Tsunami i vitit 2011 në Japoni—Të mbijetuarit tregojnë përvojën e tyre
Tsunami i vitit 2011 në Japoni—Të mbijetuarit tregojnë përvojën e tyre
Lexoni përvojat e atyre që mbijetuan nga tërmeti në Japoni dhe nga tsunami që e pasoi.
TË PREMTEN më 11 mars 2011, në orën 14.46, në Japoni ra tërmeti që renditet i katërti ndër tërmetet më të forta që janë regjistruar ndonjëherë në gjithë botën. Ai shkaktoi një tsunam të madh dhe lëkundjet e fuqishme që vazhduan më pas, ngjallën frikë te banorët e asaj zone për javë të tëra. Rreth 20.000 njerëz vdiqën ose janë shpallur të humbur. Por mijëra mbijetuan. Në vijim tregohen disa nga përvojat e të mbijetuarve.
Tadajuki dhe gruaja e tij, Harumi, ishin në shtëpinë e tyre në Ishinomaki, prefektura e Mijagit, kur dëgjuan një uturimë dhe shtëpia filloi të lëkundej me forcë. «Dolëm me vrap jashtë dhe u tronditëm kur pamë që toka ishte çarë,—tha Tadajuki.—Pamë shtëpinë të lëkundej sa andej-këtej dhe muret të gulçonin pluhur.»
Epiqendra e tërmetit ishte 129 kilometra nga bregu i Mijagit. Tsunami krijoi kaos në një zonë prej 670 kilometrash përgjatë bregut të Paqësorit në Japoni. Në disa vende,
lartësia e valëve në breg arriti deri në 15 metra, prishi dallgëpritëset e argjinaturat e lumenjve dhe u fut 40 kilometra në brendësi të tokës.Burimet e energjisë elektrike, të gazit dhe të ujit të pijshëm u shkatërruan komplet. U dëmtuan ose u rrëmbyen nga deti rreth 160.000 shtëpi, dyqane e fabrika. Në njëfarë periudhe, rreth 440.000 të prekur nga katastrofa jetonin në 2.500 qendra të përkohshme strehimi, si shkolla dhe ndërtesa publike. Shumë të tjerë u strehuan te të afërmit ose te miqtë. Dhjetëra mijë njerëz u plagosën ose vdiqën dhe mijëra të tjerë nuk janë gjetur akoma.
Humbja dhe dhembja shpirtërore
Tsunami vrau shumë më tepër njerëz sesa tërmeti. Joiki, që jetonte në Rikuzentakatë, prefektura e Iuates, e nuhati menjëherë se pas tërmetit do të pasonte tsunami, prandaj i çoi prindërit në një vend strehimi aty afër. Pastaj shkoi të shihte fqinjët. Ngaqë kishte akoma merak për prindërit, Joiki bashkë me gruan, Tatsukon, donte të kthehej t’i shihte, por i thanë se po afronte tsunami.
Vrapuan për te një tjetër vend strehimi, por nuk mund të hynin në ndërtesë sepse hyrja ishte bllokuar nga rrënojat e tërmetit. Pastaj i zuri syri ndërtesën sterrë të zezë të stabilimentit të sharrave që po vinte rrëmbimthi drejt tyre. «Vrapo!»—bërtiti Tatsukoja.
Pas shumë përpjekjesh arritën në oborrin e një shkolle, që ishte në vend të ngritur. Nga aty panë që tsunami përlau të gjithë lagjen. «Shtëpinë time po e merr deti»,—tha dikush. Pothuajse treçereku i Rikuzentakatës u rrënua dhe prindërit e Joikit i mori tsunami. Trupi i babait nuk u gjend, kurse trupi i nënës u gjend pas ca kohësh.
Toru po punonte në një fabrikë afër bregut në Ishinomaki. Pasi lëkundja e parë u davarit, vrapoi për te makina që të largohej prej aty. U bëri thirrje të tjerëve të largoheshin nga tsunami që mendonte se do të ndodhte pas tërmetit.
«Në fillim mora rrugën për në shtëpi, që është në vend të ngritur, por pa kaluar shumë u bllokova në trafik,—shpjegoi Toru.—Dëgjova në radion e makinës se tsunami tashmë kishte arritur në një qytet aty pranë. Hapa xhamin e makinës që të ikja nëse tsunami arrinte deri në zonën ku isha. Shumë shpejt një dallgë e madhe si një mur i zi më tepër se 2 metra e lartë, vërshoi drejt meje. Makinat që kisha para
u rrokullisën drejt makinës sime dhe dallga na çoi rrëmbimthi në brendësi të vendit.«Mezi dola nga dritarja, por pastaj më mori me vete rryma veshtullore e me erë të keqe. Më hodhi në një ofiçinë ku u kapa fort pas një shkalle dhe u ngjita në katin e dytë. Me shumë përpjekje, arrita të tërhiqja e të shpëtoja tre njerëz. Disa prej nesh mbijetuan nga uji, niveli i të cilit rritej, dhe nga acari i asaj nate. Por nuk arritëm të shpëtonim të tjerët që po thërritnin për ndihmë.»
