Sulmet ndaj Biblës
Sulmet ndaj Biblës
PËRMBLEDHJA e shkrimeve që e njohim si Bibla ose Shkrimet e Shenjta, u dokumentua gjatë një periudhe prej më shumë se 1.600 vjetësh. Pjesa më e hershme e kësaj përmbledhjeje u shkrua nga Moisiu, kurse pjesa e fundit u shkrua rreth një qind vjet pas lindjes së Jezu Krishtit nga një dishepull i Tij.
Historia e përpjekjeve për t’u mbyllur gojën Shkrimeve, e ka zanafillën shumë kohë para erës sonë, vazhdon në mesjetë e deri në ditët tona. Një dokumentim i hershëm i këtyre përpjekjeve daton që nga koha e Jeremisë, një profet i Perëndisë, që jetoi më shumë se 600 vjet para se të lindte Jezu Krishti.
Sulmohet një mesazh i papëlqyer
Nën drejtimin e Perëndisë, profeti Jeremia shkroi në rrotull një mesazh që dënonte banorët mëkatarë të Judës së lashtë dhe i paralajmëronte se kryeqyteti i tyre, Jerusalemi, do të shkatërrohej nëse ata nuk ndërronin udhë. Sekretari i Jeremisë, Baruku, e lexoi atë mesazh me zë të lartë para njerëzve në tempullin e Jerusalemit. Pastaj e lexoi për së dyti para princave të Judës, të cilët ia çuan rrotullën mbretit Jehojakim. Kur i dëgjoi, mbretit nuk i pëlqyen fjalët e Perëndisë. Kështu që e bëri rrotullën copë-copë dhe e dogji.—Jeremia 36:1-23.
Pastaj Perëndia e urdhëroi Jereminë: «Merr përsëri një rrotull tjetër, dhe shkruaj në të gjithë fjalët që ishin në rrotullën e parë, që i dogji Jehojakimi, mbreti i Judës.» (Jeremia 36:28) Rreth 17 vjet më vonë, pikërisht siç kishte parathënë fjala e Perëndisë me anë të Jeremisë, Jerusalemi u shkatërrua, shumë nga sundimtarët e tij u vranë dhe banorët u morën rob në Babiloni. Mesazhi që përçonte rrotulla dhe një dokumentim i rrethanave në të cilat u sulmua ajo, kanë mbijetuar deri në ditët tona në librin biblik të Jeremisë.
Djegiet e Biblës vazhdojnë
Jehojakimi nuk ishte i vetmi në kohët para krishterimit që u përpoq të digjte fjalën e Perëndisë. Pas ndarjes së perandorisë greke, Izraeli kaloi nën pushtetin e dinastisë së Seleukajve. Mbreti seleukas Antioku Epifan,
që sundoi në vitet 175-164 p.e.s., donte të bashkonte perandorinë e tij nën kulturën greke ose helene. Për këtë arsye, u përpoq t’u impononte judenjve jetesën, zakonet dhe fenë greke.Aty nga viti 168 p.e.s., Antioku plaçkiti tempullin e Jehovait në Jerusalem. Mbi altar ndërtoi një altar tjetër në nder të Zeusit, perëndisë grek. Antioku ndaloi edhe mbajtjen e sabatit e dha urdhër që judenjtë të mos i rrethpritnin djemtë. Nëse nuk bindeshin, do të vriteshin.
Një nga gjërat që bëri Antioku për të eliminuar fenë e tyre, ishte përpjekja për të zhdukur të gjitha rrotullat e Ligjit. Megjithëse Antioku e bëri këtë fushatë në të gjithë Izraelin, nuk arriti t’i shkatërronte të gjitha kopjet e Shkrimeve Hebraike. Disa rrotulla të fshehura me kujdes mund t’u kenë shpëtuar flakëve në Izrael dhe me sa dihet disa kopje të Shkrimeve të Shenjta mund të jenë ruajtur në gjirin e kolonive judeje në vende të tjera.
Dekreti i Dioklecianit
Një sundimtar tjetër me emër që u përpoq të shkatërronte Shkrimet, ishte Diokleciani, perandori romak. Në vitin 303 të e.s., Diokleciani nxori një sërë dekretesh gjithnjë e më të ashpra kundër të krishterëve. Kjo solli atë që disa historianë e kanë cilësuar si «Përndjekja e Madhe». Në dekretin e parë urdhëronte djegien e kopjeve të Shkrimeve dhe shembjen e vendeve ku mblidheshin të krishterët. Heri Gembli, profesor i studimeve fetare në Universitetin e Virxhinias, shkroi: «Diokleciani mendonte se çdo komunitet i krishterë, kudo që të ishte, kishte një numër librash dhe e dinte se ata libra ishin themelorë për mbijetesën e komunitetit.» Historiani klerik Eusebi i Cezaresë, Palestinë, i cili jetoi gjatë asaj periudhe, shkroi: «Pamë me sytë tanë të rrafshoheshin shtëpitë e lutjeve deri në themel dhe Shkrimet e frymëzuara e të shenjta të hidheshin në zjarr në mes të shesheve të pazarit.»
Tre muaj pas dekretit të Dioklecianit, kryetari i qytetit afrikano-verior të Sirtës që tani mban emrin Konstandin, thuhet se dha urdhër që të krishterët të dorëzonin të gjitha «shkrimet e ligjit» dhe «kopjet e shkrimeve». Tregime që flasin për të njëjtën periudhë, tregojnë për të krishterët që më mirë pranonin të torturoheshin e të vdisnin, sesa t’i dorëzonin kopjet e Biblës për t’u shkatërruar.
Qëllimi i sulmeve
Qëllimi i përbashkët i Jehojakimit, i Antiokut dhe i Dioklecianit ishte të shfarosnin ose të zhduknin Fjalën e Perëndisë. E megjithatë, Bibla u rezistoi të gjitha përpjekjeve për ta shkatërruar. Sundimtarët e Romës pas Dioklecianit filluan ta shpallnin veten të krishterë. Por, sulmet ndaj Biblës vazhduan. Pse?
Më vonë, sundimtarët e madje edhe krerët e kishave thoshin se djegiet e Biblës nuk ishin përpjekje për ta shkatërruar, por ishin thjesht përpjekje që Bibla të mos binte në dorë të njerëzve të thjeshtë. Po pse vallë donin ta bënin një gjë të tillë krerët e kishave? Dhe deri në ç’pikë arritën përpjekjet e kishës për t’i ndaluar njerëzit që të mos e lexonin Biblën? Le të shohim artikullin tjetër.