimi drejtuar perëndive.» Pastaj shton: «Strumbullari i bindjeve të tyre ishin cikli i përhershëm i jetës, pjelloria, vdekja dhe rilindja.»

Tek përshkruan një koleksion unik të artit simbolik, që u krijua shumë kohë para se të futej arti i të shkruarit në Evropën Veriore, enciklopedia kombëtare me referime e Suedisë, Nationalencyklopedin, vëren: «Prania e theksuar e vizatimeve plot nota seksuale tregon sa rëndësi kishte kulti i pjellorisë në fenë e banorëve të Veriut gjatë epokës së bronzit.»

Siç duket, traditat që lidheshin me pemët përherë të gjelbra u përhapën në mjaft vende dhe u bënë pjesë e jetës. Ja ç’thuhet për pemën e Krishtlindjeve në Encyclopædia Britannica: «Adhurimi i pemës hasej rëndom mes evropianëve paganë e vijoi edhe pas kthimit të tyre në krishterim.» Në fakt, shihej në lloj-lloj ritesh e traditash, përfshirë «traditën . . . që të vihej një pemë Krishtlindjesh te hyrja ose brenda shtëpisë në festat e fundvitit».

Udha që përshkoi pema përherë e gjelbër gjersa u përdor gjerësisht në kohët moderne, u sheshua njëherë e mirë në vitin 1841 kur familja mbretërore britanike i festoi Krishtlindjet me një bredh të zbukuruar. Sot, pema e Krishtlindjeve njihet anekënd botës, dhe nuk kanë të sosur kërkesat për miliona e miliona pemë Krishtlindjesh natyrore e artificiale. Ndërkaq, gdhendjet skandinave në shkëmb janë dëshmi e heshtur se pema e Krishtlindjeve nuk ka origjinë të krishtere.

[Shënimi]

^ par. 3 Disa nga vendet e Bohuslanit ku ka gdhendje në shkëmb janë përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

[Diçitura në faqen 12]

Gdhendjet në shkëmb tregojnë se adhurimi pagan i pemës përherë të gjelbër zuri fill para kohës së Krishtit

[Figurat në faqen 13]

Gdhendje pemësh në shkëmb të gjetura në (1) Torsbo, (2) Bakë dhe (3) Lokeberg, Suedi

[Burimi]

Me mirësjellje nga Stiftelsen för dokumentation av Bohusläns hällristningar