Para tërmetit, Midori në Kamaishi, Iuate, kishte kaluar ca momente të bukura me gjyshërit e saj. Sapo kishte mbaruar shkollën e mesme dhe kishte marrë diplomën për t’ia treguar gjyshit, i cili kishte ca kohë që ishte paralizuar. Ai e lexoi me zë diplomën dhe e lavdëroi Midorin për përpjekjet. Pesë ditë pas këtyre momenteve të bukura, ra tërmeti.
Midori dhe e ëma, Jukoja, i nxitën gjyshërit të strehoheshin diku me mendimin se pas tërmetit do të vinte tsunami. Por gjyshi tha: «Jo, nuk iki. Tsunamet nuk kanë arritur kurrë kaq larg.» Ato u përpoqën ta nxirrnin nga shtëpia, por nuk arrinin dot ta ngrinin, kështu që shkuan të kërkonin ndihmë. Por ndërkaq tsunami kishte arritur në breg. «Nxitoni! Vraponi!»—i nxiti një burrë nga një kodër aty afër. Tsunami po i gllabëronte shtëpitë njëra pas tjetrës. Të thirrurat e forta të Midorit «Gjyshi! Gjyshi!» ushtonin fort. Trupi i gjyshit të saj u gjend më vonë, por gjyshja jo.
Përpjekjet për të ardhur në ndihmë
Qeveria japoneze menjëherë dërgoi zjarrfikësit, policinë dhe forcat ushtarake nga e gjithë Japonia. Brenda një kohe të shkurtër, u përfshinë mbi 130.000 njerëz për të ndihmuar pas katastrofës. Me kalimin e kohës, dhanë ndihmën e tyre edhe shtete të tjera e organizata ndërkombëtare. Shumë shpejt mbërritën dhjetëra skuadra shpëtimi dhe punonjës të mjekësisë. Ata kërkuan të mbijetuarit, dhanë ndihmë mjekësore dhe pastruan rrënojat.
Organizata të ndryshme ndihmuan anëtarët e tyre. Ndër to ishin edhe Dëshmitarët e Jehovait. Menjëherë pas tërmetit dhe tsunamit të asaj pasditeje të së premtes, Dëshmitarët u siguruan nëse të gjithë ata me të cilët mblidhen rregullisht për të adhuruar Perëndinë, ishin jashtë rrezikut. Por rrugët në shumë vende ishin të pakalueshme dhe linjat elektrike e telefonike ishin ndërprerë. Ishte mjaft e vështirë të gjeje vendndodhjen e tyre në atë zonë me shtrirje të madhe.
Takajuki, një nga pleqtë e kongregacionit të Dëshmitarëve të Jehovait në Somë, prefektura e Fukushimës, arriti të lidhej vetëm me disa familje atë pasdite të tmerrshme. «Vendosa që të nesërmen të kërkoja të tjerët,—tha ai.—Sapo agoi, u nisa me makinë e pastaj vazhdova t’i kërkoja më këmbë deri në mbrëmje. Shkova në 20 vende dhe qendra strehimi, për të kërkuar anëtarët e kongregacionit. Kur i gjeja, u lexoja shkrime dhe lutesha me ta.»
Shunxhi nga Ishinomaki shpjegon: «Formuam skuadra që të kërkonim bashkëbesimtarët. Kur hymë në vendin e prekur nga katastrofa u tronditëm. Makinat kishin mbetur mbi shtyllat elektrike, shtëpitë ishin bërë pirg njëra mbi tjetrën kurse lartësia e rrënojave ua kalonte shtëpive. Mbi një makinë pamë trupin e pajetë të dikujt, ndoshta ishte dikush që nuk i kishte mbijetuar dot të ftohtit të natës. Një makinë tjetër kishte mbetur varur kokëposhtë midis shtëpive. Brenda saj pamë trupin e një njeriu.»
Shunxhi u lehtësua kur gjeti bashkëbesimtarët në qendrat e strehimit. «Kur i takova,—thotë ai,—e kuptova sa të shtrenjtë janë për mua.»
«Sa shpejt që erdhët!»
Dy vajza Dëshmitare, Jui dhe Mizuki, jetonin afër njëra-tjetrës në Minamisanriku, Mijagi. Kur pushoi lëkundja e parë, dolën me vrap jashtë dhe panë njëra-tjetrën. Së bashku u turrën për në një vend më të lartë. Më pak se dhjetë minuta më vonë, panë që i gjithë qyteti, përfshirë shtëpitë e tyre, u përpinë nga dallgët e njëpasnjëshme.
Kur takuan disa miq Dëshmitarë te një vend strehimi, u lutën së bashku. Të nesërmen në mëngjes, disa nga kongregacioni i tyre dhe nga kongregacionet fqinje kapërcyen malin për t’u sjellë ushqime dhe furnizime të tjera. Jui dhe Mizuki thanë me entuziazëm: «E dinim që do të vinit, por sa shpejt që erdhët!»
Hideharu, një nga mbikëqyrësit Dëshmitarë në kongregacionin e Tomes, shkoi te vendstrehimi. Ai shpjegon: «Gjithë natën u përpoqa të gjeja se ku ndodheshin miqtë tanë që jetonin përgjatë bregut. Më në fund, në orën 4.00 të mëngjesit, më thanë për një shkollë ku ishin strehuar disa prej tyre. Pas tri orësh, u mblodhëm rreth dhjetë veta për të përgatitur qofte orizi dhe tre prej nesh u nisën me makina për të çuar ushqimin. Shumica e rrugëve ishin të pakalueshme. Pas shumë përpjekjesh, arritëm të çanim rrugën për te shkolla. Edhe ata që kishin humbur shtëpitë, na ndihmuan të mbështetnim të tjerët.»
Plotësojnë nevojën për të adhuruar Perëndinë
Dëshmitarët e Jehovait mblidhen rregullisht për të studiuar Biblën dhe disa kongregacione mblidhen të premten në mbrëmje. Edhe në Rikuzentakatë mblidheshin të premten. Por Salla e Mbretërisë, vendi i adhurimit i Dëshmitarëve të Jehovait, sapo ishte shkatërruar nga tsunami. «Le ta mbajmë mbledhjen gjithsesi»,—sugjeroi një Dëshmitar. Kështu zgjodhën një shtëpi që nuk ishte dëmtuar shumë dhe njoftuan pjesëtarët e kongregacionit.
Megjithëse energjia elektrike ishte ndërprerë, kishin një gjenerator për të siguruar dritë. Ishin gjashtëmbëdhjetë të pranishëm. «Derdhëm lot gëzimi,—kujton Jasujuki, një djalë që kishte humbur shtëpinë nga tsunami.—Ishte streha më e mirë për ne.» Hidekoja vërejti: «Lëkundjet e forta pas tërmetit shpesh na shqetësonin gjatë mbledhjes, por përderisa ishim bashkë, i harroja frikën dhe ankthin që nuk më linin rehat.»
Që atëherë, kongregacioni i ka mbajtur mbledhjet rregullisht. Dy ditë më vonë, të dielën, tema e fjalimit që u zgjodh për ato rrethana ishte «Një vëllazëri mbarëbotërore e shpëtuar nga katastrofa».
Organizimi i ndihmave
Agjenci të ndryshme shtetërore shumë shpejt filluan të jepnin ndihmën e tyre. Po kështu edhe zyra e degës e Dëshmitarëve të Jehovait që ndodhet në Ebinë, afër Tokios. Të shtunën, ditën pas tërmetit, kjo zyrë e ndau në tri zona rajonin e madh të prekur nga katastrofa. Të hënën, tri ditë pas tërmetit, përfaqësues të zyrës shkuan në këto zona.
Dhënia e ndihmës vazhdoi për javë e muaj. U shpërndanë shumë tonë me furnizime të dhuruara nga Dëshmitarët. Njëherë, kishte 3 qendra ndihmash dhe 21 magazina e pika të tjera ku po punohej fort për të shpërndarë ndihma. Gjatë dy muajve të parë, qindra vullnetarë shpërndanë mbi 250 tonë ushqime, veshje dhe furnizime të tjera të nevojshme. Mjaft Dëshmitarë i kanë ndarë këto ndihma me fqinjët.
Pjesëtarë të kongregacioneve të Dëshmitarëve të Jehovait në Rikuzentakatë dhe në Ofunaton fqinje, po përdorin Sallën e rindërtuar
të Mbretërisë për të forcuar njerëzit nga ana shpirtërore. Kjo do t’i ndihmojë banorët e vendit të përballojnë vështirësitë që hasin ndërsa rindërtojnë jetën dhe marrin veten nga trauma e shkaktuar nga tërmeti dhe tsunami shkatërrimtar. Ndër më shumë se 14.000 Dëshmitarët në zonën e katastrofës, 12 kanë vdekur dhe 2 nuk janë gjetur ende.Shumë ndër Dëshmitarët e Jehovait që u prekën nga kjo katastrofë e tmerrshme, janë shprehur njësoj si një familje që thanë: «Kur ikëm nga shtëpia, morëm vetëm nga një çantë me vete. Por bashkëbesimtarët na plotësuan çdo nevojë që kishim.» Sa bukur që shërbëtorët e Perëndisë së vërtetë, Jehovait, tani mund të gjejnë kënaqësi në vëllazërinë mbarëbotërore për të cilën folën Jezui dhe apostujt e tij! Kjo lidhje nuk mund të shkatërrohet nga tsuname apo katastrofa të tjera natyrore.—Gjoni 13:34, 35; Hebrenjve 10:24, 25; 1 Pjetrit 5:9.
[Kutia dhe figura në faqen 18]
PASON KATASTROFA BËRTHAMORE
Dëmtimi i reaktorëve në centralin bërthamor në Fukushimë-Daiki nga tsunami, bëri bujë në të gjithë botën. Rrezatimet radioaktive u përhapën në Japoni dhe në vende të tjera. Mijëra banorë u evakuan ngaqë mund të kishte rrezatim vdekjeprurës.
«Ne banonim afër centralit bërthamor,—shpjegon Megumi.—Ditën pas tërmetit, dëgjuam për dëmet në centralin bërthamor dhe na thanë të largoheshim nga shtëpia.» Motra e saj, Natsumi, sjell ndër mend: «Helikopterët vinin rrotull, sirenat ulërinin dhe dikush bërtiste që duhej të largoheshim.» Në javët pasuese, banorët u shpërndanë në nëntë vende të ndryshme. Pas ca kohësh, dy vajzat u lejuan të ktheheshin në shtëpi vetëm për dy orë për të marrë disa gjëra.
Çikakoja, në të gjashtëdhjetat, ishte në Nami, Fukushimë. «Kur ra tërmeti, shkova në një vend të caktuar për strehim aty afër. Aty, unë dhe dy fëmijët e mi nuk kemi mbyllur sy gjithë natën për shkak të lëkundjeve të forta që pasuan. Të nesërmen në 7.00 të mëngjesit, na thanë të shkonim menjëherë në një vendstrehim në një qytet tjetër.
Rrugët ishin bllokuar nga trafiku, prandaj ishte rreth tre e pasdites kur mbërritëm atje. Aty dëgjuam për shpërthimin në centralin bërthamor. Mendova se do të ktheheshim shumë shpejt në shtëpi, prandaj nuk kishim marrë asgjë me vete.» Ajo dhe familja e saj shkuan nga njëri vend në tjetrin derisa më në fund gjetën një apartament larg shtëpisë së tyre.
[Burimi]
Fotografi nga DigitalGlobe via Getty Images
[Kutia dhe figura në faqen 20]
MËSIMET QË NXJERRIM TË GJITHË
Joiki nga Rikuzentakata, që u përmend më parë dhe që humbi pjesën më të madhe të zotërimeve, tha: «Mund ta them me plot gojën që gjërat materiale nuk sjellin siguri.» Po njësoj janë shprehur prej kohësh edhe shërbëtorë të tjerë të Perëndisë, sidomos ata që kanë parë në jetën e tyre sa e vërtetë është ajo që na mësoi Jezui. Ai shpjegoi sa pak rëndësi kanë gjërat materiale në krahasim me miratimin dhe bekimin e Perëndisë.—Mateu 6:19, 20, 33, 34.
Një mësim tjetër që nxjerrim është se duhet të veprojmë kur na paralajmërojnë. Nga kjo varet nëse do të mbijetojmë apo do të vuajmë pasojat. Banorët e Japonisë që pa ngurruar nxituan për në një vend të lartë, në të shumtën e rasteve shpëtuan.
[Harta dhe figurat në faqen 16]
(Për tekstin e faqosur, shih botimin)
JAPONI
TOKIO
Kamaishi
Rikuzentakatë
Minamisanriku
Ishinomaki
Somë
Centrali bërthamor në Fukushimë
Ebinë
Zyra e degës e Dëshmitarëve të Jehovait
[Figurat]
Rikuzentakatë, Iuate
Somë, Fukushimë
Ishinomaki, Mijagi
Kamaishi, Iuate
Minamisanriku, Mijagi
[Figura në faqen 14]
Harumi dhe Tadajuki
[Figura në faqen 15]
Joiki dhe Tatsukoja
[Figura në faqen 17]
Jukoja dhe Midori
[Figura në faqen 17]
Toru
[Figura në faqen 17]
Makina ku kishte hipur Toru
[Figura në faqen 17]
Takajuki
[Figura në faqen 18]
Shunxhi
[Figura në faqen 19]
Mizuki dhe Jui
[Figura në faqen 19]
Hideharu
[Figura në faqen 19]
Vullnetarë që ndihmuan pas katastrofës
[Figura në faqen 20]
Salla e Mbretërisë në Rikuzentakatë pas tsunamit
[Figura në faqen 20]
Puna e rindërtimit tre muaj më pas
[Figura në faqen 20]
Salla e Mbretërisë e përfunduar
[Burimi i figurës në faqen 14]
JIJI PRESS/AFP/Getty Images